Të fundit

Kërkohet planifikim, jo shpresë kantiane!

Shkruan: Enver Hasani

Shkrimtari dhe filozofi politik rus, disidenti i harruar, Andrej Amalrik, kur ka shpjeguar rënien e “Pax Romana”, ka treguar se si ajo nuk kishte ndodhur për një ditë, por në mënyrë graduale: kur janë parë dhitë në Forumin romak (qendra e pushtetit në kohën e Romës), sundimi global romak i ka takuar historisë

Defilimi si paraqitje për të treguar se të tjerët nuk ishin intelektual

Me defilimet intelektuale të kryeministrit të Kosovës, disa herë isha çuditur shkaku i përpjekjeve të tij të sforcuara për t’u dukur njëkohësisht si intelektual elitar dhe politikan. Kjo në vetvete nuk ngërthen asgjë të keqe kur paraqitja i dedikohet galerisë së brendshme, me qëllim të ruajtjes së legjitimitetin politik. Në këtë kuptim, nuk ka asnjë rëndësi niveli intelektual i galerisë, që më siguri të madhe nuk ka kuptuar nëse Karavaxho ka qenë i vetmi aplikues i teknikës së dritëhijes në pikturë, – fundja as vetë kryeministri nuk dukej që e kishte të qartë; gjithashtu, nuk e kanë pasur të qartë anëtarët e galerisë, me shumë siguri, nëse Noli e Konica u takojnë shkrimtarëve të Rilindjes shqiptare. Gjendja del ndryshe, megjithatë, kur ngazëllimi për vetëparaqitje në fytyrën e intelektualit kalon kufijtë nacionalë dhe, për më tepër, rastis që të bëhet në Selanik, me objekt bisede Aristotelin, kuluareve të një tubimi ndërkombëtar; ose, së voni, në Spanjë, me objekt ligjërimi Kantin. Nuk e kemi fjalën për Imanuel Kantin e filozofisë klasike politike, por për Kantin e idesë utopike mbi federatën (e krishterë) evropiane. Imagjinoni, tani, si mund të jetë ndier Spanja, vendi më i krishterë dhe përhapësi më i madh i krishterimit, u mor vesh pas Perandorisë Romake!

Teoria e paqes demokratike: versioni kosovar i përrallës së Kësulëkuqes

Ideja e Kësulëkuqes, në kuptimin më të gjerë të fjalës, portretizon shprehjen letrare të luftës mes së keqes dhe së mirës, e nisur fillimisht nga shkrimtari francez Çarles Perro dhe vëllezërit Grim. Më pas është skenuar, filmuar e ripërpunuar letrarisht pafundësisht. Në mënyrë paradoksale, vetë ideja është franko-gjermane: në versionin francez, Kësulkuqja vritet dhe përralla mbaron, në versionin gjerman, del një pylltar/gjuetar që shpëton atë dhe gjyshen e saj. Këto dy përfundime, vërtetë janë mbresëlënëse dhe diametralisht të ndryshme. Ato zbusin versionin fetar të luftës mes së mirës dhe së keqes në traditën e tri feve abrahamike.

Në versionin letrar të Kësulëkuqes, ky thjeshtëzim i luftës mes së mirës dhe së keqes asnjëherë nuk ka qenë objekt studimi apo mësimi nëpër katedrat e filozofisë perëndimore, aq më pak të jetë predikuar nëpër faltoret e tempujve të cilësdo prej tri feve abrahamike. Në mënyrë të ngjashme me këtë, ata që shkruan për Kantin dekada më vonë, përfshirë teorinë e paqes demokratike, e cila me këtë emër u quajt shekuj më vonë nga Majkël Dojle, jo nga Kanti (sic!), i kanë bërë vërejtje serioze qasjes filozofiko-estetike kantiane, duke e cilësuar si diçka që mëton racionalizimin e doktrinës kristiane me ndihmën e parametrave iluminist. Këto e kemi fjalën për Niçen. Kjo këtu nuk ka rëndësi! Ajo që ka rëndësi është paraqitja e shefit të ekzekutivit kosovar në Spanjë në Internacionalen Socialiste me idetë kantiane mbi paqen demokratike, sipas së cilës demokracitë nuk luftojnë njëra me tjetrën. Në fakt, këtë e tha kryeministri, jo Kanti, i cili kishte folur për regjime republikane si bazë për paqen e përjetshme mes popujve të krishterë të Evropës së asaj kohe. Më vonë, Mjakël Dojle e transpozoi këtë koncept nga forma republikane e shtetit, në formën e regjimit, duke u bazuar në atë çfarë Kant ka dashur të thotë, jo çfarë ka thënë ai. Sidoqoftë, ideja e tij ngeli një utopi dhe në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare hyn në teoritë me më pak ndikim. Kjo jorelevancë e saj, në rend të parë i dedikohet pamundësisë së kuantifikimit të termit demokraci, gjetjes së parametrave matës për definim të saj, por edhe faktit të thjeshtë se natyra e vrazhdë e marrëdhënieve ndërkombëtare përditë ka dëshmuar fuqinë e dobët shpjeguese të saj mbi atë se përse kombet luftojnë. Kjo gjendje kësisoj e bën ligjërimin e Kurtit në Madrid të kotë, duke i dhënë trajtën e përrallës mbi Kësulëkuqen. U mor vesh, krahasuar me qeveritë pararendëse, për Kosovën ky narracion në nivel përralle përbën një epërsi, krahasuar me të tjerët: Kurti së paku shihet në dukje që bën përpjekje për iluminim të vetvetes dhe të tjerëve që bien nën radiusin e narracionit të tij. Por ky fakt ka kuptim vetëm nëse krahasohet me disa prej kryeministrave të tjerë para tij, jo me të gjithë.

Ne dhe aleati ynë: Dhia në Forumin romak

Çdoherë kur mendojmë për atë se si i kemi punët, duhet të kemi parasysh si i kanë punët aleatët tanë. Kjo premisë themelore e sjelljes së shteteve si aktor racional në marrëdhëniet ndërkombëtare, që shikojnë gjërat nga prizma “fitim-humbje”, vlen me ashpërsi edhe më të madhe për Kosovën, për dy arsye. E para, ne nuk jemi si krejt shtetet e tjera të integruara në marrëdhëniet ndërkombëtare. E dyta, në një sistem multipolar të marrëdhënieve ndërkombëtare, ne ndeshemi me armikun tonë, Serbinë, nga pozitat ekzistenciale të luftës për territor, ku ata e shohin Kosovën me terma metafizik, kurse ne me terma fizikë. Cili është pozicioni i aleatëve tanë aktualisht kundrejt këtyre dimensioneve të premisës bazike mbi sjelljen e shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare? Përgjigjja në këtë pyetje kërkon të kuptuarit e plotë dhe siç duhet të luftës në Ukrainë, të shkaktuar nga agresioni brutal rus, por në të njëjtën kohë edhe të konfiguracioneve politike që krijoi agresioni rus. Aktualisht ka disa lëvizje nga Perëndimi për dialog me Rusinë, por asgjë të prekshme, lëvizje nga ku të shihen parametrat e dialogut, por edhe natyra e kompromisit eventual që mund kërkohet në kurriz të Ukrainës.

Shumë luftëra, u mor vesh, zgjasin më gjatë se që pritet dhe besohet fillimisht. Kompromisi dështon të realizohet, bazuar në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare nga Vestfalia (1648) e këndej, për tri arsye kryesor strategjike: e para, liderët mendojnë se humbja në luftë rrezikon ekzistencën e tyre dhe të pushtetit që mbajnë; liderët nuk kanë pasqyrë të qartë për fuqinë e vet dhe të armikeve të tyre; dhe, së fundi, liderët frikësohen se armiku do të fuqizohet dhe do të bëhet edhe më i fuqishëm në të ardhmen. Tri këto arsye janë prezent në marrëdhënien e Rusisë agresore me Ukrainën si viktimë, por edhe të Serbisë me Kosovën, ani se konflikti ynë është i ngrirë për momentin, me pak gjasa të shkrirjes. Gjykuar sipas propozimit aktual franko-gjerman, ndërkaq, ka gjasa të mëdha të realizohet transformimi i tij. Kjo, për faktin se ne jemi duke u kthyer në një konflikt të ngrirë, të rimodeluar në një trajtë tjetër. Përveç këtij dallimi, në rastin e Kosovës bëhet fjalë për një mosmarrëveshje fundamentale mbi një objekt të “padukshëm”, një vend që njëra palë e sheh dhe e gjykon objektin me terma metafizikë (Serbia), kurse tjetra (Kosova) nuk ka asnjë ndjeshmëri ndaj qasjes së palës kundërshtare. Ky faktor e bën mosmarrëveshjen tonë me serbët një konflikt të gjatë dhe vështirë të zgjidhshëm. Për pasojë, transformimi i mosmarrëveshjes nga një trajtë në tjetrën, për njërën palë domosdo paraqet fitore, përkatësisht humbje. I vetmi transformim që nuk përshtatet me dikotominë humbje/fitore është njohja reciproke de jure, diçka që shihet qartë që nuk ka asnjë gjasë të ndodhë.

Kur nisi lufta në Ukrainë, në Kosovë gabimisht u mendua, dhe mendohet akoma që ajo përbën një shans të mirë për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Serbinë, njëherë e mirë. Si argument për këtë, krejtësisht naiv, përdorej rrethana e sentimentit prorus në Serbi, me kuptim që ajo është në anën e Rusisë me çdo kusht. Dy gabime themelore mishërohen në këtë argument: një, se merr si të mirëqenë humbjen ushtarake të Putinit; dhe, dy, bindja se kjo humbje ruse eventuale automatikisht përkthehet në humbje politike për Serbinë dhe, rrjedhimisht, fitore për Kosovën. Kjo i bie që, të tjerët luftojnë dhe ti fiton, diçka që nuk ndodhë në marrëdhëniet ndërkombëtare ! Gjendja rreth Ukrainës dhe marrëdhënia e Perëndimit me Kosovën është duke shkuar në drejtim të kundërt me qëndrimin zyrtar në Kosovë! Së pari, lufta në Ukrainë ka rritur peshën specifike serbe në marrëdhëniet ndërkombëtare: Serbia ngelet i vetmi vend në këtë pjesë të botës që mund të strehoj interesat ruso-kineze në Ballkan. Së dyti, investimet perëndimore në Serbi janë më të larta se ato ruso-kineze, jo vetëm krahasuar me Kosovën, por edhe me të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor marrë së bashku. Së fundi, historia politike e Serbisë tregon që serbët, në të shumtën e kohës, kanë qenë me Evropën, jo kundër saj. Të gjitha këto fakte, plus qasja metafizike serbe ndaj Kosovës, që çdo ditë e më shumë po gjen përkrahje në vendet aleate me Kosovën, e bëjnë të pamundur zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes sonë, përkatësisht lënë në qarkullim vetëm opsionin ku njëra palë është humbëse, e që është Kosova. Nuk është se perëndimorët nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë të qartë orientimin metafizik serb ndaj Kosovës, por tani pas luftës në Ukrainë, beteja kundër Putinit koncentrohet në një qëllim të vetëm – izolimin e tij nga Serbia, diçka që me pak mund kuptohet. Kjo nënkupton, thënë me terma metaforikë, aktualisht dominon versioni francez i përrallës me Kësulëkuqen.

Sa i përket Ukrainës dhe kompromisit të mundshëm atje, si mënyrë për përfundim të luftës, ditëve të fundit janë duke u ravijëzuar konturat e një kompromisi që mbështet në atë që Henri Kisinxher dhe Stiven Ualt e kanë cilësuar si këmbim të një pjese të sovranitetit për paqe dhe tejkalim të barrierave ideologjike ekzistuese. Arsyeja për këtë është se, siç thotë me të drejtë Paul Xhonson, fuqitë e mëdha kanë probleme me tejshtrirje, fakt ky me të cilin po ndeshet aleati ynë kryesor – Amerika. Pse? Sepse beteja për dominim në Indo-Pacifik, me rrezikun potencial që Kina sulmon Tajvanin në rastin e parë që sheh apo percepton të volitshëm, sikur Putin Ukrainën: raporti i forcave po ndryshon në disfavor të saj aleatëve tanë atje. Edhe të tjerët, përveç Henri Kiinxher në vazhdimësi kanë vënë në dukje kufijtë në projektimin permanent dhe të njëkohshëm të forcës amerikane në dy e më shumë hapësira të globit. Kjo nënkupton se diplomacisë duhet lënë më shumë hapësirë: jo vetëm që “Pax Americana” ka marr fund dhe pushteti në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të menaxhohet së bashku me autokracitë e tjera aktuale, që pak kanë të përbashkët me civilizimin perëndimor, por edhe vetë ruajtja e këtij civilizimi mund të vihet në pyetje nëse nuk gjendet një kompromis i shpejtë për Ukrainën. Shkrimtari dhe filozofi politik rus, disidenti i harruar Andrej Amalrik, kur ka shpjeguar rënien e “Pax Romana”, ka treguar se si ajo nuk kishte ndodhur për një ditë, por në mënyrë graduale: kur janë parë dhitë në Forumin romak (qendra e pushtetit në kohën e Romës), sundimi global romak i ka takuar historisë.

Kjo kërkon zhvendosje të vëmendjes dhe paradigmës themelore politike: në jetë, si në politikë, antidota e pashpresës nuk është shpresa por planifikimi, thotë autori i shkrimit “How a Great Power Falls Apart”, botuar në “Foreign Affairs” (30 qershor 2020). Ideja e shkrimit konsiston në shpjegimin e padukshmërisë së rënies graduale të një fuqie të madhe si dhe pasojat që mbart me vete rënia e tillë. Këto pasoja duhet të përllogariten, nga të gjithë, jo të brengosemi nëse Putini është diktator e Vuçiqi argat i diktatorit të fundit serb, Sllobodan Millosheviq: përllogaritja kryhet vetëm përmes veprimeve të planifikuara dhe sistemike, asnjëherë ndryshe.

Ideologjia e të drejtave të njeriut dhe demokracisë

Kjo si më sipër, nuk nënkupton se ukrainasit dhe perëndimorët nuk kanë arsye legjitime strategjike, të parët për të luftuar, kurse të dytët për të ndihmuar të parët me armatim dhe financa. Siç e thotë Franc Fanon në veprën e tij klasike që përshkruan fenomenologjinë e luftës antikoloniale, “Të mallkuarit e botës” (1961), popujt nën sundim kolonial luftuan sepse më nuk mund të merrnin frymë lirshëm. Vlerat dhe parimet, ideologjitë në kuptimin më të gjerë të fjalës, akoma luajnë një rol të madh në luftërat e udhëhequra prej vendeve demokratike perëndimore. Perëndimi rreptë ka ngritur kauzën e të drejtave të njeriut në përmasa globale: për shumë vende është bërë detyrim lufta për respektim dhe mbrojtje të parimeve të caktuara liberale, pa marrë parasysh çmimin. Këto ideale duhen kultivuar dhe demokracitë perëndimore duhet t’i vënë në jetë ato, përkundër që shpesh kanë dështuar në këtë pikë. Megjithatë, nëse kjo tendencë, apo ky synim e bën Perëndimin më pak të prirë për realpolitikë, përkatësisht për kompromise në dëm të lirive dhe të drejtave si dhe të parimeve të tjera liberale me qëllim të arritjes së paqes, që nënkupton marrëveshje me autokratët, luftërat si kjo në Ukrainë mund të bëhen më të shpeshta. Edhe në rastin më të mirë të mundjes ushtarake të Putinit, historia na mëson se autokratët kanë mbijetuar edhe pas dështimeve ushtarake të mëdha: të kujtojmë Stalinin në Finlandë (1939-1941), Gamal Abdel Naserin e Egjiptit dhe disfatën e tij më 1967 në luftën gjashtëditëshe kundër Izraelit, Sadam Hysenin në vitin 1991 (që mbijetoj deri në vitin 2003), Omar al Bashirin e Sudanit, desifata e të cilit që çoi në pavarësimin e Sudanit Jugor dhe kështu me radhë. Gjasat për mbijetesë rriten kur shihet qartë që nuk ka një alternativë për autokratin, që pret nga brenda për të marrë pushtetin me dhunë (ose në mënyrë paqësore). Përveç kësaj, dështimet ushtarake shumë më lehtë tejkalohen kur u referohen luftërave jashtë vendit, siç është rasti me agresionin rus në Ukrainë, ku nuk përfshihen drejtpërdrejt shumica e rusëve.

(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci