Të fundit

Marrëveshja Kosovë – Serbi, sipas kujtimeve të Catherine Ashtonit

Marrëveshja e parë për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, simbas kujtimeve të Catherine Ashtonit

Shkruan: Muhamet Hamiti

Si sot, më 19 prill 2013, para 10 vjetësh, në Bruksel u arrit marrëveshja e parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E nënshkruan kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Titulli i saj në anglisht s’përmend as Kosovën as Serbinë: quhet thjesht “The First Agreement of Principles Governing the Normalisation of Relations”, sepse fillimisht ishte menduar të quhej ‘ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

E kishte refuzuar këtë Hashim Thaçi (‘unë nuk jam kryetar i Prishtinës’), siç dëfton Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë e BE-së atëherë, në librin e saj të kujtimeve, që u botuan sivjet, me titull “And then What?” [Dhe çka pastaj], Elliot and Thompson, London, 2023. Marrëveshja sot njihet thjesht si Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013.

Kapitulli me titull “Ballkani Perëndimor: Dialogu Serbi – Kosovë” [ff. 109 – 145] i librit të Ashtonit përvijon procesin e arritjes së Marrëveshjes që në thelb e ka Marrëveshjen e parimeve për Asociacionin për komunat me shumicë serbe, që serbët i referohen si Zajednicë, të cilit/cilës do t’i paraprinte shpërbërja e strukturave paralele serbe, pjesëmarrja e tyre në zgjedhje simbas ligjeve të Kosovës, funksionalizimi i policisë dhe i gjyqësisë brenda sistemit të Kosovës.

Në procesin e dialogut, Catherine Ashton lavdon Hashim Thaçin dhe Ivica Daçiqin, flet për mbështetjen e SHBA-ve për procesin, për kundërshtimet në Kosovë dhe në Serbi, si dhe dëshmon së për arritjen e marrëveshjes duhej përkrahja (pajtimi me të) edhe i Alekasandar Vuçiqit, në atë kohë zv. kryeministër i Serbisë, më vonë lider suprem i Serbisë.

“ E dija se Thaçi brengosej se pa marrëveshje në këtë fazë të vonshme, kredibiliteti i tij do të goditej në shtëpi [Kosovë]. I gjithë ekipi i Prishtinës i frikësohej dështimit, dhe nuk e fajësoja për këtë” (f. 132), shkruan Ashton në librin e saj të kujtimeve. Më tej, “Thaçi e dinte se e ardhmja e tij politikë vihej në dyshim pa këtë” marrëveshje (f. 135). “I thashë Thaçit se ishte tepër i sjellshëm kur parqisja ide që s’i pëlqente”, shkruan ajo (f. 136) më tej.

Prej kujtimeve të Ashtonit del se ideja për kufizim të shkuarjes potenciale të trupave speciale (ushtarake) të Kosovës në veri kishte ardhur nga Vuçiqi, për çka ishte kërkuar ndihma e NATO-s, dhe Sandy Vershbow, zv. sekretari i përgjithshëm i NATO-s, u ofrua të vinte vetë në biseda për çështjen, por kishte dërguar përfaqësues të vet.

Interesante në kujtimet e Ashtonit është pjesa ku flitet për kërkesën e delegacionit të Kosovës që marrëveshja të përfshinte dispozitë që thoshte se anjëra palë [as Kosova, as Serbia, MH] nuk do të pengonte anëtarësimin e tjetrës në cilëndo organizatë ndërkombëtarë, që, fillimisht, si e pasherr, qe pranuar nga ekipi i Ashtonit, për çka u penduan mbas kundërshtimit të egër nga pala serbe. “Kishim bërë një gabim”, thotë Ashton (f. 137).

“E shtypa (radhita) dokumentin vetë dhe e fotokopjuam. Ishte i shkurtër – vetëm një faqe A4 me pesëmbëdhjetë pika të ndara. E përshkruante se si do të krijohej Asociacioni/Bashkësia (ne aq na bënte cilin emërtim do ta përdornin) i komunave me shumicë serbe në Kosovë me statut, dhe se komuna të tjera mund t’i bashkoheshin”, kujton Catherine Ashton (f. 142).

Mbasi flet për aspekte të tjera të marrëveshjes (rreth policisë, gjykatave në veri të Kosovës), Ashton dëshmon se si nga fundi u takua fillimisht me Daçiqin dhe Vuçiqin nga pala serbe, të cilët i kishin thënë se do të vinin inicialet e tyre në dokument dhe pastaj do ta dërgonin te Qeveria në Beograd për ‘proceset e tyre qeveritare’ (f. 142).

Pastaj përshkruan vënien e inicialeve në dokument nga Hashim Thaçi dhe asaj vetë krahas njëri-tjetrit. (f. 143). Më tej, se si Vuçiqi kishte insistuar se Daçiqi si kryeministër duhej të vinte inicialet nga pala serbe, krahas me Ashtonin. Ai [Daçiqi]shtoi një rresht mbas nënshkrimit të tij: “Me këtë e konfirmoj se ky është propozimi i tekstit për pranimin apo refuzimin e të cilit të dyja palët do të paraqesin vendimet e tyre respektive” (f. 143).
Arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte bërë lajm i faqeve të para të gazetave, përveç në Britani, konstaton britanikja Ashton.

Ajo kujton se të dy partitë në kongesin amerikan kishin propozuar liderët e Kosovës dhe Serbisë dhe atë vetë për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2014, të “cilin e fitoi atë vit me të drejtë Malala Yousafzai për trimërinë dhe kurajon e saj. Unë isha e nderuar madje vetëm pse isha në një listë me të.” (f. 144).

Do kujtuar se Hashim Thaçi, kryeministër i Republikës së Kosovës atëherë, e quante Marrëveshjen e Brukselit para 10-vjetësh si ‘njohje de facto’ të Kosovës nga Serbia. Kështu e ka quajtur marrëveshjen e re, pas 10 vjetësh, të shkurtit/marsit të vitit 2023 në Bruksel dhe Ohër, kryeministri aktual i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Video nga Paradoks

Çka ka Mërgimi kundër LGBT? Sami Lushtaku tregon rastin, befason me qëndrimin e tij për martesat mes sek*sit të njejtë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci