Të fundit

Opinioni i Avokatit të Popullit – para dy vitesh kishte paralajmëruar “tronditje” të skenës politike

Një opinion i Avokatit të Popullit (AP), i korrikut të vitit 2021, vlerësonte se votimet në disa vendvotime në tri komuna të Kosovës, të cilat ua mundësuan zgjedhjen dy deputetëve të minoriteteve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, mund të anulohen sipas praktikave të kaluara të vendimeve të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme. Opinioni paralajmëronte shqyrtimin e pretendimeve të ngritura nga dy kandidatë për deputetë, e të cilat nuk ishin marrë parasysh nga Gjykata Supreme. Megjithatë, këto çështje janë duke u vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese. 

Mandatet e dy deputetëve të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, janë bazë e një vlerësimi që po vazhdon në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo çështje u bë e rëndësishme së fundmi pas raportimeve në media se aktgjykimi i Kushtetueses pritet të publikohet së shpejti dhe në favor të dy ankuesve, ish-kandidatëve për deputetë: Veton Berisha e Albert Kinolli.

Dy deputetët, zgjedhja e të cilëve është kontestuar në Kushtetuese, kishin qenë prezentë në seancën e votimit të presidentes Vjosa Osmani, duke ia bërë kuorumin procesit të votimit.

Lidhur me këtë, është raportuar së fundmi në media se nëse konstatohet se ka pasur orkestrim të votave me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, atëherë presidentja e vendit rrëzohet dhe pas kësaj skenari mund të zhvillohet në dy drejtime: Të zgjidhet një president i ri, ose vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Në vendimin e Avokatit të Popullit ishin vlerësuar dhe shqyrtuar vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe të Gjykatës Supreme lidhur me pretendimet e Berishës dhe Kinollit e poashtu kishte theksuar rëndësine e një vlerësimi nga Gjykata Kushtetuese, ku është dërguar kjo lëndë në prill të vitit 2021.

Çfarë thuhet në vlerësimin e Avokatit të Popullit?

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e kishte pranuar pjesërisht ankesën e deputetëve Kinolli dhe Berisha, ndërsa Gjykat Supreme kishte hedhur poshtë krejtësisht si të pabazuar, ankesën e subjektit politik Romani Iniciativa, ankesën e subjekteve politike Partia Liberale Egjiptiane dhe Partia e Ashkalive për Integrim dhe ankesa e subjektit politik Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, të paraqitura kundër vendimit të PZAP A.nr. 736/2021, të datës 7 mars 2021, dhe ankesa e subjektit politik Romani Iniciativa, e paraqitur kundër vendimit plotësues të PZAP A.nr. 736/2021, i datës 10 mars 2021.

Lidhur me këtë çështje, në vlerësimin e Avokatit të Popullit që e ka parë Paparaci.com thuhet se Avokati i Popullit ka vërejtur se: “PZAP dhe GjS kanë qëndrim unik se për t’u konsideruar votimi i vlefshëm duhet të ekzistojë lidhja objektive në mes të votuesit dhe subjektit të votuar që ndërlidhen me të drejtën e votës dhe lirinë e votimit në rastin e vendeve të rezervuara.”

Avokati i Popullit gjithashtu ka thënë se ka pranuar informata nga ankuesit se PZAP dhe GjS nuk kishin marrë parasysh argumentet e paraqitura nga ankuesit për numrin e votave që Romani Iniciativa ka mrrë në tri komunat që janë objekt i ankesës, ndërsa ato janë argumente krejtësisht të njëjta me rastet e tjera për të cilat PZAP dhe GjS kanë anuluar votimet në disa vendvotime.

“Sipas informatave të ofruara nga ankuesit, kuptohet që PZAP dhe GjS nuk kanë marrë parasysh argumentet e paraqitura nga ankuesit për numrin e votave që Romani Iniciativa ka marrë në tri komunat, që janë objekt i ankesës në raport me numrin e popullsisë rome në komunën e Graqanicës, Kamenicës dhe Mitrovicë e Veriut, e që janë argumente krejtësisht të njëjta me rastet e tjera për të cilat PZAP dhe GjS kanë anuluar votimet në disa vendvotime.” thotë vlerësimi i Avokatit të Popullit.

“Në këtë drejtim, Avokati i Popullit është informuar nga ankuesit se në tri komunat e theksuara më sipër numri i votave dhe i votuesve është si në vijim: • Komuna e Graçanicës, 745 numri i popullsisë rome, 1773 numri i votave, • Komuna e Kamenicës, 243 numri i popullsisë rome, 283 numri i votave, • Komuna e Mitrovicës së Veriut, 40 numri i popullsisë rome, 198 numri i votave”, thuhet në këtë vlerësim.

Duke u thirrur në parimet e Kushtetutës së Kosovës, Avokati i Popullit ka nxjerrë vlerësime se autoriteti i shtetit duhet të sigurojë realizimin e të drejtave zgjedhore dhe të pjesëmarrjes për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe komunitetet.

Gjithashtu, avokati i Popullit ka theksuar se organet vendimmarrëse duhet të nxjerrin vendime të njëjta për raste të njëjta dhe në këtë mënyrë garantohet realizimi i të drejtave zgjedhore, të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare.

Duke vërejtur atë që u tha më lartë, avokati i Popullit kishte rekomanduar se vlerësimi i kësaj çështje nga Gjykata Kushtetuese është i rëndësishëm.

“Në rastin e ankuesve, Avokati i Popullit vëren se PZAP dhe GjS kanë përdorur argumentet e paraqitura nga ankuesit, dhe në bazë të tyre kanë nxjerrë vendimet sipas të cilave disa janë aprovuar pjesërisht, ndërsa disa të tjera janë refuzuar. Lidhur me këtë çështje, Avokati i Popullit ka vërejtur se në të gjitha rastet e ankimuara nga ankuesit, argumentet kanë qenë të njëjta (mospërputhje në mes të numrit të votuesve dhe votave të fituara nga subjektet politike). Prandaj, Avokati i Popullit e konsideron të rëndësishëm vlerësimin e kësaj çështje nga Gjykata Kushtetuese.”, thotë vlerësimi i Avokatit të Popullit.

Vlerësimi i Kushtetueses në këtë rast do të ishte i rëndësishëm sipas Avokatit të Popullit në mënyrë që të konstatohet nëse në rastin e dy ankuesve janë cenuar ose jo të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.

“Nga e gjithë kjo që u theksua më sipër, Avokati i Popullit vlerëson se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të jenë garantues për organizimin e procesit zgjedhor, duke promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Kjo garanci shprehet në organizimin, mbarëvajtjen por edhe me vendimet lidhur me procesin zgjedhor në Republikën e Kosovës.”, thuhet në vlerësim.

Në përfundim të vlerësimit, Avokati i Popullit ka konsideruar se “institucionet e Republikës së Kosovës duhet të jenë përgjegjëse dhe garantues për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në tërësi, duke respektuar plotësisht dhe pa dallim përcaktimet kushtetuese lidhur me të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.”

Si rrodhi procesi?

Më 5 mars të vitit 2021, dy deputetë, Veton Berisha e Albert Kinolli ishin ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se ka pasur orkestrim të votave nga Lista Serbe në disa vendvotime ku votuesit janë udhëzuar të votojnë njerëz të Listës Serbe brenda listave të partive tjera të minoriteteve.

Më 7 mars, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte pranuar pjesërisht ankesën e Kinollit dhe Berishës, ndërsa rasti i apeluar në Gjykatën Supreme, u hodh poshtë krejtësisht si i pabazuar, pra dy vendime të ndryshme, gjë e cila është vërejtur edhe në vlerësimin e Avokatit të Popullit.

Pas vendimit të 10 marsit të vitit 2021 të Supremes, më 13 prill të vitit 2021, Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha kishte dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese pasi e kishte konsideruar mohim të të drejtave vendimin e PZAP-së dhe të Supremes.

Berisha synonte nëpërmjet kësaj ankese në Kushtetuese rikthimin e mandatit në Kuvendin e Kosovës.

“Po ashtu ankesën tonë në të njëjtën ditë rreth orës 13:30h do e deponojmë në zyrën e Avokatit të Popullit ku bazuar edhe në mandatin e tij do të kërkojmë identifikimin veprimeve diskriminuese dhe shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë dhe pas procesit zgjedhor të zgjedhjeve të 14 shkurtit”, kishte njoftuar Berisha.

Kjo çështje u bë temë e rëndësishme ditët e fundit pasi është ngritur si çështje se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u bë presidente me deputetë të kontestuar që kishin qenë prezent në Kuvendin e Kosovës.

Në zgjedhjen e Osmanit presidente, prezent në Kuvendin e Kosovës kishin qenë 82 deputetë në raundin e tretë, ndërsa 71 prej tyre kishin votuar pro zgjedhjes së saj.

A mund të rrëzohet presidentja?

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se mandati i Presidentes apo Qeverisë nuk mund të rrezikohet edhe në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Berishës dhe Kinollit.

“Edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos pozitivisht sipas kërkeses së deputeteve Berisha dhe Kinolli të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit AA.nr.29/2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës, si dhe Vendimit Anr.736/2021 të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), sipas praktikes së ndërtuar nga vet Gjykata Kushtetuese por edhe standardet ndërkombëtare lidhur me parimin e sigurisë juridike, nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes së Republikës apo qeverisë”, shkroi Miftaraj të enjten në një postim në Facebook.

Sipas tij, një vendim pozitiv për Kinollin dhe Berishën, potencialisht mund t’ia jepte mandatin e deputetit këtij të fundit, duke ia revokuar mandatin deputetit Fadil Gashi nga Iniciativa Rome. Miftaraj theksoi se faktin që kanë “kaluar afatet kohore kur ka qenë e mundur të kontestohet ligjshmëria e zgjedhjës së Presidentës së republikës”.

Siç tha ai, ky rast “nuk mund të krahasohet me rastin e Qeverisë Hoti”.

“Kjo pasi në rastin e Qeverisë Hoti, procedura kushtetuese ka qenë e iniciuar kundër vendimit për zgjedhjen e Qeverisë. Vlerësimi i mandatit të z. Arifi ka qenë aspekt sekondar, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë. Në rastin konkret, procedura kushtetuese nuk është e drejtuar tek vendimi për përzgjedhjen e presidentes, por vetëm tek mandati i një deputeti, anulimi i të cilit mandat, siç u tha, nuk mund të ketë pasoja më vendimet tanimë të nxjerra (Kjo praktikë e Gjykatës Kushtetuese është ndjekur në rastin e vendimit për përzgjedhjen e z. Pacolli si president dhe vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti)”, shkroi Miftaraj.

Ish-kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka thënë se Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mund të rrëzohet.

Krejt kjo varet nga përgjigja që ish-kandidati për deputet nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha po e pret nga Gjykata Kushtetuese në ankesën me pretendime se i janë shkelur te drejtat gjatë zgjedhjeve të vitit 2021.

Sipas Dakës, Kur një autoritet shteti merr detyrën e përcaktuar në Kushtetutë dhe deputetët të cilët kanë votuar nuk kanë legalitet dhe legjitimitet të plotë, atëherë detyra e tyre është e përkohshme.

“Nëse rastin konkret, kandidati për deputet e fiton, presidentja e shtetit duhet të jap dorëheqje”

“Ne kemi pasur tashmë një situatë të tillë, apo pak a shumë të ngjashme me këtë, rasti i ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe besoj që kjo situatë do të ishte bukur shumë e ngjashme edhe me atë situatë dhe me siguri që atëherë presidentja aktuale do të duhej të shkonte në rivotim apo konkretisht do ta humbte mandatin e presidentes sepse nuk do të ishte sigurt a i kishte ato vota të cilat i ka marrë kur është votuar para dy viteve, dhe pastaj do të duhej të shkohej në rivotim”, ka deklaruar Valdete Daka, ish-kryetare e KQZ-së.

Çfarë tha presidenca?

Blerim Vela, shefi i stafit në kabinetin e presidentes Vjosa Osmani tha se “kjo është përpjekje për ndikim të vendimmarrjes gjyqësore dhe tentim puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës”.

“Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. GjK është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore”, shkroi Vela në Twitter.

Ai tha se raportimet se Gjykata Kushtetuese mund të marrë një vendim që do ta trazojë skenën politike janë “të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi”.

“E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve. Çfarëdo skenari eventual për të shkaktuar kriza institucionale në Kosovë dhe për ta nxjerrë nga binarët procesin e dialogut (në veçanti për ta parandaluar zbatimin e nenit 4, të marrëveshjes), është vetëm skenar i vetë Serbisë”, shkroi Vela.

Gjuhën e Velës e cilësoi të rrezikshme dhe të papranueshme Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në një reagim. /Paparaci.com/ 

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci