Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se Zyra e Rregullatorit për Energji duhet ta respektojë vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila javën e kaluar pezullonte vendimin e ZRRE-së, për tarifat e reja të energjisë.
Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se PDK-ja ka pasur angazhim të madh që të pezullohen tarifat e shtrenjta të energjisë.
“Ju e dini se PDK-ja ka pasur një angazhim të madh që të pezullohet tarifimi me tarifa të shtrenjta. Këtë e kemi arritur javën e kaluar kur Gjykata e Apelit e ka marrë një vendim që është në favor me neve”, u shpreh shefi i deputetëve të PDK-së.
“Ajo çfarë është shqetësuese është se lexojmë lajme se është se KESCO ka paqartësi për tarifimin e energjisë, pas vendimit të Apelit. Këtu, ZRRE-ja duhet ta ndalë çfarëdo tendence që duket që ka të qartë që të mos respektohet ky vendim”.
Më 18 maj, Apeli ka vendosur pas ankesës së ZRRE-së, duke thënë se ishte e pabazuar.
“Gjykata e Apelit ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit, me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës ZRRE-së”, thuhet në një komunikatë për media të Gjykatës së Apelit.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 prill kishte marrë vendimin për pezullimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.
