Shkruan: Blerim Shala
Në politikën perëndimore dhe në demokracinë evropiane, deri sivjet nuk ka pasur ngjarje më të mërzitshme se sa zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Dalja e votuesve ka qenë gjithmonë më e ulët se sa në zgjedhjet kombëtare, rezultati ka qenë pak a shumë i parashikueshëm, në fund, Komisioni Evropian (Qeveria e Bashkimit Evropian), rëndom ka mbledhur burokratë dhe politikanë relativisht të panjohur të kontinentit. Për më shumë, ky Komision i është subordinuar Këshillit Evropian, që mbledhë liderët e shteteve anëtare, ata që janë bartës real të fuqisë politike në BE.
Megjithatë, duket që kësaj here, zgjedhjet e dhjeta për Parlamentin Evropian, të cilat do të mbahen prej 6 deri në 9 qershor, do të jenë shumë më të rëndësishme (dhe poaq interesante), se sa zakonisht, për shkaqe të shumta, të cilat reflektojnë zhvillimet madhore politike dhe historike në Evropë dhe në Botë.
Madje, ka të tillë në mesin e politikanëve dhe analistëve perëndimorë të cilët pohojnë që këto zgjedhje mund të jenë vendimtare për fatin e BE-së në 10-15 vitet e ardhshme.
Para se të gjithash, në këto votime do të kuptohet çfarë përmasash ka marrë hovi më i ri popullist që vie nga ekstremi i djathtë, i cili është në rritje e sipër thuaja kudo në Evropë, përfshirë këtu edhe Gjermaninë dhe Francën.
E përbashkëta e të gjithë lëvizjeve populliste të djathta është dyshimi që BE-ja si organizatë, si strukturë, mbi të gjitha, si vlerë, duhet të vazhdojë të ekzistojë si e tillë.
Sipas popullistëve djathtistë, BE-ja ose duhet të ndryshojë në mënyrë thelbësore, e kjo nënkupton veçmas një politikë të matur karshi kërcënimit të Rusisë së Vladimir Putinit, dhe gjithsesi, ndryshim rrënjësor të politikës ndaj refugjatëve që mbërrijnë në Evropë në të katër anët, ose, BE-ja mund edhe të shpërbëhet.
Ky është kërcënimi i parë që i vie BE-së, nga brenda, nga vetë partitë dhe lëvizjet politike të shpërndara në shtetet evropiane.
Kërcënimi i dytë është ai që Bashkimit Evropian i vie nga Lindja, nga frontet e Ukrainës, ku tash e dy vjet po zhvillohet lufta në mes të Rusisë dhe Ukrainës.
As gjatë Luftës së Ftohët Evropa dhe Perëndimi nuk janë ballafaquar me një sprovë të sigurisë dhe paqes të këtyre përmasave.
Është thënë, saktësisht, që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, lufta në Ukrainë paraqet rrezikun më të madh për paqen evropiane dhe për BE-në.
Komisioni i ardhshëm evropian do të ketë në përbërjen e tij, për herë të parë, Komisionerin për mbrojtje, pikërisht si pasojë e kësaj lufte fundi i të së cilës nuk mund dot të parashikohet.
Kërcënimi i tretë i vie BE-së nga Perëndimi, nga zgjedhjet e reja presidenciale në Amerikë, që do të mbahen me 5 nëntor.
Tashmë dihet që do të përsëritet ai dy-luftimi i madh i para katër viteve, kur përballë njëri-tjetrit u gjetën Joseph Biden i demokratëve dhe Donald Trump i republikanëve.
Te dytë po garojnë për ta marrë mandatin e dytë presidencial.
Biden dhe Trump nuk lënë vend për dyshim se çfarë politika do të kenë karshi Evropës (dhe BE-së), nëse i fitojnë zgjedhjet dhe do t’i prijnë Amerikës prej Dhomës Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Biden llogaritë partneritetin trans-atlantik si vlerë jetike për SHBA-në, teksa Trump paralajmëron një politikë distancuese ndaj Evropës Perëndimore, duke përfshirë këtu madje edhe ndihmën ushtarake (dhe jo vetëm), që Washingtoni në vazhdimësi ka dhënë për Kijevin (Ukrainën).
Kërcënimi i katërt i vie BE-së nga vetëvetja, nga një krizë e identitetit politik, e cila ka decenie të tëra që ekziston, por që u thellua pas BREXIT-it, apo daljes së Britanisë së Madhe (me Referendumin e vitit 2016).
BE-ja, në të kaluarën nuk ka pasur asnjëherë farë pretendimesh të mëdha gjeopolitike.
Shumë herë BE-ja është përshkruar si një gjigant ekonomik dhe si xhuxh politik.
Ky përshkrim i sakt, në masë të madhe ka qenë real, dhe njëkohësisht, nuk i ka bërë dëm fare BE-së, sepse Bashkimi Evropian ka mundur të jetë i këtillë deri para dy viteve.
Por lufta në Ukrainë përmbysi një BE të këtillë, sepse e bëri vet territorin evropian pjesë e një konteksti dhe kontesti gjeo-politik në mes të Perëndimit dhe Lindjes.
Për më shumë, dihet që Ballkani Perëndimor, u bë gjithashtu një ‘front gjeo-politik’, në vijim të luftës në Ukrainë.