Këshilli për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës në Sport ka rekomanduar që t’ia ndalojë pjesëmarrjen grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit.
Kjo do të realizohet deri në një njoftim tjetër, tha ministria e Kulturës.
I njëjti rekomandim vjen pasi mbrëmë gjatë ndeshjes në Supërkupën e Kosovës në Basketboll ndërmjet KB Prishtina dhe KB Trepça, pati incidente në sallë në mes të tifozëve të të dyja skuadrave. Aty u lënduan katër zyrtarë policorë.
Rrjedhimisht, Policia e Kosovës u detyrua ta zbrazë sallën.
Sipas këtij dikasteri, anëtarët e Këshillit i kanë trajtuar me seriozitet dhe urgjencë incidentet e shkaktuara në ndeshjen e basketbollit të Superkupës së Kosovës në mes KB Prishtina dhe KB Trepça.“
Të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, të cilat organizohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës, deri në një njoftim tjetër”, vijon vendimi i Këshillit.
Mes tjerash u tha se ky Këshill ka kërkuar nga MKRS-ja që të përfshijë në planifikimin buxhetor për vitin 2023 vendosjen e kamerave të sigurisë në të gjitha plestrat sportive, si dhe në stadiumet e futbollit.
I njëjti Këshill deklaroi se shpreh indinjatën e thellë dhe i dënon incidentet e shkaktuara nga pjesëtarët e grupeve të tifozëve si ‘Plisat’, ‘Torcida’, ‘Arpagjikët’ dhe ‘Shqiponjat’.
Nga ana tjetër, ka kërkuar nga organet ligj-zbatuese që të ndërmarrin urgjentisht veprime ligjore për identifikimin e personave që kanë kryer vepra të kundërligjshme.
“Njëkohësisht, Këshilli për Sport e dënon ashpër sulmin e shkaktuar nga huliganët ndaj katër zyrtarëve të Policisë së Kosovë, të cilët pësuan lëndime trupore gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, si edhe ndaj qytetarëve që po ashtu u lënduan nga personat e papërgjegjshëm, dhe të gjithëve iu uron shërim të shpejtë”, thuhet në njoftim.
