Të fundit

Presidentja Osmani nuk e dekreton Blerim Isufajn

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për media ka njoftuar se nuk e ka dekretuar kryeprokurorin e ri.

Ajo ka thënë se për këtë e ka njoftuar edhe zyrtarisht Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Sot e kam njoftuar zyrtarisht KPK-në lidhur me vlerësimin e procedurave të ndjekura nga ky institucion në procesin e përzgjedhjes së Prokurorit, siç jeni në dijeni, pas një periudhe të gjatë të kontestimit të këtij procesi në gjykatat e Kosovës, para pak ditësh edhe Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendimin lidhur me këtë rast duke konsideruar procesin e kontestimit si të pasafatshëm. Pra, është me rëndësi të sqarohet qysh në fillim se asnjë gjykatë nuk i ka trajtuar ankesat nga aspekti përmbajtësor.”, tha Osmani.

Ajo gjithashtu ka thënë se gjatë procesit është përkujdesur të mos ndërhyjë në proces dhe ka thënë se këtë e ka bazuar në faktin që Kosova ka pasur u.d të Kryeprokurorit pa asnjë kufizim në kompetenca.

“Më lejoni t’i shqyrtoj dy elemente të rëndësishme; E para, për gjatë gjithë procesit jam përkujdesur maksimalisht që me veprimet e mija si presidente ta shmang çfarëdo ndërhyrje potenciale në drejtësi, prandaj jam përmbajtur nga çfarëdo vendimmarrje që do të cenonte proceset para gjykatave apo afatet kohore të cilat i kanë pasur në dispozicion kundërkandidatët, e dyta; mosndërhyrja ime është bazuar edhe në faktin se përgjatë gjithë kësaj periudhe, Kosova ka pasur u.d të Kryeprokurorit të Shtetit, pa asnjë kufizim në kompetenca, konform edhe me sqarimet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese me këtë temë.”, tha Osmani.

Osmani gjithashtu ka thënë se bazuar në këto dy elemente, ajo ka vendosur që të bëjë vlerësimin e procedurave të ndjekura nga KPK në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Pikërisht, duke u bazuar në këto dy elemente, por edhe duke marrë për bazë rëndësinë jetike të funksionimit kushtetues të institucioneve, kam bërë edhe vlerësimin e procedurave të ndjekura nga KPK-ja ashtu siç edhe më obligon praktika e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, kjo për faktin se funksionimi kushtetues i institucioneve ka parakusht të patejkalueshëm respektimin e procedurave kushtetuese/ligjore si dhe të rregulloreve të secilit institucion pa dallim. Bazuar në frymën dhe shkronjën e kushtetutës tonë të argumentuar nga aktgjykimet e shumta te Gjykatës Kushtetuese, konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore.”, tha Osmani.

Ajo ka thënë se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit është cilësuar “si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore ashtu edhe prej shumë partnerëve ndërkombëtarë.”

“Siç jeni në dijeni, procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore ashtu edhe prej shumë partnerëve ndërkombëtarë. Vlerësimi i institucionit që drejtoj lidhur me procedurën e përzgjedhjes së Prokurorit është bërë brenda mandatit tim kushtetues, ky vlerësim ka evidentuar të gjitha shkeljet procedurale që ishin potencuar më parë nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë.”, tha Osmani.

Ajo gjithashtu ka thënë se në procesin e vlerësimit të Presidencës, disa nga shkeljet e evidentuara janë:

  • E para, shmangie nga zbatimi i kritereve ligjore në përzgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit
  • E dyta, mohimi i mundësisë për mjet ankimor efektiv brenda KPK-së për kandidatët e pakënaqur përmes refuzimit arbitrar të raportit të komisionit për rishqyrtim të kundërshtimeve
  • E treta, shkelja në procedurat e vlerësimit të reputacionit profesional të kandidatëve,
  • E katërta, shkelje në procedurat e vlerësimit të integritetit të kandidatëve,
  • E pesta, shkelje në procedurat e vlerësimit të koncept-dokumentit dhe prezantimit të tij nga kandidatët,
  • E shtata, cenimi i parimit të transparencës përgjatë procedurave të përzgjedhjet
  • E teta, cenimi i parimit të barazisë përgjatë procedurës së përzgjedhjes së Kryeprokurorit
  • E nënta, cenimi parimit të meritokracisë përgjatë procedurave të përzgjedhjes
  • E dhjeta, mungesat në dokumentacionet e dorëzuara nga KPK përkundër kërkesave të presidencës që ta plotësojë atë.

Osmani gjithashtu ka thënë se shkelje lidhur me këtë proces janë evidentuar edhe shkelje nga institucione vendore e ndërkombëtare.

“Shumica e shkeljeve që janë pjesë e vlerësimit të Presidencës janë konstatuar edhe gjatë procedurës dhe janë bërë të ditura nga organizatat monitoruese të shoqërisë civile dhe nga ambasadat e SHBA-ve, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian. Për më tepër, këto shkelje procedurale janë cilësuar edhe nga raporti i BE-së për Kosovën për vitin 2022, si mungesë e drejtësisë, transparencës dhe parimeve të meritokracisë në procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit.”, tha Osmani.

Në fund, ajo ka njoftuar se bazuar në këto të dhëna, ka vendosur të mos e dekretojë kandidatin e propozuar nga KPK-ja për Kryeprokuror.

“Përgjegjësia ime për garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve, më obligon që gjatë një procesi të tillë që cenon rëndë parimet dhe vlerat fundamentale të Kushtetutës tonë dhe prodhon padrejtësi konkrete dhe diskriminim, të mos rri duarkryq. Prandaj, siç e përmenda në fillim, sot e kam njoftuar KPK-në lidhur me këtë vlerësim të procedurës, i cili duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e lartpërmendura më obligon që mos të bëj dekretimin e kandidatit të propozuar për Kryeprokuror sipas propozimit të KPK-së.”, tha Osmani. /Paparaci.com/ 

Video nga Paradoks

Audio-incizimi: Gërvalla premton që do t’i sjellë para bordit dy agjentët e AKI-së

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci