Ambasada amerikane në Beograd i ka quajtur fyese dhe të pasakta akuzat e zyrtarëve më të lartë serbë ndaj kongresistëve amerikanë, të cilët theksuan problemin me korrupsionin dhe lirinë e mediave në Serbi.
“Nga shkëmbimet akademike deri te bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe luftës kundër COVID-19, marrëdhëniet e SHBA-së me Serbinë janë të shkëlqyera dhe përmirësohen çdo ditë e më shumë. Akuzat e fundit kundër anëtarëve tanë të zgjedhur të Kongresit janë absurde, fyese dhe të pasakta”, tha një zëdhënës i Ambasadës së ShBA-së për Beta.
Dje, me rastin e vizitës në Washington të liderit të partisë opozitare për Liri dhe Drejtësi, Dragan Djilas, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ndër të tjera tha se “nuk beson se ka parë ndonjë kongresist pa asnjë dinar apo dollar”.
Më 5 nëntor, një grup anëtarësh të Kongresit amerikan i kërkuan presidentit Joe Biden që të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, duke deklaruar se janë të shqetësuar për ndikimin e situatës politike në Serbi në rajon dhe Evropë.
