Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se do ta mbështesë Marokun në Kupën e Botës, vetëm për shkak se ata nuk e kanë njohur Kosovën.
Maroku do të luaj të shtunën me Kroacinë për vendin e tretë në Kupën e Botës, teksa Vuçiq është pyetur se kë do ta mbështesë në këtë ndeshje.
“Nuk e di kë do të mbështes në finale, por e di kë do të mbështes në ndeshjen për vendin e tretë. Për Marokun! Këta janë vëllezërit tanë të vërtetë që nuk do ta njohin kurrë Kosovën e pavarur. Ata e kanë problem me Saharën perëndimore. Tani do të më thoni se i gjithë Novi Pazari e mbështet Marokun, dhe unë duhet të them që nuk do t’i mbështes sepse janë myslimanë? Epo, ata janë vëllezërit tanë, miqtë”, tha Vuçiq
Ai gjithashtu ka treguar se nuk e ka përkrahur Kroacinë as në gjysmëfinale.
“Unë i respektoj të gjithë. Shkoni në Kroaci në det, unë nuk dua të bëj brohoritje për Kroacinë. Ju përgëzoj për suksesin tuaj të jashtëzakonshëm. Bëra tifo edhe për Argjentinën në gjysmëfinale, edhe për të gjithë të tjerët. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen dhe askush nuk do të më ndalojë dhe do të flas gjithmonë lirshëm”, përfundoi Vuçiq.
Kroacia dhe Maroku tashmë kanë luajtur në Katar, duke hapur garën në Grupin F, ndeshja e cila është mbyllur me barazim.
