Të fundit

Çfarë domethënie ka pakti Turqi-Rusi për prodhimin e përbashkët të armëve?

Shkruan: Pierre Haski

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është një ekuilibrist i aftë. Ndjekja e aventurave të tij diplomatike dhe ushtarake mund të jetë marramendëse, pasi Erdogani e ndryshon befas pozicionin e tij, dhe nganjëherë mban disa pozicione në të njëjtën kohë.

Sot Turqia është emblema e një periudhe të rikonfirmimit gjeopolitik, në të cilën aleancat mund të vihen në pikëpyetje (këtë e kemi parë kohët e fundit në Australi) dhe mund të shfaqen ditën për diell orekset e shtypura prej kohësh të fuqive të mëdha.

Më 30 shtator, presidenti turk ishte në Soçi të Rusisë, për të takuar një njeri që nuk është i sigurt nëse është partneri, kundërshtari i tij, apo të dyja bashkë: Vladimir Putin.

Rusia dhe Turqia janë duke përplasur me njëra-tjetrën në veriperëndim të Sirisë dhe në Libi. Megjithatë të dy udhëheqësit kanë arritur gjithmonë të gjejnë një mënyrë për t’u marrë vesh me njëri -tjetrin, gati në çdo rast në kurriz të Shteteve të Bashkuara.

Erdogan u largua nga takimi me një njoftim, i cili me siguri do ta ketë zemëruar shumë Uashingtonin: Turqia dhe Rusia synojnë që të bashkëpunojnë në prodhimin e avionëve luftarakë dhe nëndetëseve. Po ashtu, Ankaraja do të blejë serinë e dytë të sistemit rus të mbrojtjes kundërajrore S-400.

Erdogani teston vazhdimisht ekuilibrin e forcave. Blerja e serisë së parë të sistemit S-400 në kohën e Donald Trumpit, bëri që Turqia t’i nënshtrohej një sërë sanksionesh dhe sidomos të përjashtohej nga programi i avionëve luftarakë amerikanë F-35.

Presidenti turk shpresonte të zbuste disi homologun amerikan Joe Biden që megjithatë e refuzoi takimin me të gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, muajin e kaluar. Erdogani përfaqëson një problem kompleks për Shtetet e Bashkuara: Turqia është pjesë e NATO-s, aleancës së udhëhequr nga Uashingtoni, por prej disa vitesh ajo ka ndjekur një strategji autonome, pa u konsultuar me aleatët e saj.

Ankaraja ndërhyri ushtarakisht në Libi, Siri, Irak dhe Armeni së bashku me Azerbajxhanin. Për më tepër, Turqia ishte e pranishme në Kabul pas largimit të NATO -s. Pra, lista është shumë e gjatë. Më 30 shtator, edhe pse jo zyrtarisht, NATO kritikoi njoftimin e bashkëpunimit ushtarak midis Ankarasë dhe Moskës. Megjithatë zyrtarisht nuk ndodhi asgjë. Aleanca Atlantike vazhdon ta përjetojë këtë kontradiktë të përhershme. Franca u përpoq të ngrejë çështjen turke në NATO. Dhe, të mendosh që presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi në vitin 2019 gjatë një interviste për “The Economist”, se NATO “ka pësuar një vdekje celebrale”. Ajo deklaratë bëri shumë bujë, edhe pse në fakt Macroni vetëm sa e vuri NATO-n përballë  me kontradiktat e saj. Mjerisht ai apel nuk ndihmoi aspak, edhe sepse Shtetet e Bashkuara mendojnë vetëm për Kinën.

Vetë Franca e bëri situatën akoma më komplekse, duke nënshkruar një marrëveshje për një partneritet strategjik me Greqinë disa ditë më parë, i cili përmban një klauzolë solidariteti të ndërsjellët në rast agresioni.

Po cili vend mund të nxisë aktivizimin e kësaj klauzole?

Natyrisht që Turqia. Problemi është se Franca, Greqia dhe Turqia janë pjesë e së njëjtës aleancë, përkatësisht NATO-s. Dhe, ky konfuzion i përgjithshëm nuk mund të zgjasë përgjithmonë.

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci