Të fundit

Vështirë është të shprehesh kur të vdes miku

Elez Osmani

Shkrim për Rexhep Bojën

Para disa ditësh së bashku me Ju, dr. Boja, vizituam një shok tjetër  të sëmurë, në Spitalin Amerikan. Më vonë, bashkë më ish të sëmurin, ju vizituam në të njëjtin spital, ngase ishit i shtrirë aty, ku edhe ndërruat jetë. Nuk u trishtuam. Vdekjen e pranuam si besimtarë. Sepse, miku ynë i shtrenjtë, vdekja të gjen aty ku dhe kur e ka caktuar i Madhi Zot. Ti vdiqe, për t’u bërë i pavdekshëm. U largove nga të gjithë ne, por prapa ke lënë vitet me veprat, që i ke kryer me përgjegjësitë më të ndritshme. Me përgjegjësinë dhe ndërgjegjen intelektuale të veçantë, si ndaj besimtarëve, si ndaj të tjerëve, duke paralajmëruar dhe duke korrigjuar atje ku kishte nevojë, se si kultivohej nderimi ndaj kombit dhe atdheut.

Prandaj, miku im, u largove i bekuar. I bekuar, si nga e kaluara, si nga e ardhmja, për rrethin familjar, të miqve dhe shokëve, si dhe për shoqërinë.  Inshallah, do të mëshiroheni edhe nga i Madhi Zot.

Ju kishit një mision dhe e përmbushet atë. Misioni Yt ishte zgjedhje, padyshim, falë vullnetit suprem, i cili pa dyshim vjen në shprehje në ligjet e fatit individual, në punët dhe veprimtaritë e tij, kurdo dhe kudo, edhe në të kuptuarit të realitetit objektiv.

Shtatëdhjetë e pesë vjetet e jetës tënde, përthekojnë kohët që lidhen me sundimin nga dy shtete. Njërin, që asnjëherë nuk u pajtove me te dhe e luftove, kurse tjetrin që u përpjeke tërë jetën për te, që është Kosova e dashur. Zoti e di sa jeni i gëzuar që edhe arkivoli juaj arriti të shohë rrezet e fundit të fronit të madh të bërjes së Kosovës shtet, pjesë e të cilit ishe edhe Ti. Ne jemi në këtë botë, për mbajtur një qëndrim qytetar dhe fetar.

Ne jemi këtu për të pohuar përparimin, për të mirëpritur bërjen mirë të filozofisë politike e fetare, për të nderuar luftëtarët madhështorë dhe shërbëtorët e atdheut, për të uruar përpjekjen fisnike të popullit tonë, të gjithë atyre që marshuan guximshëm përpara, duke bërë punë mbinjerëzore për të çimentuar lirinë njerëzore.

Me një fjalë, jemi këtu për të lavdëruar paqen, këtë vullnet sublim universal. Ulemaja, si vazhdimësi e fjalës profetike në jetën e njerëzve, edhe këtu e kanë vendin. Paqja është virtyt hyjnor, siç është edhe virtyt  i civilizimit,  Por, ju kishit një fuqi të brendshme, të rrënjosur thellë, që ishte vetëdija në shërbim të atdheut, andaj mendja jote ishte në shërbim të së vërtetës.  Kishit një mëndje e ndritur dhe një zemër e madhe.

Në jetën tënde fetar e publike, nuk të frikësuan as kërcënimet, as persekutimet, as shpifjet, as egërsia e regjimit të kaluar. Ishe i palodhshëm dhe i palëkundur për të mirën e atdheut dhe fesë. Në sa e sa raste e munde dhunën me buzëqeshjen tënde karakteristike, despotizmin e munde me sarkazmin tënd, pagabueshmërinë e njerëzve të pushtetshëm, me ironinë, kokëfortësinë e të tjerëve me këmbënguljen, injorancën e aq shumë njerëzve e munde me të vërtetën.

Por, në këtë fillim shekulli ndjeheshe me i qetë, përherë i buzëqeshur. Dukej si  ndriçim  agimi në sytë tu. Përherë ke çmuar të vërtetën, të drejtën, të mirën, të ndershmen dhe të dobishmen. Nuk të lëkunden fërfëllizat dhe erërat e reja, edhe të politikës edhe të fesë, sepse e njihje mirë burimin jo real të tyre, edhe pse, natyrisht, shpesh të zemëronin e të mërzisnin.

Ishe dhe mbete erudit, njohës i traditës, popullor, por ishe edhe diplomat i shkëlqyer. Fatmirësisht,  në këtë ecje, nuk ishit vetëm, sepse njerëzit e mëdhenj shumë rrallë janë vetëm. Pra, as Ju nuk ishit vetëm. Kjo është madhështorja e jetës dhe veprës tënde, sepse pemët e mëdha duken edhe më të mëdha kur nuk i mbulon pylli.  Kurani i ka mësuar njerëzit të jenë të arsyeshëm, se arsyetimi i mirë veprimin e bën të mirë, korrektësia e mendjes, bëhet drejtësi e zemrës. Mbi këtë parim, ju mbyllet të kaluarën dhe keni hapur horizonte të reja, drejtë së ardhmes në Bashkësinë  Islame të Kosovës.

Me Ju filloi një cikël i ri në sendërtimin e BIK. Ne e ndjenim se në këtë fillim shekulli, Kryesia e  BIK, si forcë drejtuese, e kryesuar nga Ju, do ta ketë parimin Islam, mbi arsyen dhe traditën.

Andaj, ne e kuptonim, se përpjekja për të jetësuar një udhëheqje, që Ju e zbatonit përmes mënyrës suaj të jetës, të punës të angazhimit, ishte një mënyrë për t’i nderuar dhe për t’i përjetësuar ato ideale që i kishit në jetë.

Kur ju ligjeronit mesimet fetare,kishit udhezimet kuranore,per te thirrur njerëzit me mençuri,me këshillime dhe dialogonit ne formën me të mirë.Kur flisnit arabishten kishit nje standard të larte qe ua kishin lakmi edhe vetë arabët, e mua me perkujtonte Konicën duke korigjuar anglezet për Anglishten.Ndërsa toni juaj i qetë në diplomaci , krijonte përshtypjen se ne kemi përvojë shekullore në këtë fushë.

Ndaj   nuk ishte rastësi që ju keni  kryer edhe një varg detyrash të tjera fetare e shtetërore.

Gjatë kohës sa ishte në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës ishe pjesëmarrës në mbi 150 konferenca, simpoziume e takime të niveleve ndërkombëtare ku ke dhënë një kontribut të çmuar.  Pastaj ishit edhe: Kryetar i BIK-ut,anëtar i Rijasetit në Sarajevë në Federatën jugosllave, Këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë të Kosovës; koordinator zyrtar për aktivitetet bamirëse dhe njerëzore në shtetet arabe; anëtar në Këshillin e Lartë Botëror për xhamitë në Ligën e Botës Islame; anëtar në Këshillin Transitor kosovar të formuar nga OKB-ja;  ; anëtar në Këshillin Shura për Euroazi, etj.

Miku im i shtrenjtë,kujtimet, si për çastet e lumtura, si për vështirësitë nëpër të cilat kemi kaluar, nuk do të harrohen kurrë, sepse kanë lënë mbresa dhe kujtime që nukshlyhen në jetën e të gjithë bashkëpunëtorëve që ke pasur në veprimtarinë tënde atdhetare dhe fetare. Të gjithë jemi krenar që kemi pasur një person kaq të mirë për udhëheqës dhe një mik kaq të mrekullueshëm. Por, siç thotë një autor i pa njohur:

“Ajo që lëviz nëpër ne është një heshtje, një pikëllim i qetë, një dëshirë për një ditë më shumë, një fjalë më shumë, një prekje më shumë. Ne mund të mos e kuptojmë pse u larguat nga jeta e kësaj dunjaje kaq shpejt, ose pse u larguat para se të ishim gati për të thënë  lamtumirë, por pak nga pak, ne fillojmë të kujtojmë jo vetëm që keni vdekur, por që keni jetuar. Dhe se jeta juaj na dha kujtime shumë të bukura për mos t’i harruar ”

Unë ndjehem më mirë që të njoha, më mirë se të çmova, më mirë që të kam takuar dhe më mirë që kam bashkëpunuar me ty. Qofsh i mëshiruar nga Allahu në jetën tjetër, miku im. Zoti na bashkoftë në botën tjetër, ashtu siç ishim tok në punë, mendime dhe ideale në këtë botë kalimtare.

Në kuptimin tonë fetar, e dimë se Shpirti nuk vdes, ai jeton në “Berzah”, por do të shtoja se një shkendi e tij, jeton edhe në kujtimet e atyre që të donin.

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci