Të fundit

Universitetit t’ia kthejmë emrin e tij tradicional

Rreth kthimit të emrit të Universitetit të Prishtinës në suaza normale apo Hasan Prishtina është personalitet me përmasa tepër të mëdha që të futet në një oborr qoftë ai dhe i një Universiteti

Shkruan: Prof. Dr. Emine Bakalli

Kur rektori Mujë Rugova me këshilltarët e tij, po ia ndryshonin emrin e një Universiteti shumëvjeçar dhe të njohur gjithandej me këtë emër, nuk po mund të besoja apo më mirë të pajtohesha.

Çka bënë ky njeri, përse një veprim i tillë?

Natyrshëm, po përfundoja se një kategori e tillë njerëzore doemos ka nevojë që ta shënojë periudhën e tij me diçka “të madhe”, në rastin konkret me “patriotizëm të madh” duke instrumentalizuar institucionin, i cili i ra në dorë si “hutit në zgur”.

Nuk do të habitesha që edhe ideja që Hasan Prishtina të paraqitej me një libër në dorë është e tija dhe rrethit të tij shumë “patriotik” dhe aspak akademik që mos të them diçka tjetër.

Një ministri të kohës të resorit që mbulon këtë domen po ia shprehja shqetësimin tim lidhur me intencën që edhe universitetet tjera, që po formoheshin në çdo nahije, të “patriotizoheshin” dhe për ta ballafaquar me faktin se si mund të tingëllonte emërtimi i ri i Universitetit tonë po shënoja:

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë, pra Prishtinë në kub. Atë që dua ta them është që Universiteti i Prishtinës duhej të mbetej me emrin e tij shumëvjeçar dhe jo vetëm për motivin e evidencuar nga rektori i ri.

Të shqetësuarit e sinqertë dhe profiterët në mesin e tyre

Po i shihja protestuesit e shqetësuar lidhur me këtë ”llahtari”.

I kuptoj ata dhe frikën e tyre që dikush, madje hiq më pak se kreu i Universitetit po e bënte këtë sakrilegj. Konstatimi i njërit ndër ta, se rektori duhej të përkujdesej për cilësinë e punës së këtij Universiteti ishte një këshillë më se me vend.

Por ai këtë kërkesë e shtronte në praninë e njeriut, në krahun e djathtë të tij, i cili tashmë publikisht është identifikuar si plagjiator. Madje unë do të shtoja se ai as plagjiator nuk është, sepse plagjiaturat e tij ia bënë dikush tjetër… Pra një plagjiator krejt i përjargët apo një mashtrues në katror.

Të shqetësuarve lidhur me rastin, do tu them se ka një arsye madhore që unë kam qenë kundër këtij hapi “patriotik” të Mujë Rugovës me shokë. Një personalitet i përmasave të Hasan Prishtinës nuk mund të futet në një oborr qoftë ai dhe i një Universiteti. Përmendorja e Hasan Prishtinës e ka vendin në sheshin më reprezentativ të kryeqytetit të Kosovës.

Ai në dorë duhet të mbajë jo një libër po një DOKUMENT, për të cilin duhet të dinë të gjithë, të mësuar e të pamësuar, nxënës e mësues, opinionistë e gazetarë, politikanë, punëtorë, bujq e shtëpiake… pra secili prej nesh. Ky dokument, i cili ishte rrjedhojë e angazhimit titanik të këtij personaliteti historik, monumentalizon fitoren e parë të madhe të shqiptarëve në angazhimin e tyre shekullor përballë Perandorisë Osmane.

Ky dokument është Marrëveshja Shqiptaro-turke për Shqipërinë autonome.

Një sukses i madh, një arritje e madhe e shqiptarëve, e Revolucionit të tyre kombëtar të prirë nga Hasan Prishtina.

Ajo që na duhet në këtë moment është që të rezonojmë ftohtë e mbarë: Universitetit t’ia kthejmë emrin e tij tradicional kurse përmendoren e Hasan Prishtinës ta vendosim në vendin që e meriton dhe i shkon, në sheshin më ekskluziv të kryeqytetit tonë. Unë e marr përsipër që ta përgatis motivacionin. Po kështu, e kemi detyrë që të përkujdesemi që trupi i tij të prehet në varrezat e të mëdhenjve në Prishtinë.

Rektorit të ri i uroj që pas këtij hapi praktik e pragmatik, të ballafaqohet me sëmundjen kanceroze në radhët e këtij Universiteti e që është plagjiatura. Vetëm kështu nis normaliteti në këtë Universitet.

Vetëm kështu ndërpritet futja e të rinjve (studentëve) në ujërat e pista dhe vetëshkatërruese.

Vetëm kështu do t’i ikim rrezikut nga varrosja që në embrion të potencialit krijues, zhvillimor dhe njerëzor të tyre.

Autorja është ish-pedagoge universitare

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci