Të fundit

Shpërblimi i majmë për ish-funksionarin e LVV-së: Punësohet në KEK, familja e tij përfiton 100 mijë € grant

Një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-udhëheqës i një pike të partisë në Obiliq, ka pranuar shpërblime të majme nga pushteti. Është punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës. Familja e tij ka përfituar grant prej 100 mijë euro. Ai e ka mohuar intervenimin e politikës.  

Me Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet, Egzon Zhegrova, ish-kryetar i një pike të LVV-së në Obiliq, është shpërblyer me punësim në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe familja e tij ka përfituar një grant prej 100,000.00 € për bujqësi.

Korporata Energjetike e Kosovës ka punësuar 80 persona përmes një konkursi publik në muajin shtator të këtij viti, tregojnë dokumentet që ka siguruar Paparaci.

Në mesin e të punësuarve, ndodhet edhe Egzon Zhegrova, ish-kryetar i Pikës së LVV-së në Mazgit të Epërm dhe aktivist politik i afërm me Halil Thaçin, udhëheqësin e Qendrës së Vetëvendosjes në Obiliq.

Zhegrova, është punësuar në pozitën e manipuluesit të shiritave transportues në KEK, bazuar në të dhënat që ka siguruar Paparaci.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk ka dhënë detaje shtesë rreth konkursit, procedurave të tij dhe të të punësuarve, duke refuzuar të përgjigjet në pyetjet me shkrim të Paparacit.

KEK-u ka refuzuar të përgjigjet edhe në pyetjet e mediumit rreth punësimit të Egzon Zhegrovës, i cili deri vitin e kaluar ushtronte funksion në Lëvizjen Vetëvendosje.

Por, Egzon Zhegrova ka mohuar ndikimin politik në punësimin e tij në KEK.

Në një bisedë me Paparacin të mërkurën, ai ka thënë se aktivizmi politik i tij nuk ndërlidhet me punësimin në KEK.

“Vetëm dijeni një gjë se qitu intervenca nuk ka pas kurrkush”, ka thënë Zhegrova.

Ai ka thënë se konkursi për punësimin e 80 personave në KEK ishte hapur në prill të këtij viti, por ishte anuluar pas dyshimeve të ngritura për punësime në baza partiake, për t’u rihapur sërish në muajin shtator.

“Disa prej neve e kanë padit KEK-un se neve na ka bo padrejtësi”, ka thënë Zhegrova për Paparacin.

Ai ka treguar se konkursi i njëjtë është hapur sërish në shtator, ku ka aplikuar dhe testin e ka mbajtur me 12 shtator 2023. Ka thënë se ka marrë rreth 90 pikë në testin me shkrim.

“Për 80 vende pune, kanë apliku shumë pak persona”, është shprehur Zhegrova.

Edhe pse tash e më shumë se një vit dikush tjetër është udhëheqës i Pikës së LVV-së në Mazgit të Epërm, Egzon Zhegrova vazhdon të shoqërohet me deputetin dhe kryetarin e Qendrës në Obiliq, Halil Thaçi, tregojnë fotografi të publikuara në rrjetet sociale.


Egzon Zhegrova dhe deputeti Halil Thaçi shoqërohen me njëri-tjetrin

Edhe profili i tij në rrjetin social “Facebook” është i mbushur me postime në përkrahje të partisë në pushtet.

Në mars të këtij viti, derisa ndodhej në mesin e përpjekjeve për punësim në KEK, Qeveria e Kosovës e ka ‘shpërblyer’ me një grant në vlerë prej 100 mijë eurove familjen e Egzon Zhegrovës.

Ministria e Bujqësisë, e udhëhequr nga Faton Peci, ka ndarë një grant për fidanishte për familjen e Zhegrovës. Përfituese zyrtarisht ishte Anife Zhegrova, familjare e ish-funksionarit të LVV-së.

Në fotografitë e publikuara nga ministri Peci me rastin e ndarjes së grantit për familjen Zhegrova, është shfaqur edhe Egzon Zhegrova.


Ministri Faton Peci dhe Egzon Zhegrova/ Foto: Facebook

“Dita e dielë më gjeti në Stanovc e Brezhnicë, tek fermerja Anife Zhegrova e cila është përfituese e grantit prej 100,000€ për fidanishte”, njoftoi ministri Peci.

Ministria e Bujqësisë, nuk është përgjigjur në pyetjet me shkrim që Paparaci i ka dërguar në adresë të Zyrës për Komunikim të mërkurën, në lidhje me bazën dhe procedurat e ndarjes së grantit 100 mijë euro për gamiljen Zhegrova. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"Pasul e mantia": Deputetja e PDK-së flet për jetën bashkëshortore, tregon 'sekretin' e një martese të lumtur

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci