Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është arrestuar A.S., pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.
Siç bëhet e ditur A.S. dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme, duke keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, dyshohet se ka vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve, të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si përgjegjës i ndërrimit.
Tutje shkruhet se i njëjti dyshohet se këto të dhëna i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, të cilat më pas i ka shitur dhe me këtë rast dyshohet se ka përfituar mjete-para në vlerë prej mbi 5,000.00 €.
“Në këtë çështje penale, me urdhër të prokurorit është sekuestruar një pajisje elektronike (telefon) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale. Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, si dhe ndaj të dyshuarit do të vazhdohet me veprimet procedurale”, njofton prokuroria.
Me vendim të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje./Paparaci.com
