Braziliani legjendar Ronaldo, dikur futbollisti më i mirë në botë, beson se Argjentina nuk është favorite ndaj Kroacisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në Katar, edhe pse shumë ekspertë të futbollit pohojnë të kundërtën.
Ronaldo ndoqi drejtpërdrejt çerekfinalet e Kupës së Botës dhe e pa me sytë e tij eliminimin e Brazilit nga Kupa e Botës.
“Unë do të përgjigjem sinqerisht. Nuk mund të them se Argjentina do të fitojë sigurisht ndaj Kroacisë, do të gënjeja po ta thosha këtë”, tha Ronaldo duke iu referuar duelit Kroacia-Argjentina në gjysmëfinale.
Ai foli edhe edhe për Modriçin.
“Mënyra se si ai lëviz dhe luan është mbresëlënëse. Ai është i madh”, tha Ronaldo.
Fenomeni komentoi edhe Argjentinën.
“Të gjithë e meritojnë Kupën e Botës, por ajo duhet fituar. Argjentina nuk po luan shumë mirë, por ka shumë dëshirë, vrapon shumë dhe jep gjithçka në lojë”, tha ai.
Ndërkaq, sa i përket Brazilit, fenomeni tha se dëshiron ta shohë një emër të madh si “Mourinho, Guardiola apo Ancelotti” në drejtim të kombëtares braziliane.
