Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kërkuar mbylljen e deponisë së Sferkës, pas angazhimit të njësive të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për trajtimin e zjarrit në këtë lokacion.
Bajrami, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka mirëpritur vendimin e FSK-së për ndërhyrje në deponinë e Sferkës, por ka kritikuar vonesën institucionale, duke thënë se zjarri kishte vazhduar për rreth dhjetë ditë.
“E mirëpres vendimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe urdhrin e Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, për angazhimin e njësive të specializuara në deponinë e Sferkës. Fatkeqësisht, ky angazhim vjen pas afro dhjetë ditësh djegie të pandërprerë”, shkroi ajo.
Ajo ka kërkuar që të hetohet përgjegjësia për mosveprimin institucional dhe dëmet e shkaktuara ndaj qytetarëve, mjedisit dhe pronës.
“Përgjegjësia për këtë vonesë, për mosveprimin institucional dhe për dëmin e shkaktuar ndaj shëndetit të qytetarëve, mjedisit dhe pronës duhet të hetohet deri në fund”, u shpreh Bajrami.
Bajrami ka ngritur pyetje lidhur me kohën e reagimit të institucioneve dhe ka thënë se qytetarët janë ekspozuar ndaj tymit për ditë të tëra.
“Pse u prit kaq gjatë që të angazhoheshin kapacitetet shtetërore? Pse qytetarët u ekspozuan për ditë të tëra ndaj tymit toksik dhe pse u desh të helmoheshin banorë e protestues që institucionet të reagonin?”, thotë Bajrami.
Deputetja e zgjedhur ka bërë të ditur se qëndron pas kallëzimit penal të dorëzuar më herët dhe ka kërkuar hetim ndaj të gjithë personave përgjegjës.
“I qëndroj prapa kallëzimit penal që kam ushtruar dhe kërkoj nga institucionet e drejtësisë që të zhvillojnë hetime të plota ndaj të gjithë përgjegjësve, të përcaktojnë përgjegjësinë dhe ata që kanë dështuar të veprojnë t’i nxjerrin para drejtësisë”, u shpreh Bajrami.
Në fund, Bajrami ka përsëritur kërkesën e saj për mbylljen e deponisë.
“Deponia e Sferkës duhet të mbyllet!”, shtoi ajo.
