Turqia ia ka bërë të qartë Suedisë dhe Finlandës gjatë takimit në Ankara se synimi i tyre për anëtarësim në NATO nuk mund të përparojë nëse shqetësimet e sigurisë së Ankarasë nuk plotësohen përmes hapave konkretë dhe një afati të caktuar kohor, tha zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin.
”Duke vënë në dukje se PKK, YPG dhe PYD janë të gjitha grupe terroriste, Turqia ua përcolli pritjet e saj për këtë çështje delegacioneve nga Suedia dhe Finlanda gjatë takimit”, tha Kalin në një konferencë shtypi pas takimit konsultativ me dyer të mbyllura, që zgjati rreth pesë orë.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40.000 personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.
YPG/PYD është dega siriane e PKK-së.
”Turqia pret zbatimin e saktë të parimeve dhe procedurave të takimit të NATO-s të vitit 1999 lidhur me procesin e anëtarësimit në aleancë”, shtoi Kalin.
Ai nënvizoi se Ankaraja u ka bërë kërkesa ekstradimi Suedisë dhe Finlandës gjatë 10 viteve të fundit.
”Shqetësimet e sigurisë të anëtarëve të NATO-s duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë”, theksoi Kalin.
Delegacioni turk në takim kryesohej nga Kalin dhe zëvendësministri i Jashtëm, Sedat Onal.
Pjesëmarrës në takim ishin sekretari i Shtetit i Suedisë për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Oscar Stenstrom dhe sekretari i Përhershëm i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme të Finlandës, Jukka Salovaara.
Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’iu bashkuar NATO-s javën e kaluar, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.
Por, Turqia, anëtare e vjetër e aleancës, ka shprehur kundërshtime ndaj aplikimeve të tyre për anëtarësim duke kritikuar shtetet nordike për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste.
