Të fundit

Çka me këqyr’ sivjet për vit të ri?

Shkruan: Ardit Dragusha

Pas përgatitjes së mishit dhe sallatës ruse dhe pas fotografisë me familjarët që mezi përthekohen (dikush mbi kauç e dikush në tepih) në kuadrin e kamerës, bëhet pyetja se çka me këqyr’ në natën e vitit të ri?

Përgjigjet që jepen në këtë pyetje para orës 12-të, megjithatë nuk kanë shumë rëndësi, me kanalet lokale të cilat ndërrohen në vazhdimësi. Gjatë pjesës më të madhe të natës, zhurma e televizionit mbetet dhe mbytet në sfondin e muhabetit të tavolinës kryesore, që domosdo ka edhe ankesa për kanalet televizive që “kurgjo nuk po qesin interesant për vit të ri”. Këto ankesa kanë meritat e tyre. Në qoftë se një kanal do të transmetonte sivjet, të themi programin festiv të vitit 2017, shumë pak njerëz do ta merrnin vesh.

Pasi kryhen urimet për vitin e ri dhe pasi qetësohet atmosfera nga zhurma e fishekzjarrëve, pyetja se çka me këqyr’ shtrohet përsëri. Por këtë herë nuk është fjala më për programet simotra televizive, por për filmin që do ta mbyll natën më të gjatët të vitit.

Si fëmijë, natën e vitit të ri e kam pritur gjithmonë me dëshirë të madhe. Jo për dhuratat të cilat në familjen time nuk ishin zakon, as për fishekzjarrët të cilët nuk më bëni shumë përshtypje, por për filma që shfaqeshin pas ndërrimit të moteve. Kjo ishte nata e vetme kur mund të rrija sa doja duke shikuar filma.

Për pjesën më të madhe të fëmijërisë nuk kishim rrjet kabllor dhe as internet. Opsione ishin vetëm kanalet tokësore: RTK, KTV dhe RTV21.

KTV me një frymë avangardë, transmetonte drama që nuk më tërhiqnin, ndërkohë edhe si fëmijë, e ndjeja se i kisha tejkaluar filmat e RTV 21 me titra të verdhë. Në këtë situatë, opsioni më e mirë për filma mbetej televizioni kombëtar. E mbaj mend një vit që e kisha lexuar se RTK do të transmetonte premier filmin War of the Worlds (me regji të Steven Spielberg) në natën e vitit të ri. Filmi kishte kohë që ishte shfaqur në kinematë botërore dhe nuk isha shumë i sigurt se çfarë i binte fjala “premier”, por mezi e prisja. Nuk mund t’i bëja behane Tom Cruise, i cili hiqte të zitë e ullirit duke u mundua ta shpëtonte familjen e tij nga alienët që kishin pushtuar botën. Film tjetër që mbaj mend ta kem shikuar (disa vite radhazi) në natën e vitit të ri është Mr. & Mrs. Smith, film ky me regji të Doug Liman që i dha botës Brangelinën.

Imazh i marrë nga filmi War of The Worlds

Këto gajle nuk janë më në vitin 2022. Pjesa më e madhe e vendit ka rrjet kabllor në shtëpi, ndërkohë interneti na jep mundësi pa limit për të zgjedhur se çka me këqyr’ për natën e vitit të ri. Por, çka me këqyr’ për vit të ri?

Më poshtë gjeni pesë filma që ju rekomandoj për këtë natë:

Die Hard – me regji të John McTiernan dhe skenar të Jeb Stuart & Steven de Souza, ky film aksion i vitit 1988 është zgjidhja më e mirë për ta shikuar gjatë festave të fund vitit. Një polic i New York-ut (Bruce Willis), përpiqet ta shpëtojë gruan e tij nga terroristët gjermanë, që udhëheqën nga lideri karizmatik Hans Gruber (i luajtur në mënyrë mjeshtërore nga aktori tashmë i ndjerë, Alan Rickman) në hotelin Nakatomi Plaza në LA. Ndonëse ka mbi 30 vjet nga premiera, Die Hard mbetet një film klasik i sezonit të festave që mban audiencën në ethe, duke shtrënguar dhëmbët së bashku me heroin herkulian deri në fund. Trivia: Skena ku takohen dy personazhet kryesore, nuk ishte pjesë e provave me qëllim që të krijonte një ndjenjë më të madhe spontaniteti mes dy aktorëve.

Love Actually – me regji dhe skenar nga Richard Curtis, kjo dramë romatike e vitit 2003 përcjell jetën e tetë çifteve krejt të ndryshme nga njëri tjetri, që prekën në një mënyrë të çuditshme në javët e fundit para krishtlindjeve në Londër. Vështirë që gjendet një dramë romantike me një trup të aktorëve kaq të mëdhenj (Hugh Grant, Liam Nesson, Colin Firth, Keira Knightley, Laura Linney, Alan Rickmann) të cilët nuk ja zënë frymën njëri-tjetrit. Trivia: Pamjet e përshëndetjeve në aeroportin Heathrow, të cilat shfaqen në fillim dhe fund të filmit janë të vërteta. Regjisori Richard Curtis kishte angazhuar një ekip të kameramanëve që sa herë filmonin diçka që i përshtatej filmit, u kërkonin leje personave real që pamjet t’i përdornin në film.

Wild Tales (origjinal: Relatos salvajes) – filmi i vetëm i listës i cili nuk është në anglisht, Wild Tales është antologji e gjashtë ngjarjeve të cilat nuk lidhen njëra me tjetrën, por të cilat shfaqin momentet e “thyrjes” që njerëzit kanë kur janë në situata stresuese. Kjo komedi e zezë, me regji të Damián Szifron nga Argjentina, nxjerrë në mënyrë absurde reagimet e njerëzve kur nuk munden, për shkak të rrethanave që nuk janë në dorën e tyre të durojnë më. I inspiruar stilistikisht nga Pedro Almodóvar dhe Luis Buñuel, Wild Tales është filmi i shtatë nga Argjentina që është nominuar për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”, dhe i treti radhazi me aktorin Ricardo Darin në rolin kryesor (pas Son of the Bride dhe The Secret in their Eyes). Trivia:  Secila ngjarje bëhet gjithnjë e më e gjatë se ajo e mëparshmja.

Knives Out – është film mister me regji të Rian Johnson, që personazh kryesor ka detektivin “më të mirë në botë”, Benoit Blanc (i cili luhet nga Daniel Craig, që së fundmi i dha fund karakterit të James Bondit). Ky “whodunit”, synon të jap përgjigje se kush e vrau novelistin e famshëm të romaneve detektive, Harlan Thrombey (Christopher Plummer), i cili gjendet i vdekur në shtëpinë e tij pas ditëlindjes së 85-të. Të dyshuar janë të gjithë anëtarët e familjes disfunksionale, që përfitojnë nga vdekja e tij. Pas suksesit të filmit të parë, Netflix pagoi 469 milionë dollarë për dy filma të tjerë me detektivin Benoit Blanc. Filmi i dytë, Glass Onion: A Knives Out Mystery (që nuk e arrin të parin për nga kualiteti) tashmë gjendet në këtë platformë. Trivia: Aktroja K Callen, që luan rolin e nënës së Harlan Thrombey, është gjashtë vite më e re se Christopher Plummer.

Kiss Kiss Bang Bang – është po ashtu mister neo noir (i vitit 2005), me regji dhe skenar të Shane Black. I bazuar në romanin e Brett Halliday, Bodies Are Where You Find Them (1941), ky film shfaq një hajn të New York-ut, Harold “Harry” Lockhart (i luajtur nga Robert Downey Jr.), i cili ngatërrohet gabimisht për aktor dhe dërgohet në Hollywood për një rol potencial në një film. Pasi takohet me një detektiv që supozohet ta ndihmojë për rolin e tij, “Harry” e gjen vetën në mes të një hetimi për vrasje. Trivia: Ky është filmi i preferuar i veti i Robert Downey Jr. i cili njihet më së shumti për rolin e tij si Ironman.

Rekomandime tjera në qoftë se i keni parë këta filma: Little Women (2019), The Apartment (1960), Three Days of the Condor (1975), Eyes Wide Shut (1999), L.A Confidential (1997).

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci