Majlinda Kelmendi do të mbetet në sportin e xhudos. Xhudistja historike e Kosovës, e cila njoftoi përfundimin e karrierës pas Olimpiadës së Tokios, ka vendosur të bëhet trajnere. Vendimit të saj i ka kushtuar një artikull Pedro Lausen, drejtori për media i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos. Artikullin e plotë, të përkthyer në shqip, e sjell mediumi Paparaci.com.
Ajo largohet ashtu siç erdhi, pa bujë, pa zhurmë, vetëm përmes një njoftimi të shkurtër shtypi. Ajo largohet, por jo dhe aq larg, sikurse një koleg që ndryshon pozitë, por mbetet në të njëjtën kompani. Xhudo ka qenë gjithë jeta e saj, për të mirë e për të keq. E keqja është humbja dhe e mira është grumbullimi i titujve, lavdia dhe fakti që ajo mbetet gjithmonë. Ishtë një ngushëllim, veçanërisht për të tjerët, sepse është e vështirë të imagjinohet një tatami pa Majlinda Kelmendin.
Do ketë kohë që ajo të sqarojë nëse kishte marrë vendimin para apo pas Lojërave Olimpike të Tokios. Në fakt, koha duhet të flas për të përmbledhur udhëtimin monumental të saj sepse është kjo pikërisht Majlinda Kelmendi. Asaj i bënë një statujë para se të mbushte të tridhjetat, sepse është më shumë sesa simbol i Kosovës. Majlinda Kelmendi është Kosova.
Është një nga xhudistet e pakta që i ka fituar të gjitha. Sidoqoftë, jo të gjitha kanë qenë nismëtare si ajo. Karriera dhe medaljet e saj u rritën ashtu siç rritet një shtet i ri, sikur fati i Kosovës të varej nga fitoret e Kelmendit. Ishtë më shumë se një pasaportë dhe një flamur i parakaluar në të gjithë botën. Majlinda Kelmendi është sikurse ai gjenerali që hyn në tatami me një shtet të tërë pas vetes.
Ajo është mrekullia e trajnerit Driton Kuka dhe një burim frymëzimi për çdo grua në vendin e vet. Ajo është një shembull. Suksesi i ekipit kosovar është trashëgimi e Majlindës, sepse pa të historia nuk do të ishte e njëjtë.
Tani ajo lë një zbrastësirë dhe bash këtu realiteti përplaset me nostalgjinë. Është e vërtetë që Kosova pa Majlindën ndryshon, megjithatë as e tashmja dhe e ardhmja e ekipit nuk krijojnë shqetësim sepse Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova janë në krye të botës. Nostalgji? Ndoshta sepse Majlinda ka sunduar për një kohë të gjatë, lufta e të voglit kundër të madhit, sikurse tek rrëfimi për Davidin e Goliatin.
Mbetet për t’u parë se si do të ambientohet me jetën e re, nëse do t’i ndryshojë zakonet apo çfarë gjurme do të lë në xhudon e Kosovës në të ardhmen. Të garosh dhe të stërvitësh janë dy gjëra të ndryshme me njëra-tjetrën, por duke ditur se Majlinda do të jetë sërish afër, në karrigen e trajneres apo në tribuna, është pa dyshim ngushëlluese për bashkatdhetarët e saj ashtu edhe për ne.