Të fundit

Zëvendësimi i mësimit të shtunave, njohësit e arsimit e quajnë dështim

Njohësit e arsimit e vlerësojnë të dështuar zëvendësimin e orëve të shtunave, për orët e humbura gjatë grevës. Sipas tyre, vendimi i Ministrisë së Arsimit është dashur të diskutohet me të gjitha palët dhe të gjendet një zgjidhje më efikase.

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, thotë se çdo orë mësimi e zëvendësuar është e dështuar.

Ai rendit disa nga faktorët që do të ndikonin pozitivisht në zëvendësimin e orëve të humbura dhe në avancimin e fëmijëve.

“Në një mënyrë çdo mësim i zëvendësuar është i dështuar, çdo zëvendësim është dështim… Më mirë se kompensimi i orëve të shtunave do të ishte orë plotësuese gjatë javës dhe jo orë zëvendësuese, sepse orët e zëvendësimit janë gjithmonë formalitet. Orë shtesë për ta ngritur arritshmërinë dhe transformimin e fëmijës dhe kisha marrë kategoritë, sidomos fëmijët romë, ashkalinj, egjiptianë kanë nevojë shumë, fëmijët me gjendje të vështirë financiare, atyre ju kisha dhënë mësim plotësues, pra duhet një diagnostikim i gjendjes”, thotë Rexhaj, për Kosovapress.

Njohësi i arsimit kritikon të gjitha palët për kompensimin e orëve, derisa thotë se duhet menduar më shumë për fëmijët sesa për veten.

“Kur thonë a duhet kompensuar orët apo jo, askush nuk mendon për fëmijën, gjithë mendojnë për vete. Ne duhet të mendojmë a është e ndërtuar shkolla, a është ent i punësimit, a është vend ku fëmija formohet, a është lojë politikash shkolla apo është vend ku formohen fëmijët, prandaj ne kemi probleme fundamentale, nuk kemi problem vetëm katër javët e humbura. Ne duhet t’i kthehemi misionit të shkollës… Besoj se edhe arsimtarët janë meritor që s’po mbahet mësimi të shtunave, njësoj si SBASHK-u e DKA-ja, veç fëmijët janë të pa fajshëm në këtë mes”, shtoi Rexhaj.

Të dështuar zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës e sheh edhe Agon Ahmeti. Njohësi i arsimit thotë se mësimi po mbahet sa për formalitet.

“E shtuna nuk ka qenë zgjidhja prioritare për të kompensuar mësimin e humbur për faktin se sikur është e drejta për arsim, është edhe e drejta për argëtim. Konsideroj se kjo do duhej të analizohej më mirë, të bëhej një konsensus mes palëve relevante në mënyrë që të gjendet një zgjidhje sa më pak e dëmshme për fëmijën, dhe në anën tjetër të arrihet kompensimi i mësimit… Supozoj që mësimdhënësit e kanë për obligim duke qenë të punësuar se po i plotësojnë ato format e tyre zyrtare për të treguar se kanë dalë në shkollë, mendoj se ka një kënaqshmëri që të mos mbahet mësimi por thjesht sa për sy e faqe të gjitha palët ta kenë të kryer atë obligimin përkatës, kjo konsideroj se është përveç se absurde dhe problematike në aspektin e ndikimit që mund të ketë te fëmijët”, tha Ahmeti.

Në anën tjetër, edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj e konsideron të dështuar mbajtjen e mësimit gjatë të shtunave.

Jasharaj kërkon nga Ministria e Arsimit t’i thërras palët dhe të gjejnë një konsensus të përbashkët dhe të dobishëm.

“Këto të shtuna që kaluan që ishin me vendimin e njëanshëm të caktuar për mësim ato kanë dështuar, qoftë shtunën e parë ku 70 për qind e shkollave mungonin edhe mësimdhënësit, dhe në shtunën tjetër ku kishim prezencë më të madhe të mësimdhënësve por kishim prezencë shumë të vogël ose në disa shkolla s’kishte as prezencë të nxënësve… Këto të shtunat e kaluara mund të konsiderohen si ditë të dështuara për mbajtjen e mësimit. Nagavci duhet ta shohë realitetin, nëse nuk e ka sa për të thënë se u mbajtën orët sa për sy e faqe, ajo duhet t’i thërras palët… Me urdhra të prera po shihet që gjërat nuk funksionojnë dhe uroj që ministrja ta ndërrojë qëndrimin ndaj SBASHK-ut dhe të tjerëve”, thotë Jasharaj.

Reklama
Ndryshe, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht kishte nisur grevën në sektorin publik me kërkesën për hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e Ligjit mbi skemat pensionale dhe pagesën 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave. Por, pavarësisht mosplotësimit të këtyre kërkesave SBASHK-u kishte marrë vendim që më 1 tetor greva të pezullohej. /kp/

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci