Në një tekst me plot manipulime dhe akuza të pabaza edicioni i së dielës i gazetës “NZZ” akuzon Granit Xhakën se i ka provokuar serbët.
Pas ndeshjes së futbollit mes Zvicrës dhe Serbisë, në fund të së cilës futbollisti Granit Xhaka u shfaq me fanellën e lojtarit të ri Ardon Jashari, gazeta zvicerane “NZZ am Sonntag” ngriti akuza të rënda kundër Granit Xhakës. Xhaka u akuzua se i ka provokuar serbët. “NZZ am Sonntag” sulmin ndaj Xhakës e ilustroi edhe me një spekulim makabër, duke nënvizuar se “deri më sot nuk është e sqaruar përfundimisht nëse Jashari është vrarë nga njësitë serbe apo nga njerëzit e tij në UÇK për shkak të konflikteve interne për pushtet”.
Autori i tekstit, një gazetar i sportit, nuk ofron asnjë dëshmi për këtë pretendim, as nuk përmend ndonjë burim. Teksti përmban edhe pasaktësi të tjera. Aty thuhet se Adem Jashari e themeloi UÇK-në në fund të viteve 80-të. Xhaka akuzohet e ka ditur saktësisht që në Europën juglindore mbiemri “Jashari” nuk ndërlidhet me Ardon Jasharin e FC Luzern, por me Adem Jasharin.
“NZZ am Sonntag” e fajëson Xhakën se me prekjen mes këmbëve dhe me fanellën e Jasharit i paskësh provokuar serbët. Pas këtyre sjelljeve, shkruan “NZZ am Sonntag”, Xhaka mund të ndëshkohet dhe kështu të dëmtojë ekipin zviceran. Provokimet e vazhdueshme të palës serbe kjo gazetë i përmend krejt tërthorazi. Gazeta e krahason Xhakën me një fëmijë problematik dhe spekulon nëse ai me aksionet e tij deshi t’i japë leksione botës mbi historinë e prejardhjes së prindërve të tij.
