Të fundit

Prokuroria ende në fazën e hetimeve për konkursin e anuluar të KEK-ut

Skandali i konkursit të KEK-ut, që ishte përcjellë me punësime familjare dhe partiake është thelluar edhe më shumë. Hulumtimi i Paparacit kishte vënë në pah se 120 të punësuarit nga 128 sa janë pranuar gjithsej, në Korporatën Energjetike të Kosovës, janë të afërt me partinë në pushtet: Lëvizjen Vetëvendosje. Ndërkaq, 40 për tyre kanë deklaruar haptazi se kanë familjarë të punësuar në këtë institucion.

Prokuroria Themelore në Prishtinë është ende në faze të hetimeve lidhur me pretendimet për shkeljet ligjore në punësimet në prill të vitit 2022 në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Këtë për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se rasti në fjalë ndodhet në fazën e hetimeve, sipas autorizimeve të lëshuara nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, policisë”, ka thënë Ulaj duke shtuar se nuk mund të japin më shumë informata për këtë çështje.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një komunikate për media kishte njoftuar se më 4 prill kishte nisur hetimet në lidhje me pretendimet për shkeljet ligjore në punësimet në këtë konkurs nga KEK.

Hetimet e Prokurorisë kishin nisur pas raportimeve për punësime familjare dhe partiake në KEK. Në konkurs patën aplikuar 4 mijë e 668 kandidatë për 128 vende.

Pas Prokurorisë pati reaguar edhe Agjencia Antikorrupsion, e cila kishte njoftuar se nuk mund të ndërmarr procedura hetimore administrative pasi për të njëjtin rast ka nisur hetime Prokuroria.

Më 6 prill, Agjencia Antikorrupsion kishte konfirmuar mbledhjen e informacioneve për konflikt të mundshëm interesi në konkursin e KEK-ut derisa procedurën e kishte mbajtur konfidenciale.

Megjithëkëtë, më 26 maj, KEK-u kishte njoftuar për anulimin e konkursit për 127 pozitat, duke e kthyer procesin nga fillimi.

“z. Nagip Krasniqi, Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, ka marrë vendim për anulimin procesit duke filluar nga selektimi, rezultatet e testit me shkrim dhe intervistat me gojë për të gjitha pozitat e shpallura sipas konkursit për plotësimin e 127 pozitave të lira, si dhe përsëritjen e këtyre fazave për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

 

Nepotizëm, konflikt interesi, punësime militantësh – krimi i pushtetit me punësime në KEK

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci