Të fundit

Evropa kërcënon Kosovën për devijimet e energjisë elektrike: “Mund të përjashtoheni nga rrjeti”

Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE) ia ka tërhequr vërejtjen me tone goxha të ashpra KOSTT-it për ndërprerjen e menjëhershme të devijimeve energjetike ndaj rrjetit interkonektiv evropian, raporton Paparaci.

Besfort Veseli

Pikërisht për shkak të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike, Qeveria e Kosovës më 30 dhjetor të vitit që lamë pas, ndau 17.5 milionë euro për KOSTT-in.

Paparaci ka siguruar letrën e dërguar nga Albino Marques prej RGCE-së më 13 dhjetor të vitit të kaluar, në adresë të kryeshefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri. Përmban elemente kërcënuese dhe akuza të rënda publike për vjedhje të rrymës ndaj ndërmarrjes publike.

Më 16 dhjetor, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte bërë të ditur se KOSTT-i ka kërkuar buxhet për mbulimin e energjisë së shpenzuar dhe jo të paguar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ndërkohë, nga KOSTT-i para disa javësh treguan se humbjet nga mospagesa e rrymës në veri aktualisht janë rreth 11 milionë euro.

Megjithatë, në letër përmenden disbalancat për muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2022.

Kjo ka çuar në një divijim energjetik, për të cilin Marques edhe ia ka ilustruar figurativisht Zeqirit.

Sjellja e KOSTT-it është parë si e papranueshme në këto ‘kohë normale’ sipas evropianëve, pasi theksohet se vë në rrezik gjithë sistemin evropian, sidomos në stinën e dimrit.

Për më tepër, KOSTT-i turpërohet nga Grupi Regjional i Evropës Kontinentale që funksion si ent i Qendrës Koordinuese për Evropën Kontinentale (ENTSO).

Aty, thuhet se kompania ukrainase ‘Ukrenergo’ ndonëse po sulmohet nga granatat ruse, po e menaxhon balancën e saj më mirë se KOSTT.

“Që nga 21 shtatori 2022, KOSTT është pothuajse përgjithmonë në çekuilibër. Niveli mesatar i disbalancave për nëntor dhe dhjetor 2022 ishte përgjithësisht rreth –38 MW, gjë që çoi gjithashtu në një devijim siç ilustrohet në figurën më poshtë”.

“Siç u theksua në takimet tona të shumta, si dhe në disa letra formale drejtuar juve, e fundit e datës 27 shtator 2022, ky lloj i disbalancës konstante i krijuar nga KOSTT-i po vendos gjithë sistemin energjetik të Evropës Kontinentale në një situatë të stresuar duke pasur parasysh sfidat që jemi duke u përballur aktualisht për shkak të motit të ftohtë dhe sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës së energjisë ukrainase”, thuhet në letër.

“Stabiliteti i sistemit mund të rrezikohet dhe kjo është e papranueshme. Është e dukshme se madje Ukrenergo, e cila e tejkalon shumë përmasat e sistemit KOSTT dhe është nën granatimet e vazhdueshme nga raketat ruse, ende po e menaxhon balancën e saj më mirë se KOSTT-“, vijon letra zhgënjyese dhe shqetësuese e zyrtarëve ndërkombëtarë karshi KOSTT-it.

KOSTT-i mes tjerash kritikohet që ka dështuar që ta zbatojë edhe Marrëveshjen për Kyçje. Rrezikon largimin nga rrjeti evropian.

“Dështimi për ta bërë këtë, si dhe përdorimi i qëllimshëm i mekanizmit të zhvilluar për zgjidhjen e shkëmbimet e paqëllimshme të energjisë, është një shkelje e qëllimshme e Marrëveshjes së Kyçjes”.

Rrjedhimisht, thuhet se “Marrëveshja për Kyçje me KOSTT-in është vazhduar në fillim të këtij viti me mirëkuptimin se KOSTT-i do t’i përmbahet të gjitha pikave,, e veçanërisht ato që kanë të bëjnë me bilancin e sistemit”.

Në letër potencohet se shkeljet e vazhdueshme dhe të qëllimshme prej anës së KOSTT-it janë “arsye për përfundimin e menjëhershëm të Marrëveshjes për Kyçje”.

Më 30 qershor, 2020, kryeshefi i atëhershëm Ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, Ilir Shala pati njoftuar se kishte firmosur marrëveshjen e kyçjes së KOSTT-it në Rrjetin Europian të Sistemit të Transmisionit  (ENTSO-E).

Ai thoshte se me këtë marrëveshje, KOSTT-i pavarësohet nga operimi brenda Zonës Rregulluese serbe EMS dhe nga Blloku Rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut dhe operon si Zonë e Pavarur Rregulluese, brenda Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri.

Megjithatë, në letrën e RGCE-s theksohet se në rast të shkeljes së qëllimshme të obligimeve të Marrëveshjes për Kyçje nga KOSTT, kufizimi i kapakut të përgjegjësisë prej pesë milionë euro nuk zbatohet.

Kësisoj, RGCE ka kërkuar nga KOSTT-i që “menjëherë të rivendosë ekuilibrin nga të gjithë duke përfshirë derdhjen e ngarkesave, nëse është e nevojshme, për të përmbushur detyrimin e tij ndaj Evropës Kontinentale OST”.

“Për më tepër, po kërkoj nga KOSTT-i që të parandalojë disbalancat e ardhshme dhe të sigurojë që kjo është e mjaftueshme që të marrë masa për të siguruar ekuilibrin e sistemit pa e sforcuar sistemin e Evropës Kontinentale në këto rrethana sfiduese”, thuhet në letrën e Marques drejtuar Zeqirit.

“Më së shumti jam i shqetësuar për gjetjet e aranzhimeve aktuale që KOSTT-i duhet t’i ndjekë e të zbatojë çdo masë të nevojshme për të garantuar sigurinë e furnizimit dhe balancës së sistemit, përkatësisht të marrjes së miratimit institucional për aplikimin e reduktimit të ngarkesës”.

Madje, RGCE-ja ka kërkuar urgjentisht nga KOSTT-i që brenda 30 ditëve  t’i përmbushë detyrimet e saj në drejtim të balancimit dhe rivendosjes së menjëhershme të ekuilibrit të kontrollit të zonës së saj.

I kërkohet përcaktimi i rregullave konkrete për aplikimin e reduktimit të ngarkesës, duke përfshirë harmonizimin me të gjitha institucionet përkatëse në Kosovë.

Krejt në fund, Marques thotë se shpreson që përpjekjet e KOSTT-it të japin rezultatet e saj brenda afatit të caktuar.

“Unë propozoj që ta diskutoni këtë çështje në një takim me autoritetin tuaj kompetent, KE-në, Sekretariatin e ENTSOE dhe mbajtësin e PG KOSTT”, përfundon letra e Marquesit.

Në gusht të 2022-s, Qeveria Kurti ndau 40 milionë euro si pjesë e parë e subvencionit prej 90 milionë euro për energjinë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanollli, pati thënë se shuma prej 40 milionë euro do të përmbush obligimet e KOSTT-it deri në nëntor të vitit 2022, e më pas pagesa e rrymës të bëhej nga vetë qytetarët siç parashihej me udhërrëfyesin për energjinë.

Por, kjo nuk ndodhi. Sidoqoftë, Kosova dhe Serbia më 21 qershor u dakorduan për zbatimin për marrëveshjen e energjisë të vitit 2013.

Pavarësisht këtij dakordimi, faturimi i konsumatorëve në veri ende nuk ka filluar, pasi nuk janë zbatuar shumë nga pikat e këtij udhërrëfyesi./Paparaci.com

Video nga Paradoks

Çka ka Mërgimi kundër LGBT? Sami Lushtaku tregon rastin, befason me qëndrimin e tij për martesat mes sek*sit të njejtë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci