Tyson Fury dhe Deontay Wilder do të dalin për herë të tretë në ring përballë njëri-tjetrit. Në meçin që sipas kohës sonë lokale pritet të nisë sot në ora 04:30, dy boksierët e peshave të rënda garojnë për titullin WBC, i cili aktualisht i takon boksierit Tyson Fury.
Meçi do të zhvillohet në Las Vegas të ShBA-së.
Në përballjet e mëhershme mes tyre, është boksieri britanez Fury ai i cili numëron një fitore, teksa përballja tjetër kishte përfunduar baras.
Boksierët u përballën për herë të parë me 1 dhjetor 2018, ku të dy përjetuan barazimin e parë. Ndërkohë në përballjen e dytë, me 22 shkurt 2020, fitorja i takoi britanezit Fury, teksa amerikani Wilder shijoi humbjen e parë në karrierën e tij si boksier profesionist, në ballafaqimin që përfundoi me nokaut në raundin e shtatë.
Në boksin profesionist, Wilder numëron 44 meçe, nga të cilat 42 fitore, dhe 1 humbje e 1 barazim nga dy meçet me Tyson Furyn. Nga 42 fitoret, 41 nga to Wilder i arriti me nokaut, dhe me nokaut kishte pësuar edhe humbjen e tij të vetme.
Ndërkaq, Fury ka zhvilluar plot 31 meçe, duke regjistruar 30 fitore e 1 barazim, pa u mposhtur asnjëherë. Nga këto 30 fitore, ai doli triumfues 21 herë me nokaut.