Fjalët e Millan Radoiçiqit se “terrori më i madh” ndaj serbëve vetëm tani duhet të shqetësojë çdo serb të Kosovës. Ky është paralajmërim i sakrificës sonë të serishëm për interesat e këtij regjimi dhe drejtuesve të tij. Duke sakrifikuar ekzistencën tonë, ata duan të mbrojnë ekzistencën e tyre, shkruan Rada Trajkoviq, politikania serbe dhe kryetare e OJQ-së Lëvizja Evropiane e Serbëve.
Keni ndonjë konflikt privat (me Millan Radoiçiqin) apo diçka…, më pyeti para disa ditësh në një emision redaktori i një portali pro regjimit.
Në mënyrë të ngjashme, përfaqësuesit e regjimit, nga Marko Gjuriqi e deri te vetë Aleksandar Vuçiq, dikur arsyetuan dhe banalizuan persekutimin e tani të ndjerit Olliver Ivanoviq nga lideri joformal i veriut të Kosovës dhe nënkryetari zyrtar i Listës Serbe të Vuçiqit, Millan Radoiçiq. Më kot njerëzit më të afërt të Olliverit thoshin të kundërtën – “regjimi e di më mirë se ata”.
Çështja se prej nga dhe kur u krijua Radoiçiq në Kosovë është në radhë të parë një pyetje për gazetarët hulumtues dhe shërbimet e sigurisë, sepse, të them të drejtën, nuk jam e sigurt se ndonjëri prej nesh – ish-elita politike serbe e Kosovës të cilët Radoiçiqi, Veselinoviqi dhe djemtë e tyre i “neutralizuan” – di diçka për këtë. Tregimet për disa “djem të fortë” misterioz që po e destabilizojnë veriun kanë qarkulluar që nga koha e Koshtunicës dhe Tadiqit, por fakti është se vetëm Vuçiqi i promovoi këta “djem të fort” në liderët politikë zyrtarë të serbëve të Kosovës dhe në partnerët e tij kryesorë të biznesit në Serbi. Nga të gjithë liderët që nga viti 2000 e këndej, duket se vetëm Vuçiq e ka kuptuar dhe ka folur gjuhën e tyre të huliganizmit, pasurimit të shpejtë dhe represionit, shkruan Trajkoviq, transmeton Paparaci.
Në Beograd, në një nga konferencat e tij të shumta, presidenti serb sërish mbron Radoiçiqin, produkt i politikës së tij të kontaminuar nga krimi, i cili si shkatërroi si acid institucionet serbe dhe kredibilitetin tonë ndërkombëtar në lidhje me Kosovën. Më kot, sepse në Evropë, pas agresionit rus kundër Ukrainës, toleranca ndaj metodës së sundimit të Vuçiqit po shkrihet me një shpejtësi të madhe. Institucionet e “kapura” nga krimi do të duhet të lirohen dhe njerëzit do të duhet të çlirohen nga “flluska” e një realiteti paralel rozë në të cilin Vuçiq është heroi i çdo tregimi. Sepse që nga shkurti 2022, bota thjesht nuk është më e njëjta.
Por Vuçiq është Vuçiq, prapë i njëjti. Metodat e tij, me të cilat ai çimentoi dominimin e tij politik, nuk mund të ndryshohen brenda natës. Dhe njerëzit si “djemtë e fortë” të Kosovës tani janë pjesë e “familjes” së tij dhe atij vetë – sepse, edhe po të dojë, nuk mund të heqë dorë prej tyre. Detyrimi i ndërsjellë është shumë i thellë. Dhe pastaj çfarë mbetet? Pra, kthimi te ajo e vërteta e vjetër ballkanike e përmendur më lart – nëse keni nevojë për shpërqendrim, kthehuni te nacionalizmi dhe destabilizimi. Ashpërsimi i retorikës së Vuçiqit ndaj Perëndimit sinjalizon një kthesë, si dhe cenueshmërinë e tij personale. Sepse tregoni sinqerisht: kur ka hyrë Vuçiqi në konflikt me të fuqishmit për hir të interesave të njerëzve të thjeshtë?
Fjalët e Radoiçiqit se “terrori më i madh” ndaj serbëve sapo ka filluar duhet të shqetësojë çdo serb nga Kosova. Ky është një paralajmërim i sakrificës sonë të serishëm për interesat e këtij regjimi dhe drejtuesve të tij. Dhe jo për hir të interesave kombëtare – të cilat Vuçiqi i shiti në Kosovë shumë kohë më parë – por për hir të mbijetesës së vetë atyre. Duke sakrifikuar ekzistencën tonë, ata duan të mbrojnë ekzistencën e tyre. Nuk mund t’i lejojmë ta bëjnë këtë, përfundon Trajkoviq./Paparaci
