Argjentinasit dhe FIFA festuan të premten dy vjet nga vdekja e të famshmit Diego Maradona në Kupën e Botës në Katar.
Disa mijëra tifozë argjentinas u mblodhën në një shesh në Doha për të nderuar Maradonën dhe për të shprehur mbështetjen e tyre për kombëtaren e tyre.
Rrugët e Dohas ishin të mbushura me flamuj argjentinas, ndërsa turmat këndonin emrin e Maradonës dhe kënduan këngë në nder të tij.
“Na mungon shumë. Ai ishte gjithmonë me ne. Ne ende e ndiejmë atë. Jam i sigurt se ai do të shikojë kombëtaren kudo që të jetë,” tha një tifoz i Argjentinës.
Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, tha përpara ndeshjes së sotme kundër Meksikës se ai shpreson t’i “sjellë pak gëzim Maradonës duke i parë ata nga parajsa”.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infatino tha se Diego është i pavdekshëm dhe është ende pranë, duke shtuar se çdo Botëror në të ardhmen do të ketë një ditë të rezervuar për kujtimin e Maradonës.
“Unë jam italian dhe mbështes Interin. Unë nuk jam as argjentinas dhe as tifoz i Napolit, por më duhet të pranoj se Diego e bëri Interin dhe klubet e tjera italiane të qajnë më shumë se një herë. Megjithatë, ne e pëlqejmë atë. Ai ishte një lider i madh në Argjentina, Amerika e Jugut dhe e gjithë bota. Ne duhet të vazhdojmë ta festojmë atë. Jam i emocionuar, do të doja që ai të ishte këtu në këtë Botëror. Por ai është në zemrat tona”, tha Infantino.
Në Buenos Aires u shfaq një mural i madh i Maradonës me fanellën e kombëtares.
Nga viti 1982 deri në vitin 1994, Maradona mori pjesë në katër kampionate botërore, ndërsa në vitin 2010 ishte trajner i ekipit kombëtar. Më shumë se 30,000 argjentinas udhëtuan në Katar për Kupën e Botës dhe ndërsa shumë e nderojnë Messin, emri i Maradonës ende mban një fuqi pothuajse mistike.
Shumë tifozë ende mbajnë maska dhe flamuj me imazhin e tij në ndeshje.
Maradona vdiq më 25 tetor 2020 nga një atak në zemër në moshën 60-vjeçare, në shtëpinë e tij ndërsa po shërohej nga operacioni në tru.
