Komisioni i Pavarur i Mediave i ka paralajmëruar qytetarët lidhur me dy operatorë kabllorë që pretendojnë se kanë marrëveshje për transmetimin e kanaleve DigitAlb në Kosovë.
Në një mbledhje të mbajtur sot, KPM-ja shqyrtoi ankesat e qytetarëve për largimin e kanaleve DigitAlb nga disa operatorë kabllorë dhe i dënoi katër prej tyre me 100 euro gjobë.
Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti tha se pas datës 1 janar dy operatorë të tjerë: ISP Broadcast dhe Telekomi i Kosovës, kanë reklamuar se kanë arritur marrëveshje me DigitAlb, raporton Paparaci.
Megjithatë, ai paralajmëroi qytetarët se kontratat e pretenduara të këtyre dy operatorëve me DigitAlb, ende nuk janë dorëzuar në KPM dhe se pa u dorëzuar në KPM këto kontrata, nuk mund të bëhet transmetimi i kanaleve.
“KPM-ja është njoftuar se dy operatorë të tjerë kanë reklamuar se kanë në pakon e vet kanalet DigitAlb. Këta operatorë janë ISP Broadcast dhe Telekomi i Kosovës dhe lidhur me këtë rast, KPM-ja ka kërkuar nga këta dy operatorë që kontratat që supozojnë se e kanë me DigitAlb ta dorëzojnë te KPM-ja dhe ne si KPM jemi në pritje të dorëzimit të kontratave nga ana e këtyre dy operatorëve dhe këtë me qëllim po e përmendi që qytetarët të mos bien në lajthitje”, tha Mehmeti.
KPM-ja i sanksionon me 100 mijë euro katër operatorë kabllorë
