Të fundit

Xhiroja e turpit

Xhiroja e fundit duhej të ishte njëra prej xhirove me interesante në gjithë edicionin e rregullt në futboll. Të paktën kështu ndodh pothuajse në të gjitha ligat. Por, në Superligën e Kosovës ajo u kthye në “xhiron e turpit”.

Arlind Vitija

Me skuadrat që nuk dihet se kush do të sigurojë mbijetesën e kush do të eliminohet, skuadrat “luftojnë” me të gjitha forcat për ta arritur fitoren. Rasti i fundit me Bundesligën mbrëmë, që nuk dihej se kush do të shpallet kampion deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit të ndeshjes.

Në Kosovë, duket se gjithçka shkon ndryshe. Në fakt, nga fillimi gjithçka nisi mbrapsht. Duke parë se ndeshjet zhvillohen në orarin e njëjtë për të evidentuar trukimet e mundshme, skuadrat në Kosovë gjejnë mënyra të ndryshme për ta vonuar takimin.

Pretekst në Mitrovicë ishte mungesa e autoambulancës. Kursre, kur në Ferizaj u pa se takimi në stadiumin “Riza Lushta” po vonohej, “u shfaqën probleme” me rrjetën e njërës portë.

Kështu, ndeshja mes Trepçës ’89 e Prishtinës nisi me shtatë minuta vonesë, kurse takimi mes Ferizajt e Dukagjinit filloi vetëm pas 16 minutave nga orari që kishte parashikuar Federata e Futbollit e Kosovës.

Ndeshjet e zhvilluara nuk do shumë fjalë që të përshkruhen. Në fakt, skuadrat më shumë koncentroheshin se çfarë është duke ndodhur në ndeshjet tjera, sesa në organizimin e ndonjë aksioni.

Prishtina e Ferizaj shkuan në pushim mes pjesëve me epërsinë minimale, kurse ndeshja filloi të bëhej interesante vetëm pas minutës së 80-të.

Ani pse pothuajse gjatë tërë kohës Trepça ’89 nuk krijoi ndonjë mundësi, për vetëm një minutë shënuan dy gola. Fatkeqësisht njëri prej tyre u anulua për pozitë jashtë loje. Në minutën e 84-të rezultati ishte i barabartë në Mitrovicë.

Pak minuta pasi 89-shi barazoi rezultatin, gol u shënuan edhe në Ferizaj. Këtë radhë ishte Dukagjini ai që shënoi.

Duke mos ditur se cili do të ishte epilogu i takimit në Ferizaj, futbollistët e Trepçës ’89 gjetën mënyra të ndryshme për ta vonuar ndeshjen. Problemet u shfaqën te portieri i skuadrës vendase edhe pse drejt tij nuk kishte ndonjë ndërhyrje apo goditje.

Krejt ne fund, pas një “gabimi” në mbrojtje, 89-shi shënoi tjetër gol për të arritur fitore. Duke parë barazimin në Ferizaj, skuadra nga Mitrovica do të mbijetonte në elitën e futbollit kosovar duke luajtuar në barazh, kurse Ferizaj do të eliminohej.

Por, për shkak të vonesave, në Ferizaj u akorduan 17 minuta shtesë. Nje penllati u akordua, e cila me pas u anulua nga VAR-i, ndërkaq goli i fitores është i turpshëm edhe për tu komentuar.

Portieri, që e ka të lejuar ta prek topin me dorë, zgjedh që të hidhet para një goditje me kokë që edhe një portier prej më amatori do ta priste.

Kësisoj Ferizaj shënoi fitore, e fitorja e Trepçës ’89 nuk i kreu punë. Në vitin e ardhshëm mitrovicasit do të garojnë në Ligën e Parë, e Ferizaj duhet ta kaloj edhe një sfidë në barazh për ta siguruar mbijetesën.

Mes gjithë këtyre skenave të turpshme pothuajse të gjithë zgjedhën të heshtin. Faqet zyrtare të klubeve bllokuan komentet në rrjetet e tyre sociale duke e bërë edhe më të dyshimtë krejt këtë situatë, kurse trajneri i Ferizajt e arsyeton gabimin e portierit të Dukagjinit.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi shprehet se niveli i ligës është në rritje, teksa nuk pranon të komentoj ndeshjet tjera në elitën e futbollit kosovar.

E neve na mbetet veç të shohim e të dëgjojmë se çfarë do të thonë “analistët” e futbollit të dielën mbrëma në studiot televizive e të komentojnë në Facebook aty ku na lejohet.

Sikurse të ishte hera e parë ndoshta edhe do të dukej çudi. Mirëpo, në Superligën e Kosovës tash e sa kohë xhirot e fundit kthehen në “xhiro turpi”, e shpeshherë togfjalëshit iu bashkohen edhe institucionet e drejtësisë./Paparaci.com

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci