Hasan Berisha, personi i cili u vra sot në Kaçanik, dyshohej për një rast të kanosjes së një 22-vjeçari në Ferizaj më 2016.
Policia e Kosovës kishte ngritur kallëzim penal ndaj Hasan Berishës dhe vëllait të tij, Kastriot Berishës, i plagosur sot, për kanosjen e R.L. më 2016 në rrugët e Ferizajt.
Ngjarja kishte ndodhur në muajin mars të vitit 2016.
“Sa i përket rastit të sulmit, të ndodhur në rrugën Regjep Bislimi në Ferizaj, me datën 21.03.2016 rreth ore 17:30, Policet hetues të stacionit Policor në Ferizaj, kanë ngrite kallëzim penal ndaj të dyshuarve Hasan e Kastriot Berisha, me datën 27.03.2016”, kishte thënë Policia e Kosovës më 2016.
Po ashtu, Policia e Kosovës kishte intervistuar dy të dyshuarit për një sulm me armë zjarri ndaj të njëjtit person, R.L..
Rasti për të cilin Policia kishte intervistuar Hasan e Kastriot Berishën kishte të bënte me një sulm me breshëri plumbash ndaj veturës së R.L. në Kaçanik, më 23 mars, 2016.
“Janë intervistuar disa persona në lidhje me rastin, ndër ta edhe Hasan Berisha dhe vëllai i tij Kastriot Berisha por nuk kemi ende prova të mjaftueshme se ata kanë kryer këtë vepër penale”, kishte thënë Policia.
R.L., i cili ishte cak i sulmuesve, kishte rrëfyer ngjarjen në një intervistë për Telgrafin.

“Isha duke udhëtuar për në shtëpi – i vetëm me veturën e një shoku – nga Kaçaniku për në Strazhe. Rrugës për shtëpi, rreth orës 22:00, derisa po ecja në vendin e quajtur Dubravë e Sepetin të Kaçanikut, i vërej disa gurë në rrugë. Ndalova makinën, dola të shmang gurët nga rruga. Sapo dola, dëgjova krisma të armëve. Rashë poshtë rrugës për tu mbrojtur në mal, e krismat vazhduan. Pastaj dola në rrugë duke vrapuar, telefonova disa shokë e pastaj edhe policinë. Për fat të mirë aty erdhi një kalimtar rasti, ishte i lagjes sime, hipa në veturën e tij dhe vazhdova për në shtëpi”, rrëfeu R.L. për Telegrafin.
Sipas tij, Policia e ka konfirmuar se arma ishte kallashnikov.
