Të fundit

Virusi serb

Fëmijët nga Serbia nuk duan të luajnë top me fëmijët nga Kosova: kur kadetët e ekipit serb të volejbollit nuk luajnë një ndeshje me kadetët e ekipit të volejbollit të Kosovës – ky është një mesazh, apo jo? Nuk shoh se si mund të kuptohet ndryshe. Por, nëse është mesazh, çfarë do të thotë në të vërtetë, pyet Dejan Iliq në një kolumne të publikuar në portalin serb pescanik.net.

Edhe pse nuk jetojnë bashkë, këta fëmijë jetojnë pranë njëri-tjetrit. Dikush do të thoshte – fqinjët. Përveçse nuk janë. Sepse fqinjët nuk e kanë problem të luajnë top. Dhe ata shoqërohen, të paktën ndonjëherë. Nëse ata nuk luajnë me njëri-tjetrin dhe nuk shoqërohen me njëri-tjetrin, atëherë më së shumti duket sikur ata po përgatiten të shikojnë njëri-tjetrin përmes tytës së armës në kohën e duhur. A jam duke e ekzagjeruar? Le të mendojmë pak më shumë.

Pra, lajmi thotë, të dielën pasdite, ekipi i kadetëve të Serbisë në volejboll refuzoi të zhvillojë një ndeshje zyrtare me ekipin e volejbollit të kadetëve të Kosovës. Ata është dashur të luajnë në Strumicë të Maqedonisë në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Evropian. Kështu kombëtarja e Serbisë ra nga kualifikimet kurse Kosova shkon përpara. Vetëm, ajo pjesë konkurruese është krejtësisht e parëndësishme. Është interesante vetëm në atë masë sa tregon një kapacitet serioz për vetë-shkatërrim që zhvillohet dhe forcohet te “serbët” sidomos në moshën e ndjeshme formuese, pra adoleshente.

Shumë më e rëndësishme se vetë përjashtimi nga gara është një aspekt tjetër i refuzimit për të luajtur. Dikush ka dërguar mesazh se nuk ka lojë të pafajshme për fëmijët “tanë”, sidomos jo me shqiptarët e vegjël nga Kosova. Kushdo që mendon se kjo ka të bëjë me mosnjohjen e Kosovës, gabohet thellë. Këtu bëhet fjalë për rritjen dhe edukimin e të rinjve për aradhet luftarake (pavarësisht nëse do ta gjenden në to apo para tyre). Fëmijët “serbë” janë urdhëruar të mos luajnë me fëmijët “shqiptarë”. Ana e kundërt e këtij urdhri është e thjeshtë: kur të rriten, nëse u krijohet mundësia, do të lejohen të qëllojnë ata fëmijë (që do të rriten gjithashtu). Dua të them, edhe nëse nuk e njeh Kosovën, çfarë të keqe ka që fëmijët të luajnë?

Dhe nëse për ndonjë mrekulli fatlume do ta luanin atë ndeshje, të paktën ata dhjetë të rinj do të kishin menduar mirë nëse do të qëllonin kur një ditë (dhe shpresojë se ajo ditë nuk do të vijë kurrë) “dikush” do t’u vendoste një pushkë në duar. Po, kështu e shoh këtë gjest të përgjegjësve të volejbollit “serb” (“serb” këtu duhet të jetë para së gjithash në thonjëza sepse tek ne gjithçka, por absolutisht gjithçka, është me ngjyrë etnike dhe ka qëllimin etnik dhe jo, le të themi, qëllimin sportiv): ndalimi që të luhet është pjesë e punës edukative me të rinjtë, që në Serbi është sinonim i stërvitjes paraushtarake. Por nuk bëhet fjalë vetëm për të ndërtuar mure (në këtë kuptim, volejbolli mund të jetë edhe i pranueshëm për këtu “mbrojtësit e çështjes kombëtare” për shkak të rrjetës së shtrirë në mes të fushës), por edhe për të gënjyer dhe për të shmangur përgjegjësinë.

Sepse kadetët e Serbisë nuk thanë – nuk do të luajmë sepse nuk e njohim Kosovën. Atyre iu është thënë të shkojnë te mjeku, të thonë se nuk janë mirë dhe se nuk mund të luajnë në këtë ndeshje. Dhe kanë gënjyer që kombëtarja të mos diskualifikohet nga garat e radhës. (Si do të kualifikohet ajo në ato gara nëse refuzon të luajë është një pyetje krejtësisht tjetër, për të çka, me sa duket askush nuk po mendon.) Këto janë shtresa të reja të punës edukative. Nuk duhet të luash as top me shqiptarët. Por nuk duhet thënë kështu, sepse pason dënimi. Dhe ikja nga dënimi është më e rëndësishme sesa të themi qartë atë që mendojmë. Deri në ndonjë takim të ri me shqiptarët, kur të gjithë do të jenë sërish të sëmurë. “Virusi serb” në vepër. (Mungojnë shumë thonjëza në sintagmën “virus serb”, le t’i fusë vetë lexuesi.)

Kështu duket përafërsisht edukata patriotike “serbe”. Rendi i urrejtjes, rendi i gënjeshtrës, rendi i shmangies frikacake të pasojave.

A po ekzagjeroj, po përgjithësoj bazuar në një ngjarje të izoluar? Lexuesi ndoshta e ka harruar kur pesë vjet më parë “bota serbe” u mblodh për të penguar vajzat nga Kosova të luanin me top në një periferi të Beogradit. Epo, në vend që policia t’i përzënë banditët, ministri i atëhershëm i policisë (“më budallai” Stefanoviq) i dërgoi vajzat në shtëpi, në Kosovë. Dhe ka shpjeguar se protestuesit kanë të drejtë, sepse kush janë vajzat nga Kosova të luajnë në Serbi, edhe atë me “vajzat serbe”. Ata ishin hendbolliste të reja të Kosovës. Disa prindër nga Kosova i dërguan/lejuan këta fëmijë të shkojnë në Serbi. Ata na besuan, mendonin se në fund të fundit dhe pavarësisht gjithçkaje, fëmijëve të tyre te ne nuk mund t’u ndodhte asgjë e keqe. Ata tek ne panë njerëz si ata vetë. Dhe, çfarë ndodhi – protestuesit sulmuan vajzat, nuk i lanë të luajnë top.

Ja çfarë më intereson – kur flet Kurti me Vuçiqin, kë e përfaqëson? Atë që ai përfaqëson, “ne” e njohim apo jo? Cilado qoftë përgjigja, pse një rregull vlen për fëmijët dhe një tjetër për Vuçiqin? Sepse këtu fëmijëve serbë u ndalua të luanin me fëmijët shqiptarë në Strumicë të dielën dhe menjëherë të hënën në Shkup të rriturit Vuçiq dhe Kurti janë së bashku në një portret grupor të kryetarëve të qeverive dhe ministrave të shteteve (pra: të shteteve!) të Ballkanit Perëndimor. (Po, Vuçiq është i huaji në foto: i vetmi president i shtetit në takim.) Pyetja e fundit është atëherë – kush po luan me kë?/Paparaci.com

Video nga Paradoks

"Kom rrudha, s'kom hundë perfekte": Deputetja e PDK-së tregon a ka ndërhyrje estetike, flet edhe për debatet - "Meniher ta tregoj Arianën e egër"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci