Telekomi i Kosovës i ka siguruar për dy vjet përmbajtjen televizive të operatorit kabllor nga Shqipëria, DigitAlb.
Kontrata mes palëve, e cila do të nënshkruhet sot, është parashikuar të peshojë 1.3 milionë euro, raporton Paparaci.
Dosja e kontratës së lidhur përmes procedurës së negociuar të prokurimit publik është publikuar në platformën e-prokurimi.
Për dy vitet e ardhshme, vlera e kontratës parashihet të shkojë deri në 1.3 milionë euro, megjithatë palët janë marrë vesh që pagesa të bëhet në bazë të një dakordimi që palët kanë me çmimin për njësi për abonent.
“Vlera totale e vleresuar e kontratës është 1,300,000.00 Euro për një periudhë të dy vjecare, ndersa pagesa do behet ne baze te dakordimit me cmimin per njesi per abonent”, thuhet në njoftim.
Komisioni i Pavarur i Mediave i ka paralajmëruar qytetarët lidhur me dy operatorë kabllorë që pretendojnë se kanë marrëveshje për transmetimin e kanaleve DigitAlb në Kosovë.
Njëri prej dy operatorëve të cilëve iu referua ishte Telekomi.
Të premten, në një mbledhje ku shqyrtoi ankesat e qytetarëve për largimin e kanaleve DigitAlb nga disa operatorë kabllorë dhe i dënoi katër prej tyre me 100 mijë euro gjobë, kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti tha se pas datës 1 janar dy operatorë të tjerë: ISP Broadcast dhe Telekomi i Kosovës, kanë reklamuar se kanë arritur marrëveshje me DigitAlb.
Megjithatë, ai paralajmëroi qytetarët se kontratat e pretenduara të këtyre dy operatorëve me DigitAlb, ende nuk janë dorëzuar në KPM dhe se pa u dorëzuar në KPM këto kontrata, nuk mund të bëhet transmetimi i kanaleve.
“KPM-ja është njoftuar se dy operatorë të tjerë kanë reklamuar se kanë në pakon e vet kanalet DigitAlb. Këta operatorë janë ISP Broadcast dhe Telekomi i Kosovës dhe lidhur me këtë rast, KPM-ja ka kërkuar nga këta dy operatorë që kontratat që supozojnë se e kanë me DigitAlb ta dorëzojnë te KPM-ja dhe ne si KPM jemi në pritje të dorëzimit të kontratave nga ana e këtyre dy operatorëve dhe këtë me qëllim po e përmendi që qytetarët të mos bien në lajthitje”, tha Mehmeti.