Të fundit

Gjashtë prona si garanci për lirimin e Enver Sekiraqës nga paraburgimi

Mbrojtja e të akuzuarit për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës ka propozuar ndërprerjen e masës së paraburgimit për Enver Sekiraqën dhe të njëjtit t’i vendoset masa e arrestit shtëpiak.

Këtë kërkesë e ka bërë avokatja mbrojtëse e Sekiraqës, Kosovare Kelmendi, gjatë seancës së të enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ajo ka thënë se familja e Sekirqaës ofron gjashtë prona hipotekë si garanci për prezencën e të akuzuarit në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas avokates Kelmendi, Sekiraqa gjendet nën masën e paraburgimit afër një dekadë dhe se babain e tij e kishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Unë kam edhe një arsye shtesë kësaj radhe, e që është gjendja shëndetësore e rëndë e babait të të akuzuarit i cili që nga java e kaluar gjendet i shtrirë në spital në QKUK në Prishtinë. Lidhur me këtë gjykatës do t’i dorëzojë edhe dokumentacionin mjekësor për gjendjen e babait të tij”, ka thënë avokatja Kelmendi.

Ajo ka thënë se Enver Sekiraqa ndodhet në paraburgim prej nëntë vitesh duke iu shkelur të drejtat për gjykim fer dhe të drejtë.

“Ju rikujtoj se për një dekadë të qëndrimit të tij në paraburgim saktësisht 9 vite, shumë familjar të tij kanë vdekur, vazhdimi i pafund i masës së paraburgimit është shkelje flagrante e të drejtës së të akuzuarit për një gjykim fer dhe të drejtë brenda një afati të arsyeshëm ligjor”, ka thënë avokatja Kelmendi.

Ajo ka thënë se si formë të garancës për sigurimin e prezencës së të akuzuarit Sekiraqa në shqyrtime gjyqësore, familja e ngushtë e tij lë në hipotekë në formë të garancës gjashtë prona të cilat janë në emër të vëllaut të të akuzuarit Sekiraqa, Naser Sekiraqa.

Por me këtë propozim nuk është pajtuar prokurori special Haki Gecaj i cili ka thënë se ishin në rigjykim dhe se duhet të dëgjohen edhe shumë dëshmitarë, prandaj sipas tij, propozimi për ndërprerjen e paraburgimit ishte i pabazuar.

Lidhur me këtë propozim trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Agim Kuçi ka njoftuar se do të vendosë jashtë seance.

Ndryshe në këtë seancë kanë munguar dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, për të cilat prokurori Gecaj ka thënë se mbetet pranë propozimit që të njëjta të ftohen përsëri në seancën e radhës, pasi sipas tij, dëshmia e tyre është e rëndësishme për ndriçimin e çështjes dhe gjendjes faktike në këtë çështje penale.

Por avokatja Kelmendi ka kërkuar nga gjykata që të lexohen deklarata e këtyre dëshmitareve, pas sipas saj edhe në gjykimin e kaluar edhe pse rasti kishte qenë në rigjykim, vet prokurori Gecaj ishte pajtuar që deklaratat e tyre të lexohen.

Por trupi gjykues, e ka aprovuar propozimin e prokurorit Gecaj që për seancën e radhës të dëgjohen dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, për sigurimin e të cilave gjykatësi Kuçi ka thënë se do të urdhërohet Policia e Kosovës që të njëjtave ftesat tu dorëzohen personalisht.

Ndryshe në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej dëshmitarja Kaltrina Berisha e cila në fillim të seancës ka deklaruar se bashkëshorti i saj të akuzuarin Sekiraqa e kishte djalë të hallës.

E njëjta para fillimit të dëshmisë ka thënë se mbetet pranë deklaratave që kishte dhënë në fazat e mëhershme duke kërkuar nga gjykata që të lirohet nga dëshmia për shkak se sipas saj, duhej të kujdeset për fëmiun e saj pesë muajsh.

Pasi këtë propozim nuk e ka kundërshtuar prokurori Gecaj e as avokatja Kelmendi, trupi gjykues ka aprovuar propozimin që të lexohen deklarata e saj e dhënë me 17 janar 2008 në zyrën e prokurorit special, deklarata e dhënë në 21 nëntor 2014 në shqyrtimin e kaluar gjyqësor dhe deklarata e dhënë në shqyrtimin gjyqësor në vitin 2019.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 15 nëntor 2021, në ora 09:30.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe me 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Video nga Paradoks

"Kundër faljes së tokave", "Dhuratë e Millosheviqit": Krejt çka thoshte Kurti për vendimin që tash po e zbaton për Manastirin e Deçanit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci