Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka dalë në mbrojtje anëtarit të KPK-së, Agron Bekës, duke thënë se ai po linçohet nga eksponentë politikë, pas ri-publikimit të pasurisë së tij milionëshe nëpër rrjete sociale.
“Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Prof. Asoc. Dr. Agron Beka, i propozuar nga fakultetet juridike dhe i zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në detyrën e anëtarit të Këshillit, së fundmi është bërë cak i linçimit publik nga disa eksponentë të caktuar politikë, të cilët po mundohen ta njollosin figurën e tij publike. Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) konsideron se kjo është një fushatë e orkestruar, tendencioze dhe denigruese, e nxitur nga struktura të caktura që kanë për qëllim njollosjen e sistemit prokurorial”, thuhet në kumtesën e KPK-së.
Në reagim thuhet se Beka ka deklaruar se ndaj akterëve të këtyre publikimeve nxitëse do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe anëtarët e tij nuk do të zmbrapsen në asnjë moment nga ushtrimi i funksionit dhe mandatit të tyre kushtetues dhe ligjor, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të atakuar sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës”.
