Të fundit

Dyshime të forta për kurdisjen e kontratës milionëshe të KEK-ut me kompaninë greke

Një kontratë në vlerë 1.6 milion euro e KEK-ut me një kompani greke dyshohet se është lidhur përmes ushtrimit të ndikimit të Nagip Krasniqit, kryeshefit të arrestuar të korporatës. Kriteret e dosjes së tenderit janë ndryshuar për t’iu përshtatur një kompanie. Paparaci, ka siguruar dëshmi për këtë rast. 

Eros Klaiqi

Një kompani private greke, e panjohur më parë në tregun e Kosovës, është kontraktuar në mënyrë të dyshimtë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për projektin e përmirësimit të kanaleve të mullinjve të thëngjillit.

“Egrotem S.A.”, me bazë në qytetin Mandra të Greqisë, është përzgjedhur këtë vit fituese e një tenderi të vlefshëm 1.6 milion euro nga KEK-u, në një procedurë të hapur të prokurimit.

Ndonëse procedura e prokurimit ishte e hapur dhe parashihte konkurrencë të hapur e transparencë, tenderi dyshohet se është “kurdisur” nga menaxhmenti i KEK-ut.

Paparaci ka siguruar informata nga burime brenda KEK-ut dhe dokumente të cilat dëshmojnë për ndryshimin e kritereve në Dosjen e Tenderit të cilat u janë përshtatur kompanisë nga Greqia.

Për përzgjedhjen fituese të kompanisë “Egroterm S.A.”, dyshohet se ka ndikuar kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i arrestuar të mërkurën nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës, ushtrim të ndikimit dhe konflikt interesi.

Krasniqi dyshohet se ka ushtruar ndikim te zyrtarët e prokurimit në KEK për ndryshimin e kritereve të Dosjes së Tenderit para nënshkrimit të kontratës me kompaninë “Egroterm S.A.”, kanë thënë burime brenda KEK-ut.

Në Dosjen e Tenderit, sigurimi i ekzekutimit të tenderit ishte caktuar të jetë në vlerë prej 50 për qind të shumës së përgjithshme të kontratës.

Me këtë kriter të vendosur në Dosjen e Tenderit, KEK-u e ka kufizuar konkurrencën në procesin e ofertues për shkak të caktimit të shumës jashtëzakonisht të lartë të garancionit të sigurisë prej 50 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratës.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, garancioni i sigurisë në kontrata të prokurimit publik duhet të jetë së paku 10 për qind.

Si pasojë e këtij kushti, në tenderin për “Pllakat rrëshqitëse në PF- Kanalet e mullinjëve të thëngjillit” ofertuan vetëm dy kompani: “Egroterm S.A.” dhe një kompani polake, “SBBB Nergy S.A”. Oferta e kompanisë greke vlente 1.6 milion euro, mbi një million euro më e lirë sesa oferta e operatorit konkurrent.

Gjatë zhvillimit të procesit, kompania polake kishte kërkuar nga KEK-u që të ulej në 10 për qind vlera e garancionit të sigurisë. KEK-u e ka refuzuar këtë kërkesë. Ka rekomanduar se sigurimi i ekzekutimit të kontratës duhet të jetë në vlerë 50 për qind, siç ishte paraparë në Dosjen e Tenderit.

“Sigurimi i ekzekutimit duhet te jete 50%, ashtu siç është cekur ne DT”, është përgjigjur Zyra e Prokurimit në KEK.

Megjithatë, ky kriter i cili e kishte kufizuar konkurrencën në ofertim, ishte eliminuar nga KEK-u në momentin e përzgjedhjes së kompanisë fituese, “Egroterm S.A.”.

Siç ka marrë vesh Paparaci nga burime brenda KEK-ut, kompania greke refuzoi ta nënshkruante kontratën me KEK-un me sigurim të garancionit në vlerë 50 për qind dhe kërkesoi që garancioni i tenderit të ulej në 10 për qind.

Fillimisht, kjo kërkesë është kundërshtuar nga zyrtarët e prokurimit, kanë thënë të njëjtat burime.

Por, dyshohet kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi ka ushtruar ndikim te zyrtarët e prokurimit dhe ka kërkuar që kompanisë fituese në tender t’i pranohet garancioni prej 10 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratës.

Paparaci, ka siguruar një dokument të Bankës Kombëtare të Greqisë, në të cilën është nxjerrë garancioni i kontratës në vlerë 243,233. 63 euro – 10 për qind i vlerës së përgjithshme të kontratës (1.6 milionë euro).

Përfundimisht, duke shkelur procedurat dhe Dosjen e Tenderit, KEK-u ka pranuar të ndryshojë kriterin për vlerën e garancionit dhe e ka shpërblyer me kontratë kompaninë “Egroterm S.A.”.

Rekomandimi për fituesin e kontratës është bërë më 10 mars të këtij viti. Kontrata mes palëve është nënshkruar të enjten e 20 prillit, tregojnë të dhënat e publikuara në platformën e prokurimit publik e-prokurimi.

Burime të mirëinformuara brenda KEK-ut e kanë informuar Paparacin se kryeshefi i KEK-ut ka detyruar zyrtarët e prokurimit që në dhjetor të vitit të kaluar, para hapjes së procesit tenderues, përmes adresës elektronike ta ftonin kompaninë greke “Egroterm S.A.” për aplikim në këtë tender.

“Pra njoftimi për aktivitetin e këtij prokurimi i kishte shkuar kompanisë greke shumë kohë para se të njoftoheshin kompanitë tjera dhe para se të bëhej njoftimi publik sipas kërkesave ligjore, pra qartazi kishte preferenca nga kryeshefi për kompani të caktuar dhe kishte shkelje nga zyrtarët e prokurimit publik për mos transparence për te gjithë pjesëmarrësit ne aktivitet te prokurimit”, kanë thënë burimet.

Nagip Krasniqi është arrestuar të mërkurën, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dy vepra të tjera penale.

Prokuroria Speciale dyshon se Krasniqi ka lidhur kontrata të dëmshme të prokurimit publik.

Një nga kontrata e dyshuara të dëmshme, është edhe ajo për “Riparim kapital emergjent të kaldasë, blloku A5”, me procedurë të negociuar me kompaninë “Litwin Sa”, me çmim rreth 3.5 milionë, duke ndryshuar kushtet e kontratës.

Kjo, sipas Prokurorisë, ishte bërë me qëllim të përshtatjes së këtij operatori ekonomik, ani se komisioni kishte rekomanduar anulimin e tij, me arsyetimin se operatori ekonomik “Litwin SA” nuk u është përmbajtur kushteve të autoritetit kontraktues, i cili kishte kërkuar ndryshimin e kushteve të veçanta.

Të enjten, në një seancë dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi i procedurës paraprake vendosi masë të sigurisë prej një muaji paraburgim ndaj kryeshefit të KEK-ut.

Në seancë, Krasniqi i ka mohuar dyshimet që rëndojnë mbi të. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci