Të fundit

Një kthesë e papritur: Qeveria Kurti ‘shkatërron’ vendimin për investitorin e huaj

Qeveria e ka revokuar vendimin për shpalljen investitor strategjik të një kompanie nga Mbretëria e Bashkuar, e cila synonte një investim prej 45 milionë eurosh në Kosovë. Vendimi është miratuar nga kabineti qeveritar të martën. Investitori ka thënë se nuk është njoftuar për këtë hap të befasishëm të qeverisë. Ministria e Tregtisë e ka arsyetuar vendimin.

Kastriot Kokollari

45 milionë euro është kapitali i një investimi që planifikohej të realizohej në Mitrovicë dhe Vushtrri nga një kompani minerare nga Mbretëria e Bashkuar dhe Polonia.

Për këtë investim, kompania “Moxico Luma Kosova Mining” L.L.C. ishte propozuar të shpallej investitor strategjik nga Qeveria e Kosovës më 2020.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, e cila e katër muaj më parë e kishte miratuar vendimin për procedimin në kuvend të propozimit për shpalljen investitor strategjik të kompanisë anglo-polake, ka bërë një hap prapa. E ka anuluar vendimin.

Në mbledhjen e kabinetit të mërkurën, ekzekutivi vendosi që ta revokojë vendimin e dhënies së statusit të investitorit strategjik kompanisë “Moxico Luma Kosova Mining” L.L.C..

Qeveria pohon se ka të drejtë ligjore në revokimin e vendimit

Ministria e Tregtisë i ka thënë Paparacit të mërkurën se qeveria ka të drejtë të anulojë vendimin duke u bazuar në Ligjin për Investimet Strategjike.

Në përgjigjen e MINT-it, thuhet se qeveria mund ta revokojë vendimin nëse gjen se kompania ka ofruar të dhëna të pavërteta rreth projektit.

“Veprimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është mbështetur në Ligjin Nr. 05/L – 079 Për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MINT-it. “Ky Ligj, i mundëson Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërmarrjen e masave,  dhe specifikon edhe të drejtën e revokimit të vendimit për dhënien e statusit projekt strategjik edhe përgjatë përgatitjeve apo edhe zbatimit të projektit investues”.

MINT-i ka thënë se i është referuar pikës 1 të nenit 14 të Ligjit për Investime Strategjike.

“Në rast se përgjatë përgatitjeve dhe zbatimit të projektit investues strategjik, Komisioni merr dëshmi të reja në bazë të të cilave konstaton dhe vërteton se në projektin investues ka të dhëna të pavërteta apo ndryshim të të dhënave, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për dhënien e statusit të investimit strategjik, Qeveria e revokon vendimin për dhënien e statusit investim strategjik”, thuhet në pikën 1 të nenit 14 të këtij Ligji.

Megjithatë, vendimi i qeverisë i ka befasuar përfaqësuesit në Kosovë të kompanisë me seli në Mbretëri të Bashkuar.

Drejtori menaxhues i “Moxico Luma Kosova Mining LLC”, Bujar Asllani i ka thënë Paparacit se nuk është paralajmëruar për vendimin e qeverisë për stagnimin e procesit.

Ai ka pohuar se lajmin për tërheqjen e qeverisë nga procesi i shpalljes së kompanisë investitor strategjik, e ka kuptuar përmes mediave.

“Jo, ne nuk kemi ende një njoftim prej qeverisë”, tha Asllani, në një bisedë telefonike me Paparacin të mërkurën. “Nuk kam me kanë kontaktuar për këtë punë të cilën e kam parë vetëm nëpër disa lajme, por ne do të tentojmë të jemi në kontakt me qeverinë dhe po presim”.

Ish-ministri Krasniqi: Vendimi i qeverisë, qesharak

Propozimi për shpalljen e kësaj kompanie “investitorë strategjik” ishte realizuar për herë të parë në vitin 2020 nga qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Kapitali i investimit strategjik është 45 milionë e 80 mijë e 383 euro, për një periudhë pesë vjeçare, ndërsa investimi do të realizohet në fshatrat Gumnishtë, Vllahi dhe Karaqë të komunave Mitrovicë dhe Vushtrri.

Në vitin 2020, ministri i atëhershëm i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, e kishte marrë përsipër shpalljen e kësaj kompanie investitor strategjik në Kosovë. Ai kishte theksuar se ky projekt në vete do të ngërthejë nxjerrje, studime të ndryshme të pasurive nëntokësore që gjenden në komunën e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës.

Të mërkurën, në një bisedë telefonike me Paparacin, ish-ministri Krasniqi e ka cilësuar qesharak vendimin e qeverisë për shfuqizimin e vendimit.

Krasniqi ka akuzuar qeverinë për revokimin e padrejtë të dhënies së statusit të investitorit strategjik për kompaninë brtianike.

“Fillimisht kërkesën operatori ekonomik e ka bërë në muajin prill gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit. Kjo ka ndodhur në vitin 2020, dhe unë e kam marr detyrën me 4 qershor të vitit 2020. Unë në atë kohë i kam gjetur 33 aplikacione të investitorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti ka marr vendim unanimisht që t’i jepet e drejta e investitorit strategjik kompanisë Moxico Luma Kosova Mining L.L.C dhe të procedohet më tutje dhe ka ra edhe qeveria dhe është kthyer në pikën zero”, ka pohuar Krasniqi.

“Kjo që mbrëmë qe e pash në media është me të vërtetë qesharake, por nuk është investitori i vetëm që i është marrë e drejta dhe nuk i është dhanë e drejta e statusit të investitorit strategjik”.

Tutje, ai ka potencuar se ndaj këtij vendimi te qeverisë nuk mund të ketë efekte juridike, pasi që siç thotë ai, operatori ekonomik mund të shtrojë ankesë vetëm për kohën e humbur.

“Ata mund të ankohen vetëm për shkak të kohës që u është humbur, por kjo nuk prodhon efekte të tjera juridike”, ka thënë Krasniqi.

Kompania “Moxico Luma Kosova Mining” ka nisur aktivitetin e saj në Kosovë më 2019 dhe është e fokusuar në hulumtimin e minierave. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci