Drejtoresha ekzekutive e BIRN Kosovës, Jeta Xharra, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke mbrojtur artikullin e publikuar në Kallxo.com në vitin 2020 me pseudonimin “Lule Gjeli” dhe duke insistuar se ai nuk përmbante të pavërteta.
“Ne nuk e kemi mohu asnjëherë që në Kallxo në 2020 është botu një autor me pseudonimin Lule Gjeli dhe arsyeja pse ai është botu me pseudonim është shumë normale. Personi na ka bind që do ta humbiste vendin e punës nëse botohej artikulli me emrin e vërtetë.”
Ajo theksoi se problemi ka nisur vetëm më vonë, kur profili “Lule Gjeli”, sipas saj, ka filluar të publikojë të pavërteta, duke shtuar se BIRN ka qenë ndër të parët që e ka denoncuar.
“Në momentin që ky profil nisi me publikimin e rrenave, ne jemi të parët që e kemi denoncu dhe si pasojë e këtyre denoncimeve ne jemi sulmu në vazhdimësi me lajmet e rreme nga ky profil.”
Xharra reagoi pasi Rama njoftoi ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand, duke e akuzuar atë për hakmarrje ndaj BIRN-it për shkak të raportimeve të Kallxo.com.
Sipas saj, nuk mund të penalizohet muzeu “Reporting House” për një artikull të botuar gjashtë vjet më parë.
“Nuk mund të penalizohet muzeu në 2026, për një artikull (pa asnjë rrenë) që është botuar në 2020 në Kallxo.com.”
