Me përfundimin e vizitës së Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar janë zbardhur edhe detaje mbi mesazhet që dyshja e emisarëve përcolli në Kosovë. Mediat raportojnë, bazuar në burime brenda takimit të dyshes ndërkombëtare me Albin Kurtin, se ata i kanë dhënë kryeministrit dy ditë afat për t’i kthyer përgjigje kërkesave specifike të Perëndimit mbi zgjidhjen e krizës në veri.
Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar e përfunduan pa komunikuar ndonjë pajtim me Qeverinë e Kosovës mbi zgjidhjen e krizës në veri.
Megjithatë, ata përcollën qëndrimet dhe kërkesat e Perëndimit në zyrën e kryeministrit Albin Kurti të hënën në mbrëmje.
Derisa qeveria tha të hënën se gjatë takimit tre-palësh Kurti-Escobar-Lajçak u “shkëmbyen ide e mendime”, emisarët i kanë dhënë dy ditë afat shefit të qeverisë për t’i kthyer përgjigje kërkesave të paraqitura javën e kaluar mbi de-eskalimin e situatës në veri.
“Kurti dhe Vuciq kanë kohë deri të premten, për shkak se te premten unë dhe Lajcak i japim përgjegjësi eprorëve tanë”, u shpreh Escobar të martën në një takim me gazetarë në Kosovë.
Pas një takimi mes presidentes Vjosa Osmani dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në praninë e Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, evropianët paraqitën tri kërkesa të qarta për veriun.
“Zgjedhje të reja menjëherë; sigurim të pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës; fillim të punës për themelimin e Asociacionit”, shkroi në formë të prerë Borrell pas takimit të enjten e shkuar.
Ndërkaq, liderët e dy partive më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK janë shprehur të shqetësuar në lidhje me situatën në veri, pas takimit me emisarët Lajçak dhe Escobar të martën.
Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, alarmuan për dëmtim të raporteve me aleatët dhe pasoja të rënda për Kosovën.
Krasniqi tha se nuk është parë lëvizje përpara nga qeveria.
“Ne po shohim se s’ka lëvizje përapara, ka një situatë që është duke dëmtuar Kosovën në kuptimin e raporteve të saj ndërkombëtare, në radhë të parë me partnerët strategjik”, ka thënë Krasniqi.
As kërkesa ndaj opozitës, Krasniqi deklaroi se nuk pati.
S’ka pas kërkesa përtej një informimi më të detajshëm për situatën që është zhvilluar, për diskutimet e deritashme, për qëndrimet që vërtet asnjëherë s’kam parë shqetësime të këtij niveli, të kësaj natyre nga ana e partnerëve më të rëndësishëm të Kosovës”, u shpreh kreu i PDK-së.
Sikurse kreu i PDK-së, edhe Abdixhiku i LDK-së kritikoi kryeministrin Albin Kurti, por edhe presidenten Vjosa Osmani për veprime të pakoordinuara me aleatët, të cilat sipas tij, po prodhojnë vetëm kriza në vend.
“Po futemi bukur në një situatë shqetësuese për Republikën e Kosovës dhe për më tepër të paqartë. Shqetësuese për shkak të gjendjes, relacioneve që Kosova ka me aleatët e saj dhe të paqartë për shkak të mungesës së planit dhe gatishmërisë së kryeministrit të Kosovës për dakordim me aleatët tanë”, u shpreh Abdixhiku.
Ai alarmoi për pasoja të tjera të mundshme ndaj Kosovës.
“Në këtë fazë, Kosovës i mbetet të sheh dhe pasojat që mund të vijnë nga një relacion i tillë, në radhë të parë nga ShBA-ja, BE-ja dhe NATO“, deklaroi i pari i LDK-së.
Pas përfundimit të vizitës dy-ditore në Kosovës, Lajçak dhe Escobar do të udhëtojnë sot drejt Beogradit ku do të takohen me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. /Paparaci.com
