Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur takimin e kolegjiumit me të gjithë kryeprokurorët e prokurorive themelore, Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale si dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit.
Në këtë takim, të pranishëm ishin edhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të cilët monitorojnë prokuroritë përkatëse. Pjesë e kësaj zyre është edhe Aleksandër Lumezi, ish-Kryeprokuror i Shtetit.
Në fillim të takimit, U.D. Kryeprokurori Kelmendi u interesua për gjendjen në secilën prokurori, tha Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në një komunikatë për media.
“Gjatë diskutimeve të përbashkëta u theksua nevoja për plotësimin e vendeve të përcaktuara me prokurorë të rinj si dhe rekrutimin e stafit mbështetës në mënyrë që të avancohet efikasiteti dhe efektiviteti në trajtimin e lëndëve penale në secilën prokurori”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, pjesë thelbësore e këtij takimi “ishte diskutimi lidhur me rritjen e efikasitetit dhe zbatimin sa më unik të praktikave gjatë trajtimit të regjistrave penal, përkatësisht lëndëve penale me PP, PPN dhe PPP nga ana e prokurorëve.”
