Mesfushori i Ballkanit, Qëndrim Zyba ka shpresuar se Ballkani do të arkëtonte pikët e plota ndaj Astanës sonte, teksa është shprehur i mërzitur me barazimin.
Ndonëse dominoi ndeshjen, Ballkani arriti vetëm një pikë në Kazakistan, duke mbyllur ndeshjen pa gola.
Mesfushori Zyba ka deklaruar se Ballkanit i ka munguar fati sonte, pasi që ndeshja ishte në anën e tyre.
“Na dhimbsen ato dy pikë pasi dominuam ndeshjen si nga posedimi ashtu edhe nga rastet. Kemi ardhur për fitore, por fati nuk është pjesë e lojës dhe mbetëm me vetëm një pikë. Kundërshtari na ka respektuar shumë pasi kanë parë ndeshjet tona, sidomos në ndeshjen e parë na kanë studiuar shumë. Mirëpo për sot mund të them se fati nuk ishte me ne”, ka thënë Zyba.
Pas katër ndeshjeve, Ballkani ka vetëm katër pikë në Grupin C të Ligës së Konferencës, megjithatë shpresat për kualifikim janë akoma të hapura.