Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borell, do të organizojë një darkë formale të mërkurën me krerët e liderët e Ballkanit Perëndimor.
Megjithëse kryeministri Albin Kurti gjendet në ShBA, vendin e tij do ta zë Donika Gërvalla.
Kryediplomatja kosovare, e cila sot ka përfunduar vizitën e saj zyrtare në Izrael, do të shkojë në Bruksel për të marrë pjesë në darkën jozyrtare të organizuar nga Borrell.
Kështu tha shefi i kabinetit të zv/kryeministres, Sharr Jakupi.
Ai bëri me dije se të martën mbrëma do të nisen për në kryeqytetin e BE-së.
“Sot e kemi përfunduar vizitën ne Izrael, e ne mbrëmje nisemi për Bruksel. Po merr pjesë (në darkën joformale të organizuar nga Borrelli)”, tha ai për Paparacin.
Ndërkohë, mediat serbe kanë konfirmuar se presidenti serb Aleksander Vuçiq do të jetë prezent nesër në kryeqytetin evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi se darka është tradicionale që organizohet njëherë në vit.
Sipas mediave serbe, fokusi në këtë darkë joformale do të jetë për situatën në Ukrainë dhe sigurinë rajonale.
Ditëve të fundit, kryediplomatja e Kosovës, Donika-Gërvalla ka qenë në Izrael, ndërkaq shefi i qeverisë udhëtoi të premten e kaluar, për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aty gjithashtu është edhe presidentja Vjosa Osmani.
