Të fundit

Shteti në shërbim të Zotëriut të Parë – nuk i çon epror në Shkup

Prindon Sadriu, i ngarkuari si Shef i Misionit Diplomatik të Kosovës në Shkup, do të vazhdojë të udhëheq me shtëpinë diplomatike të Kosovës në shtetin fqinj. Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka njoftuar ende për caktimin e një Ambasadori të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Maqedoninë e Veriut.

Xhemile Hysenaj

Tetë nga dymbëdhjetë pozitat e lënë të zbrazëta nëpër përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës nëpër botë, janë mbuluar me ambasadorë të rinj, bazuar në informatat e shpalosura nga kryediplomatja Donika Gërvalla.

Në një paraqitje të rrallë televizive të martën në Televizionin 7 dhe një ditë më vonë në raportimin para anëtarëve të Komisionit Parlamentar, ministrja e Punëve të Jashtme konfirmoi dërgimin e përfaqësuesve diplomatikë në Tiranë, Gjermani, ShBA, Francë, Katar, Britani të Madhe, Çeki dhe Belgjikë.

Megjithatë, Gërvalla nuk njoftoi për caktimin e një emri që do ta zëvendësonte Zotëriun e Parë, Prindon Sadriun, të ngarkuar si Shef i Misionit Diplomatik të Kosovës në Shkup.

MPJ ka refuzuar të tregojë nëse ka propozuar emrin e ri për Ambasador të Kosovës në Republikën e Maqedonisë Veriore, edhe kur është pyetur nga mediumi online Paparaci përmes një adrese elektronike të mërkurën.

Tash e shtatë muaj, që prej shkarkimit të ish-Ambasadorit Gjergj Dedaj, pozitën e të ngarkuarit të përkohshëm si shef i Misionit Diplomatik të Kosovës në Shkup e mban Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani.

Sadriu, një diplomat karriere, ushtroi funksionin e zv/shefit të Misionit para se ekzekutivit të nxirrte vendimin e kontestuar për shkarkimin e Dedajt dhe 11 ambasadorëve të tjerë të Kosovës.

Neglizhenca e Ministrisë së Punëve të Jashtme e udhëhequr nga Donika Gërvalla, funksionarja e lartë e Listës “Guxo”, për caktimin e një ambasadori të ri në Shkup dyshohet se i ka kryer një favor bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani. E ka lënë atë, së paku përkohësisht, nën udhëheqje të Ambasadës në Shkup.

Si i ngarkuar me pozitën e shefit të Misionit Diplomatik të Kosovës në Shkup, përveç pushtetit mbi përfaqësinë diplomatik në Shkup, nuk ka përfituar financiarisht më shumë sesa që përfitonte në kohën e ushtrimit të funksionit si zëvendësshef i Misionit.

Sadriu nuk përfiton pagë ekuivalente me atë të Ambasadorit, ka thënë Ministria e Jashtme të mërkurën, pas interesimit të Paparacit rreth kësaj çështje.

“Z.Sadriu vazhdon të këtë pagë të njëjtë që nga fillimi i misionit të tij në ARKS në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ka thënë të mërkurën Ministria e Punëve të Jashtme, në një përgjigje me shkrim për Paparacin.

Sipas të dhënave publike në Agjencinë Kundër-Korrupsion, bazuar në deklarimin e pasurisë për vitin 2020, përfitimet e Zotëriut të Parë nga paga mujore si zv/shef i Misionit Diplomatik në Shkup arrinin vlerën e 36,240.00 euro, përfshirë edhe mëditjet.

Paga e tij mujore, sipas përllogaritjeve nga shifrat zyrtare të deklaruara në AKK, rezulton të kap vlerën e rreth tre mijë eurove në muaj.

Sadriu, i pyetur nga Paparaci rreth pagës së tij, ka thënë se nuk qëndrojnë pretendimet se përfiton të hyra më të mëdha në shtat muajt e fundit prej kur mban funksionin më të lartë brenda Ambasadës së Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

“Ju njoftoj se pretendimet në pyetjen tuaj nuk qëndrojnë”, tha Sadriu për Paparacin. “Megjithatë, me që pyetja juaj nuk ndërlidhet me kompetencat e Ambasadës në Shkup ose me raportet tona ndërshtetërore me Republikën e Maqedonisë së Veriut, rekomandoj që të njëjtën pyetje ta dërgoni në MPJD”.

Ish-eprori i Sadriut akuzon presidenten dhe qeverinë

Gjergj Dedaj, shkarkimi i të cilit shtatë muaj më parë i parapriu vendimit për ngarkimin e Prindon Sadriut në pozitën e Shefit të Misionit Diplomatik në Shkup, akuzon presidenten Vjosa Osmani dhe kryediplomaten Donika Gërvalla, për “degradimin e diplomacisë kosovare.”

Në një bisedë me Paparacin, ai ka thënë se shkarkimi i tij dhe i 11-të kolegëve të tij në muajin maj, kishte ardhur pa paralajmërim.

Ai e ka konsideruar “një veprim skandaloz dhe një grushtshtet” në diplomacinë kosovare, vendimin e nxjerrë asokohe nga Qeveria Kurti.

“Mua më dhanë afat vetëm një ditë për të liruar zyrën, kjo gjë ishte në kundërshtim me ligjin, praktikisht me Konventën e Vjenës, etikën diplomatike”, tha Dedaj, ish-Ambasadori i Kosovës në Shkup, që për zëvendës kishte Prindon Sadriun. “Qëllimi ishte një hakmarrje politike”.

Ish-ambasadori ka kritikuar punën e Sadriut, ish-zëvëndësit të tij, për të cilin ka thënë se ka kryer shkelje të kompetencave si ambasador.

Emërimi i ambasadorëve të rinj

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka thënë se ka përfunduar tashmë procedurat e emërimit të ambasadorëve të Kosovës në shumicën prej përfaqësive diplomatike që kishin mbetur të zbrazëta që nga muaji maj.

Emërimi i këtyre ambasadorëve u bë pas një periudhe të gjatë, pasi që MPJD kishte shkarkuar ambasadorët e mëparshëm.

Ministrja Gërvalla, muaj më parë ishte shprehur se vendimi për shkarkimin e ambasadorëve të mëparshëm ishte akt në mesin e reformave që pati nisur MPJD-ja, dhe se funksioni i tillë i ambasadorëve ishte i jashtëligjshëm.

“Janë shkarkuar 12 ambasadorët politikë, sepse kanë qenë në disproporcion me ligjin tonë. Janë shkarkuar të gjithë për një herë, sepse në momentin që ke tejkaluar kuotën ligjore, atëherë i ke të gjithë të jashtëligjshëm. Pra, 12 ambasadorët politikë sepse kemi konsideruar se është shkelur ligji i shërbimit të Jashtëm politik. Në ndërkohë është bërë përzgjedhja e ambasadorëve”, kishte deklaruar Gërvalla.

Dymbëdhjetë ambasadoret e shkarkuar ishin: Beqë Cufaj (Gjermani), Nait Hasani (Shqipëri), Arbër Vllahiu (Çeki),  Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gezim Kasapolli (Kroaci),  Avni Kastrati (Slloveni), Gjergj Dedaj (Maqedonia e Veriut),  Hajdin Abazi (Australi), Ylber Hysa (Mali i Zi), Avni Arifi (Emiratet e Bashkuara Arabe) dhe Amir Ahmeti (Katar).

Nga këto 12 pozita, MPJ-ja njoftoi për emërimin e Ilir Dugollit në ShBA, Skënder Durmishit në Shqipëri, Faruk Ajetit në Gjermani, Mehdi Halimit në Francë, Fuad Morinës në Katar, Albesjana Ibërhysajt në Çeki, Agron Bajramit në Belgjikë dhe Ilir Kapitit në Britani të Madhe. /Paparaci

Video nga Paradoks

"Kom rrudha, s'kom hundë perfekte": Deputetja e PDK-së tregon a ka ndërhyrje estetike, flet edhe për debatet - "Meniher ta tregoj Arianën e egër"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci