Të fundit

Kërcënime, incizime, montime, shitblerje votash – arrestohet aktivisti i LVV-së

Një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje është arrestuar nën dyshimin për inskenimin të video-incizimeve ndaj një qytetari, i cili dyshohet për marrje ryshfeti nga zyrtarë të PDK-së. Paparaci ka siguruar video-incizimet ekskluzive të rastit që involvon të dyja kampet që garojnë të dielën në balotazhin e Shtimës.

Eros Klaiqi

Një hetim i Prokurorisë ka hedhur dritë mbi një video-inskenim të realizuar nga Arsim Rama, një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime.

Ai është arrestuar të enjten në mbrëmje nga Policia e Kosovës, ka konfirmuar të premten për mediumin online Paparaci, Shukri Jashari, Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj.

Arsim Rama, dyshohet se ka incizuar në mënyrë të paautorizuar dhe ka detyruar një qytetar me inicialet A.A. – të dyshuar për marrje ryshfeti – që të telefonojë zyrtarë të Partisë Demokratike në Shtime, përfshirë Adnan Muharremin, shoferin e kryetarit aktual Naim Ismajli.

Paparaci ka siguruar video-incizimin ekskluziv. Ai shfaq aktivistin e LVV-së teksa detyron qytetarin A.A. të kontaktojë dhe incizojë në formë të paautorizuar biseda telefonike. Të njëjtin material e posedon edhe Prokuroria.

Krejt inskenimin, Rama dyshohet ta ketë bërë në shenjë hakmarrje ndaj viktimës.

Viktima e rastit, A.A. në ditën e zgjedhjeve lokale më 17 tetor kishte denoncuar një rast kinse për blerje votash nga vëllai i kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime, Qemajl Aliu. Kishte dorëzuar një video-incizim në Policinë e Kosovës.

Por, një hetim i Prokurorisë kishte zbardhur rastin. Nuk bëhej fjalë për përfshirje të vëllait të Qemajl Aliut, e as për blerje votash.

Videoja tregonte Arsim Ramën, aktivistin e arrestuar të enjten, teksa mblidhte të holla me qëllim blerjen e fishekzjarreve për të përgatitur një festë fitoreje në mbrëmje në rast se LVV-ja do të fitonte zgjedhjet në raundin e parë.

“Gjatë hetimeve unë i kam thënë policisë që me pritë aktivistin [Arsim Rama, v.j] deri sa të kthehet prej Fushë Kosovës. Tash, unë e kam autorizu policinë që me pritë atë me veturë dhe me kontrollu veturën. Kur është kthy ky djali prej atje [Fushë Kosovës], është kontrollu vetura dhe janë gjetur fishekzjarre”, tha të premten Shukri Jashari, Kryeprokurori i Ferizajt.

“Do të thotë është eliminu pretendimi se janë dhënë para për blerje votash.”

Mbyllja e rastit të denoncuar nga qytetari A.A. kundër Arsim Ramës – të cilin e kishte prezantuar si vëllai i Qemajl Aliut – kinse për blerje votash, ka rezultuar me hapjen e një rasti tjetër.

Kjo është faza e dytë e ngjarjes.

Hakmarrja ndaj qytetarit A.A. që mund ta çojë në burg aktivistin e LVV-së

Arsim Rama, në hakmarrje ndaj A.A. që e denoncoi atë në polici më 17 tetor, dyshohet se e ka detyruar viktimën të telefonojë me zyrtarë të PDK-së dhe t’i incizojë në mënyrë të paautorizuar bisedat mes tyre.

Hetimet e Prokurorisë kanë zbuluar se aktivisti i arrestuar i LVV-së “e ka marrë qytetarin A.A. dhe e ka detyruar të thërrasë dy zyrtarë të PDK-së: Bedri Amrushin dhe Adnan Muharremin.

“Tash, ai e thërret shoferin e kryetarit Naim Ismajli dhe persona tjerë, i kërkon me u taku aty – me e marrë telefonin dhe me incizu me të krejt çka bisedohet. Arsim Rama ka shkuar kinse rastësisht aty për të plasuar në opinion publik kinse është fjala për blerje vote”, tha Kryeprokurori i Ferizajt.

Rama, dyshohet se e ka shtrënguar viktimën që bisedat telefonike t’i realizonte në veturën e tij. I ka asistuar çka duhej të fliste me zyrtarët e PDK-së.

“Ti duhet me thirre ma mirë, edhe unë me ardh rastësisht aty”, i thotë Rama, viktimës A.A.. “Dmth me tregu që ke qenë i porosit prej tij, prej Bedri Amrushit. Shifrat po më intereson me i ditë. Ai prej kujt ka qenë i shtyrë”.

“Mirë o’ ti me thirre sot edhe me kry këtë muhabet”, i thotë ai.

I dyshuari, një bisedë të paautorizuar të A.A. e ka dërguar në redaksinë e Gazetës Observer, të lidhur ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Gazeta Observer, sipas të dhënave publike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, menaxhohet nga tre aktivistë të LVV-së: Agon Haxha, Veron Hasani dhe Fitim Pacolli, vëllai i deputetes Fitore Pacolli.

Shkrimi i Gazetës Observer e prezanton viktimën A.A. si “agjent të PDK-së të infiltruar në PDK”.

“Ai kishte incizuar dhe fotografuar secilën lëvizje dhe veprim të aktivistëve të VV-së. Në një moment kur aktivistët e VV-së ishin duke mbledhur para për të zhvilluar një aktivitet brenda zyreve të VV-së, agjenti i PDK-së e kishte incizuar këtë dhe e kishte përdorur si provë për kinse blerje votash”, shkruhet në artikullin e gazetës së afërt me LVV-në.

Thekson se video-incizimi, që sipas shkrimit të gazetës shpërfaq skandalin e montimit të rastit për blerje votash kundër LVV-së, ishte siguruar nga burime të mediumit. Nuk përmendet emri i Arsim Ramës, i cili dyshohet se incizoi bisedat jashtëligjshëm.

Për këto veprime, Kryeprokurori i Ferizajt tha se aktivisti Arsim Rama është ndaluar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të “shtrëngimit” dhe “incizimit të paautorizuar”.

Ndaj të dyshuarit, Prokuroria e Ferizajt ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për 48-orë, tha kryeprokurori Jashari për Paparacin.

“Vet mënyra që ‘jo thirre këtë, jo thirre atë’ dhe fakti që e ka marrë e ka shti në veturën e tij, kjo cilësohet pengim”, tha kryeprokurori.

Viktima e rastit të incizimeve, A.A. dyshohet për marrje ryshfeti

Ngjarja që çoi në arrestimin e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, e ka futur nën hetimin e Prokurorisë edhe viktimën e rastit, A.A..

Ai dyshohet për marrje të ryshfetit nga zyrtarët e PDK-së në Shtime. Dyshohet për montimin e rastit ndaj Ramës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Hetimin e tij për marrje të ryshfetit e konfirmoi të premten Kryeprokurori Jashari.

“Është duke u hetuar për veprën penale ‘marrje dhe dhënie të ryshfetit’ gjatë votimit”, tha kryeprokurori Jashari për Paparacin. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci