Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po hyn në një fazë edhe më të rrezikshme. Uashingtoni ka goditur objektiva të reja ushtarake iraniane për natën e 12-të radhazi, ndërsa tensionet janë zgjeruar në Detin e Kuq, Gjirin Persik dhe Kuvajt, duke shtyrë edhe çmimin e naftës në nivelet më të larta të javëve të fundit.
Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijon të përshkallëzohet në disa fronte njëkohësisht. Forcat amerikane kanë ndërmarrë sulme ndaj objektivave ushtarake iraniane për natën e 12-të radhazi, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së. Sipas mediave shtetërore iraniane, qytetet Ramshir dhe Ahvaz, në jugperëndim të vendit, si edhe provinca bregdetare Bushehr, u goditën nga raketa amerikane. Ndërkohë, një cisternë nafte e një kompanie saudite u godit në Detin e Kuq.
Sulmi vjen pasi rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, morën përgjegjësinë për goditje ndaj anijeve në këtë korridor strategjik dhe paralajmëruan bllokadë të porteve saudite në Detin e Kuq. Në Kuvajt, ushtria njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë ndërhyrë për të rrëzuar dronë armiqësorë, pas disa ditësh sulmesh iraniane ndaj vendit.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, paralajmëroi se çdo sulm ndaj infrastrukturës iraniane do të marrë një përgjigje të barabartë. Presidenti amerikan Donald Trump reagoi me një tjetër kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Teheranit, duke deklaruar se SHBA-ja do të shkatërrojë një urë ose një central elektrik iranian për çdo sulm ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Tensionet kanë ndikuar menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës Brent u ngjit përkohësisht mbi 95 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në gati gjashtë javë, ndërsa nafta amerikane u rrit me afro 3 për qind.
Ndërkohë, Dhoma Ndërkombëtare e Transportit Detar konfirmoi se rebelët Huthi kanë nisur të transmetojnë paralajmërime me radio për anijet që lundrojnë në rajon, pas shpalljes së bllokadës detare ndaj Arabisë Saudite.
