Prokuroria Themelore ka njoftuar se është duke hetuar një agjensi turistike të quajtur “BCD Travel”, për mashtrim të qytetarëve për aranzhmane turistike në Turqi, Dubai, Maldive, Egjipt, si dhe përmes shitjes së biletave të fluturimeve në vendet e Evropës, shkruan Paparaci.
Sipas njoftimit, e njëjta e cila më herët operonte me seli dikur në Bregun e Diellit, në Prishtinë, tani është duke funksionuar online, në rrjetet sociale, me disa persona të dyshuar se në bashkëkryerje po mashtrojnë qytetarët e Kosovës, por edhe të vendeve fqinje.
Sipas njoftimit dyshohet se ky grup i personave ka mashtruar qindra qytetarë të cilët kanë paguar shuma të konsiderueshme të parave, kinse për sigurimin e vizave në vendet evropiane, ashtu që prokurori i shtetit është duke vazhduar me trajtimin e rastit në fjalë dhe ndërmarrjes së veprimeve të tjera hetimore.
“Ju sigurojmë se, Prokurori i Shtetit është duke e trajtuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm këtë rast dhe personat e përfshirë në kryerjen e veprave penale do të ndiqen penalisht, andaj u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët janë të dëmtuar nga ky agjencion turistik, të bashkëpunojnë me organet e rendit, pasi synimi kryesor është luftimi i suksesshëm i krimit dhe sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe mos të bien pre e mashtrimeve të tilla”, thuhet në njoftim.
