Të fundit

Shkoi në Zvicër si 15-vjeçar, u kthye 35 vite më vonë dhe fitoi ankandin e parë solar në Kosovë

Duke e nisur nga hiçi, Avni Orllati është sot në krye të një kompanie ndërtimi me rreth një mijë punonjës e që qarkullon qindra miliona franga në Zvicër.

I lindur në një fshat të Rahovecit, Avni Orllati shkoi në Zvicër nga Kosova në moshën 15 vjeçare, në vitin 1989.

“Babai im ka ardhur në Zvicër në vitet 1970 si punëtor sezonal, gjithmonë ka punuar në kantiere. Kur erdha këtu, nisëm të punonim me vëllezërit e mi. Aty e kapëm defektin e ndërtimit”.

Sot, 35 vjet më vonë, dhe me një historie të pabesueshme suksesi ndërmjet, Avni Orllati dhe kompania e tij ‘Orllati Group’ i kanë zgjeruar operimet edhe në Kosovë, vendin e tij të lindjes.

Grupi ndërtimor me bazë në Lozanë të Zvicrës, ka fituar të premten ankandin e parë të Qeverisë së Kosovës për energji diellore prej 100 megavatësh.

Pesë ofertues konkurruan në ankand, duke përfshirë një konsorcium midis kompanive turke Calik Group dhe Limak Holding, Akuo Energy të Francës, kompanisë elektrike egjiptiane Elsewedy Electric dhe një konsorciumi tjetër turk Guris İnsaat dhe Muhendislik.

Megjithatë, oferta fituese e ankandit u përzgjodh ajo e ‘Orllati Group’.

Kompania e shqiptarëve të Zvicrës ka fituar një kontratë koncesioni 30-vjeçare për të zhvilluar një termocentral fotovoltaik (PV) 100 Megavatësh në një zonë në Rahovec, si dhe një marrëveshje 15-vjeçare për blerjen e energjisë elektrike.

Konsorciumi pritet të investojë 70 milionë euro në projekt.

Kush janë pronarët e Orllati Group?

Orllati Group është një kompani familjare. Ajo drejtohet nga Avni Orllati dhe vëllezërit e tij.

Siç shkruante gazeta zvicerane Le Temps, Avni Orllati, bossi i kompanisë, është i lindur në vitin 1974 në Kosovë, në një familje fermerësh, jo shumë larg Rahovecit.

Avni Orllati mbërriti në Zvicër në moshën 15 vjeçare, duke përfituar nga bashkimi familjar. Babai i tij më punonte për kompaninë e ndërtimit Dentan në Renens.

Në vitin 1995, ai vendosi të krijonte kompaninë e tij me vëllain e tij binjak Basriun, duke marrë me qira një makinë për të thyer beton. Ata atëherë ishin vetëm 21 vjeç. Morën kontratën e tyre të parë me Pierre Dentan, punëdhënësin e babait të tyre.

Dy vjet më vonë, kompania Orllati bleu një kompani në falimentim e cila kishte një stok të madh makinerish.

Ata morën projektin e tyre të parë madhor me Philip Morris International, në Lozanë, i cili do të pasohet nga Nestlé në Vevey.

Sipas një raportimi të televizionit publik zviceran RTS në vitin 2022, Orllati Group është një kompani që qarkullon të hyra deri në 400 milionë franga në vit.

Në vitin 2017, në një intervistë për Le Temps, Orllati ishte pyetur nëse ka lidhje me Hashim Thaçin, asokohe presidentin e Kosovës.

“Jam mësuar me pyetje tinëzare. Mund t’ju jap listën e gjatë të të gjithë të besuarve dhe zyrtarëve komunalë të Vaudois me të cilët kam marrëdhënie të shkëlqyera, por presidenti i Kosovës nuk është në këtë listë. Nuk e njoh atë”, deklaronte Orllati.

“Të jemi të qartë, në grupin tonë nuk është investuar asnjë frangë e huaj. Sa i përket investimeve tona, me përjashtim të një shtëpie familjare në Kosovë, të gjitha janë bërë në Zvicrën frëngjishtfolëse, duke përfshirë 90% në kantonin e Vaudit. Ne punojmë ose kemi punuar vitet e fundit kryesisht me institucione si Credit Suisse, BCV dhe UBS”. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Si ndodhi që të ndahen tre heronjtë, Kadri Zeka, Bardhosh e Jusuf Gervalla në rivarrim? Rrëfimi për ngjarjen e para 22 viteve

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci