Të fundit

Udhëkryqi i një përpjekje shekullore për Gjykatë Kushtetuese

Nga viti 1913 kur Shqipëria Londineze fillon të marr frymë si shtet, në trojet tjera të ndara pa drejtësisht filloi një kalvar vuajtjesh dhe përpjekjesh sublime për çlirimin e tokave që kishin mbetur jashtë Shqipërisë Londineze.

Shkruan: Eshref Shabani

Sidomos, në Kosovë asnjëherë nuk ishin ndalë përpjekjet e popullit për largimin e falangave serbe nga këto troje. Patriote të shquar gjatë gjithë kohës janë angazhuar në forma të ndryshme, qoftë luftarake apo diplomatike, si: Isa Boletini, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Hoxhë Kadria, Azem Bejta e shumë të tjerë, të cilët në mes dy luftërave botërore kishin mbajtur gjallë në popull idealin për liri.

Pas përfundimit të LDB-së, Kosova mbeti nën ish-Jugosllavi dhe u sundu fillimisht nga një regjim ushtarak i imponuar nga udhëheqësia e atëhershme e ish-Jugosllavisë. Gjatë kësaj periudhë nuk u ndalën përpjekjet luftarake për çlirimin e Kosovës. Në këtë periudhë në rajonin e Drenicës dhe Gjilanit pushkatohen shumë patriotë pa gjyqe, ndërsa është i njohur procesi gjyqësor i Prizrenit dhe Prishtinës ku dënohen me vdekje dhe pushkatohen shumë patriotë të kohës, të cilët me armë ose me dije luftuan ripushtimin e Kosovës nga ish-Jugosllavia e Titos.

Kosova pas përfundimit të LDB-së mbeti në kuadër të Serbisë Federale me 10 korrik 1945, në kuvendin e njohur si Kuvendi i Prizrenit.

Organizimi konstitucional i Kosovës në ish-Jugosllavi ndahet në katër faza:

1946-1953, 1953-1963, 1963-1968/71 dhe 1968/71-1974.

Kushtetuta e ish-RSFJ e vitit 1946 rregullonte Kosovën si pjesë të federatës, por që e njëjta ishte njëkohësisht në kuadrin e strukturës kushtetuese të Serbisë si dhe Statuti i KAKM i vitit 1948, kuptohet në këtë kohë Kosova nuk kishte Gjykatë Kushtetuese.

Në vitin 1953 pas nxjerrjes së Ligjit Kushtetues të RFSJ dhe Ligjit Kushtetues të R. së Serbisë, pozita e Kosovës përkeqësohet dukshëm, sepse të drejtat dhe detyrat e Kosovës rregullohen ekskluzivisht me Ligjin Kushtetues të R. së Serbisë. Kosova në vitin 1953 dhe 1963 aprovoi Statutet e saj për rregullimin e të drejtave dhe detyrave, por nuk ndryshoi asgjë sa i përket pozitës së saj, por vetëm u përpunuan dispozitat kushtetuese të Republikës së Serbisë, gjegjësisht neni 129 i kësaj kushtetute.

Në ndërkohë në popull nuk kishte vdekur ideali për liri edhe pse populli i Kosovës gjatë këtyre viteve vuante nga zhvillimi shumë i ultë shoqëror, e në veçanti nga arsimimi i ultë i shtresave të gjëra popullore. Populli kishte të freskëta masakrat e partizanëve/çetnikeve jugosllave, gjegjësisht serb në përfundim të LDB-së, prandaj nga gjiri i tij kishte njerëz që kishin filluar organizimet ilegale, në mënyrë që të vetëdijesojnë masat e gjera se pushteti i ri “popullor” në fakt ishte një okupim dhe asgjë tjetër. Në këtë periudhë janë të njohura organizimet e simbolit kombëtar Adem Demaqi me shokë, të cilët kishin filluar aksionet e para duke dhënë shenjë se populli shqiptar nuk e ka ndërmend të të pajtohet me ri-okupimin e Kosovës.

Pushteti i kohës ku kishte edhe shumë shqiptare komunistë, të cilët në fakt iu ishin nënshtruar në tërësi pushtetit në Beograd gjatë këtyre viteve ’53 deri ’68, që njihet se faza e parë ku populli shqiptar pas LDB dha shenja serioze kundër ri-okupimit, por në fakt nga pushteti u arrestuan dhe u dënuan shumë veprimtarë e patriotë shqiptarë, të cilët kërkonin avancimin e të drejtave të shqiptarëve deri në shpalljen e Kosovës Republikë në kuadër të ish-Jugosllavisë, përdorimin e flamurit kombëtar si dhe hapjen e Universitetit të Prishtinës, i cili po funksiononte vetëm me disa fakultete.

Në vitin 1966 në Plenumin e Brionëve, ish-Presidenti gjakatar Tito shkarkon gjeneralin Rankoviq nga pozita e Ministrit të Brendshëm te ish-RSFJ. Ky i fundit kishte bërë terror në Kosovë nga viti 1956 deri 1966 me pretekstin e grumbullimit të armëve në Kosovë dhe Tito e shkarkon Rankoviqin nga frika se po ja merr pushtetin. Ka pasë disa komunista shqiptarë që kanë deklaruar se Tito ka shkarkuar Rankoviçin për shkak të terrorit të kryer në Kosovë, argumentet politike dhe zhvillmet kanë hudh poshtë këtë ide si të paqendrueshme.

Me gjithë terrorin e zhvilluar gjatë këtyre viteve kurr nuk kanë mundë ta shuajnë idealin për liri tek një shtresë e njerëzve në Kosovë dhe falë këtyre përpjkejeve të një shtrese të caktuar (them një shtresë të caktuar,  sepse një pjesë e madhe e popullit fatkeqësisht ishin përshtatur mirë me sistemin). Sidomos demonstratat e studentëve të vitit 1968 me kërkesën për Republikë të Kosovës patën jehonë të madhe në avancimin e statusit të Kosovës.

Në këtë përidhë filloi disi një reforme me demokratike në ish-RSFJ dhe amandamentohet kushtetuta e ish-RSFJ me amandamentet e vitit 1968/71 dhe 72 ku pozita e Kosovës avancohet, sepse del nga struktura ekskluzive kushtetuese e Serbisë dhe bëhet element Konstituiv në nivel të federates së ish-Jugosllavisë. Me këto amandamente Kosovës i jepet e drejta që të aprovojë Ligjin Kushtetues me 24.02.1969. Kjo ishte një avancim bukur i madh në krahasim me vitet e kaluara, por ishte kompromisi i kërkesave për Republikë që u paraqitën në demonstratat e vitit 1968. Në kuadër të avancimit të statusit të Kosovës në vitin 1969 në kuadrin e Gjykatës së Lartë Krahinore, konstituohet Dega Gjyqësore-Kushtetuese si organ i posaçëm i Krahinës për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, ndërsa ma vonë në vitin 1972 me amendamentin X të Ligjit Kushtetues u formua GJYKATA KUSHTETUESE E KOSOVËS si organ i pavarur i Krahinës.

Kosova edhe me Kushtetutën e vitit 1974 kishte Gjykatën Kushtetuese, vendimet e saj ishin meritore dhe përfundimtare. Për të ardhur deri tek Kushtetuta e Kosovës e vitit 1974 vuajtën burg të gjatë shumë të rinj dhe të reja, të cilët lanë në burgjet e ish-Jugosllavisë vitet më të mira të jetës së tyre, sepse ajo plejade e këtij populli asnjëherë nuk u pajtua me shtypjen që i bëhej popullit të Kosovës.

Pas hapjes së Universitetit të Prishtinës, i njëjti u shndërrua në çerdhe të dijes por edhe të organizimit të revoltës popullore kundër shtypjes së popullit të Kosovës. Në vazhdën e përpjekjeve organizohen demonstratat e vitit 1981, i cili vit nga shumë politikologe dhe historiane merret si vit që ju lëkunden themelet ish-RSFJ. Demonstratat shtypen me dhunë dhe burgosen shumë studentë, por vriten edhe një numër i madh i studentëve nga njësitë speciale të ardhura nga Beogradi, por në popull u ngulit njëherë e përgjithmonë dëshira për çlirim nga okupatori Jugosllav. Në fund të viteve ’80 në Kosovë shpërthen një revoltë e paparë popullore me qëllim të ruajtjes së statusit kushtetues të kohës për Kosovën, sepse çetnikët në Serbi kishin bërë planin për suprimimin e Autonomisë së Kosovës të vitit 1974. Gjatë kësaj kohë në revolta popullore vriten dhe burgosën shumë qytetare të Kosovës. Me gjithë përpjekjet e popullit Kosovar në vitin 1989 dhunshëm suprimohet autonomia e Kosovës dhe Kosova tërësisht vihet në strukturën kushtetuese të Serbisë, në Kosovë siç është e njohur implementohen masa të aparteidit klasik.

Kosova organizon jetën e saj paralele duke u mbështetur në Kushtetutën e Kaçanikut të vitit 1990 dhe fillon ajo që është quajtur politika paqësore si një Lëvizje Kombëtare në Kosovë.

Ndërkohë, Serbia po forconte pushtetin e saj policor dhe represiv përmes aksionit të grumbullimit të armëve, po vriste njerëz të pafajshëm, burgoste, plaçkitke, etj etj.

Në Kosovë pas vitit 1996 filloi të shihet si shterpë politika paqësore dhe shumë trima dhe trimëresha fillojnë përgatitjet për luftë me Serbinë, ku fillojnë edhe aksionet e para guerile ndaj policisë së Serbisë. Viti 1997 Kosovën e gjen me fillimin e luftës në disa pjese, ndërsa në vitin 1998 lufta ishte shtri në pjesën më të madhe të Kosovës dhe forcat Serbe në shenjë hakmarrje po vritnin pleq, plaka, fëmijë dhe këdo që ju dilke përpara, si dhe dhunimi i femrave shqiptare në Kosovë ishte politike sistematike e policisë Serbe. Në mars te vitit 1998 bie Komandanti legjendar Adem Jashari me gjithë familje në luftë me forcat Serbe, gjatë kësaj kohe Serbia ka kryer shumë masakra të tmerrshme ndaj popullatës së pa fajshme civile në Kosovë me pretekstin se po luftojnë terroristët. Pas kryerjes së shumë masakrave në Kosovë nga policia dhe ushtria e Serbisë në vitin 1999 intervenojnë forcat ndërkombëtare për ta ndalë masakrën ndaj popullsisë civile.

Zhvillimet e mëtutjeshme dihen nga të gjithë, pas instalimit të administratës civile të OKB-së në Kosovë fillon rregullimi politiko-shoqëror i Kosovës dhe në vitin 2001 aprovohet Korniza Kushtetuese e Kosovës nga PSSP të OKB-së. Aprovimi i kësaj kornize kishte shkaktuar mospajtime të mëdha në Kosovë në mes të spektrit politik, sepse korniza kushtetuese në shumë aspekte kishte kthim mbrapa në raport me Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974, ndër to ishte edhe ajo që Kosovës ju mohua Gjykata Kushtetuese dhe u formu një dhomë e veçante në kuadër të Gjykatës Supreme, për ta mbikëqyrë interpretimin e kornizës kushtetuese ( me sa e di kjo dhomë nuk ka funksionuar asnjëherë).

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me kushtetutë është paraparë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës si institucion i veçantë gjyqësor, që është jashtë sistemit të rregullt të gjykatave.

Në kushtetutën e Republikës së Kosovës është e paraparë shprehimisht se vetëm Gjykata Kushtetuese ka të drejtë ta interpretoj Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e saj janë meritore dhe përfundimtare.

Këto ditë të polarizimeve politike disa politikane janë përballë me pyetjen se “a do ta respektoni vendimin e gjykatës kushtetuese, nëse nuk është në favorin tuaj” dhe të njëjtit nuk janë përgjigjur. Për themelimin e kësaj gjykate në Kosovë janë bërë shumë përpjekje që i shkrujta shkurtimisht më lartë, por të thuash se nuk e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i bie me shkelë mbi gjakun familjes Jashari, mbi gjakun e vëllezërve Haradinaj, mbi gjakun e Agim Ramdanit, Salih Çekut e Abaz Thaqit, mbi gjakun e Zahir Pajazit me shokë, mbi femrat e dhunuara në Kosovë, mbi gjakun e 400 masakrave ku janë masakru pleqë dhe fëmijë, mbi tërë ato vite burgje, që i kanë mbajtur në Kosovë që nga viti 1945 (nuk po ceki vitet përpara), mbi përpjekjet e arsimtarëve dhe doktorëve, që kanë mbajt gjallë arsimin dhe shëndetësinë gjatë aparteidit në Kosovë dhe shumë përpjekjeve tjera.

Kosova tash është në një udhëkryq të rrezikshëm, por unë jam i bindur që këtu ka djem dhe vajza që kanë me i dalë Zot këtij vendi dhe për pak pushtet nuk do të lejohet të shkelet mbi sakrificën sublime te këtij populli për të arritur deri te themelimi i Gjykatës Kushtetuese dhe themelimi i kësaj gjykate nënkupton ÇLIRIMIN E KOSOVËS!!

KOSOVA DO TË JETË E PËRJETSHME!!

I gjithë teksti është qëndrim personal i autorit.

Video nga Paradoks

"Sa ma budallë mashkulli ma shumë dhunë", "Fejohen për ni t'shkume n'deti": Valon Syla flet për dhunën ndaj grave, u drejtohet Vjosa Osmanit e Albulena Haxhiut - "Siguria financiare zgjidh shumë sene"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci