Të fundit

Tenderi 12 milionë € i pasaportave: MPB-ja dyshohet se favorizoi një kompani private

Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga Xhelal Sveçla, nuk po arrin ta finalizojë kontratën për furnizim me dokumente personale tash e një vit. Dy kompani kanë ofertuar për tenderin e vlefshëm mbi 12 milionë euro. Në shkurt të këtij viti, MPB-ja e ka rekomanduar për kontratë një ofertë që është vlerësuar e papërgjegjshme teknikisht nga një ekspert i OSHP-së. Procesi është anuluar. Verdikti final i takon OSHP-së. 

Paparaci

Kosova rrezikon të mbetet sërish pa material për pajisje me dokumente personale, siç ndodhi për disa muaj në fund të vitit të kaluar, për shkak të veprimeve të dyshimta të Ministrisë së Punëve të Brendshme në tenderin për furnizim me dokumente personale të identifikimit.

Kriza e shkaktuar në fund të vitit 2022, u zgjodh përmes një kontrate një-burimore që MPB-ja e lidhi me kompaninë gjermane “Veridos”. Kontrata zgjat një vit. Sipas saj, furnizimi me pasaporta për MPB-në pritet të ndalojë pas gjashtë muajsh.

Për të shmangur këtë krizë, Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon procedurat për kontraktimin e një kompanie për furnizim me dokumente personale për një periudhë më të gjatë, përmes një procedure të hapur të prokurimit.

Megjithatë, ky proces përballet me hije të forta dyshimi për favorizimin e një konsorciumi ekonomik në garë, pavarësisht prej konstatimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit se oferta e saj është e papërgjegjshme.

Tenderi për “furnizim me dokumente personale të identifikimit dhe mirëmbajtje të sistemeve elektronike” është iniciuar në maj 2020. Dy konsorciume private nga Gjermania i kanë hyrë garës: “Muhlbauer ID Service GmbH & YMALKO shpk” dhe “AUGENTIC GmbH & In Groupe”.

Ministria ndau 12,524,000.00 euro për përmbylljen e kësaj kontrate.

Pas vlerësimit dhe shqyrtimit të ofertave, në tetor të vitit të kaluar, MPB-ja i shpalli të papërgjegjshme dhe i eliminoi nga gara të dy ofertat e dy konsorciumeve private në garë. Procesin e anuloi.

Ky vendim i hapi rrugë një beteje të gjatë administrative mes kompanive dhe MPB-së, i cili vazhdon dhe sot – më shumë se një vit pas hapjes së tenderit.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), pas ankesës së konsorciumit privat “Muhlbauer ID Service GmbH & YMALKO shpk” kundër vendimit të MPB-së, e shpall të pavlefshëm vendimin e MPB-së për anulim të tenderit dhe lëndën e kthen në rivlerësim.

Vendimi i OSHP-së vlerësoi se MPB-ja kishte kryer shkelje gjatë vlerësimit të ofertave.

MPB-ja favorizon konsorciumin “AUGENTIC GmbH & In Groupe”

Në ri-vlerësim të ofertave, Komisioni për Ri-vlerësim i Ministrisë së Punëve të Brendshme e shpall fitues të kontratës, ofertën e konsorciumit “AUGENTIC GmbH & In Groupe” në vlerë 12,329,261.27 euro.

Vendimi është publikuar më 30 shkurt të këtij viti.

Sipas vendimit të komisionit ri-vlerësues, të dy ofertat u shpallën të përgjegjshme por meqenëse kriter për dhënien e kontratës ishte çmimi më i ulët, MPB-ja e rekomandoi për kontratë konsorciumin “AUGENTIC GmbH & In Groupe”.

Edhe oferta e konsorciumit të përbërë nga kompanitë “Muhlbauer ID Service GmbH” dhe “YMALKO Sh.P.K.” u shpall e përgjegjshme, por nuk u rekomandua për kontratë shkaku i çmimit të ofertës, rreth 100 mijë euro më të lartë sesa të rivalit të saj në garë.

Ky vendim i komisionit ri-vlerësues të MPB-së rezultoi të jetë i pjesërisht i pabazuar, raporton Paparaci.

Këtë e konstatoi ekspertiza e një eksperti shqyrtues të prokurimit, e publikuar më 8 maj.

Ekspertiza e OShP-së vlerësoi se vendimi i mëparshëm i OSHP-së, i datës 3 shkurt, “në asnjë rrethanë” nuk ka konstatuar se oferta e “AUGENTIC GmbH & In Groupe” është e përgjegjshme.

“Sa i përket pjesës tjetër të pretendimit se ‘në asnjë rrethanë dhe në asnjë paragraf nuk ka konstatuar OSHP se oferta e GOE të rekomanduar për dhënie të kontratës është e përgjegjshme’, kjo pjesë e pretendimit është e bazuar sepse as Ekspertët dhe as Paneli Shqyrtues nuk kanë konstatuar diçka të tillë”, thuhet në raportin e ekspertizës së OShP-së.

Dyshimet për favorizimin e ofertës së “AUGENTIC GmbH & In Groupe” nga MPB-ja, thellohen edhe me një vlerësim tjetër të ekspertizës së OSHP-së.

Ekspertiza vlerëson se MPB-ja shkeli dy nene të Ligjit për Prokurimin Publik kur rekomandoi për kontratë konsorciumin “AUGENTIC GmbH & In Groupe”, ndonëse i njëjti nuk e ka plotësuar në tërësi kërkesën për stafin profesional.

Konsorciumi privat i rekomanduar për kontratë e kishte përfshirë më vonë ekspertin teknik, Viktor Jermolonoks, në listën e stafit të saj. Emri i tij nuk ishte përfshirë në listë me rastin e dorëzimit të ofertës së saj më 10 qershor 2022.

Po ashtu, kompania e rekomanduar për kontratë nga MPB-ja ia huq datës së referencës për ekspertin teknik, Viktor Jermolonks, sepse referencën e dorëzon me datë 11.10.2022, e cila është datë pas hapjes së ofertave që shpallur më 10.06.2022.

Ndryshimi i listës së stafit të ekspertëve teknik është në kundërshtim me dy nene të Ligjit për Prokurimin Publik, si dhe me njoftimin për kontratë dhe dosje të tenderit.

“Eksperti Shqyrtuese dhe Eksperti Teknik duke pasur parasysh që eksperti z.Viktors Jermolonoks nuk kishte qenë në listën e ekspertëve me rastin e dorëzimit të tenderit (10.06.2022), sqarojmë se pretendimi ankimor në këtë pikë është i bazuar”, thuhet në raportin e ekspertit të OSHP-së.

“Në lidhje me pikën ankimore të GOE ankues se as Ekspertët dhe as vendimi i OSHP-së nuk e ka trajtuar çështjen e ekspertit z.Viktors Jermolonoks, Eksperti shqyrtues dhe Eksperti teknik sqarojnë se as OE ankues dhe as vet AK nuk e kishin cekur asnjëherë çështjen se ky ekspert ishte futur në listën e ekspertëve pas datës së hapjes së ofertave, por e kishin pranuar si të mirëqenë certifikatën e tij”, thuhet në raport.

Pas ankesës së konsorciumit të eliminuar nga gara dhe publikimit të raportit të ekspertit të OShP-së, Ministria e Punëve të Brendshme e ka pezulluar procedurën tenderuese për furnizim me pasaporta.

OShP-ja, nuk ka caktuar ende seancë për shqyrtimin kryesor të lëndës. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"I sheh kojshiket me paketa, me kaçika": Valoni flet për pulat e alkoolin, tregon rastin nga rinia e tij - "Gërditna prej mishit t'pulës".

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci