Shqetësimet e ngritura nga Turqia lidhur me sigurinë, për çka ka kundërshtuar aplikimin e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO janë legjitime, ka thënë të dielën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, raportoi Reuters të dielën.
“Këto janë shqetësime legjitime. Kjo ka të bëjë me terrorizmin, ka të bëjë me eksportet e armëve”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë të përbashkët me presidentin finlandez, Sauli Niinisto, derisa e vizitoi atë në Finlandë.
Stoltenberg ka thënë se Turqia është një aleat kyç për aleancën për shkak të vendndodhjes së saj strategjike në Detin e Zi midis Evropës dhe Lindjes së Mesme, ndërsa përmendi edhe mbështetjen që Ankaraja zyrtare i ka dhënë Ukrainës që kur Rusia nisi pushtimin e saj më 24 shkurt.
“Duhet të kujtojmë dhe të kuptojmë se asnjë aleat i NATO-s nuk ka pësuar më shumë sulme terroriste sesa Turqia”, tha Stoltenberg, duke përdorur shqiptimin turk të emrit të vendit, siç preferohet nga Turqia dhe presidenti i saj Tajip Erdogan.
