Të fundit

Kosova shpërblehet me 100 milionë euro grante nga BE-ja dhe Gjermania

Republika e Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nënshkruan sot marrëveshje financimi në vlerë prej mbi 100 milionë euro për zbatimin e projekteve për Trajtimin e Ujërave të Zeza dhe Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta me KfW-në dhe BE-në.

Sipas Qeverisë, të dy projektet do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve mjedisore të BE-së, me qëllim të zgjidhjes së problemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza me të cilat ballafaqohet Kosova.

“Projekti i trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës do të përfshijë ndërtimin e linjave të ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe sistemit të ndarjes së ujërave të stuhive”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Tutje u tha se projekti në fjalë do të plotësojë ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza që është financuar nga Qeveria Franceze, me ç’rast paraqesin investimin më të madh që është bërë në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë.

Për realizimin e këtij projekti, Qeveria Gjermane përmes KfW-së do të sigurojë në total 42 milionë euro, ndërsa BE-ja do të sigurojë rreth 20 milionë euro. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Fushë Kosovës do të kontribuojnë me 9 dhe 2 milionë euro respektivisht.

Projekti për menaxhimin e mbeturinave të ngurta do të zbatohet në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe Pejës dhe do të përfshijë ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta.

Për këtë projekt, Qeveria Gjermane do të sigurojë 20 milionë euro, ndërsa BE-ja 23 milionë euro përmes fondeve IPA. Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 8 milionë euro dhe komuna e Pejës me 3 milionë, duke e bërë kontributin e përgjithshëm kombëtar 11 milionë euro.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori gjerman në Kosovë z. Rohde, u shpreh se “Këto projekte pasqyrojnë edhe më tej përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, me theks të veçantë në ruajtjen e burimeve ujore dhe ruajtjen e mjedisit”.

Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, z. Staebek Madsen, tha se “Përmes këtyre marrëveshjeve BE-ja së bashku me shtetet e saj anëtare, ka demonstruar edhe një herë përkushtimin e saj për të ndihmuar Kosovën të ndërtojë një ekonomi moderne dhe me resurse efikase”.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe BE-në si partnerë kyç në avancimin e agjendës zhvillimore të Kosovës.

Ai tha se “Marrëveshjet e nënshkruara sot mundësojnë dy projekte shumë të rëndësishme, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës së qytetarëve të Kosovës duke avancuar vendin tonë drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm. Agjenda e gjelbër mbetet prioritet i qeverisë sonë, trajtimi i ujërave të zeza dhe mbeturinat e ngurta janë fusha të rëndësishme që kërkojnë investime të konsiderueshme”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se “Projektet që po nënshrkuajmë sot në fushën e ujërave dhe menaxhimit të mbeturinave jo vetëm që i kontribuojnë ruajtjes së ambientit, por edhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës”.

Ndërkaq, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Ali tha se “Kosova është partner proaktiv dhe konstruktiv, dhe ky bashkëpunim i bazuar në vlerat e BE-së, do të mundësojnë përparimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të kemi tranzicionin e duhur drejt ekonomisë së gjelbër dhe energjisë së ripërtëritshme”.

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci