Inspektorati Policor të Kosovës ka arrestuar rreshterin policor në Pejë, Senad Hamzic, i dyshuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosje” ndaj një zyrtare policore.
IPK njofton se me gradën e rreshterit, Senad Hamzic, jashtë detyrës zyrtare është i përfshirë si i dyshuar në një rast të lëndimit të rëndë trupor.
Pas kësaj, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me Prokurorin kujdestar kanë ndërmarrë disa veprime hetimore kurse viktima, e cila është zyrtare policore është dërguar për trajtim mjekësor.
“Pas këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘kanosje'”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.
Po ashtu, Hamziq është suspenduar nga detyra.
“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, përfundon komunikata e IPK-së.
